Emision me vlerë të jashtëzakonshme

Podgoricë – Redaksia në gjuhën shqipe e Radios së Malit të Zi para pak javësh u bë pjesë e rrjetit kombëtar të mediave publike të rajonit në gjuhën shqipe: Radio Tiranës, Radio Prishtinës dhe Radio Shkupit.
Emisioni i emërtuar “Pa Kufij”, është një projekt që vite me radhë realizohet nga këto tri shtëpi mediatike, ndërsa së fundi pjesë e këtij projekti u bë edhe Radio e Malit të Zi, përkatësisht Redaksia në gjuhën shqipe.
Në lidhje me jetësimin e projektit në fjalë, në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, redaktori i Programit për pakica në Radio Televizionin e Malit të Zi, Senad Gilaj, shprehet se kjo ide dhe ky synim i kësaj redaksie ishin të kahmotshëm.
“Por, për shkak të “dembelizmit” tonë dhe të mos punimin në këtë drejtim të ish menaxhmentit të Radios së Malit të Zi, kjo gjë u shty për vite. Më në fund, me një angazhim si të Redaksisë në gjuhën shqipe, dhe të menaxhmentit të ri të RTMZ-së, u realizua edhe ky pikësynim yni. Falë punës së anëtarëve të redaksisë sonë dhe të drejtorisë se re, me takime të cilat i zhvilluam kohëve të fundit arritëm që të bëhemi edhe ne pjesë e trungut kombëtar mediatik”, shprehet Gilaj.
Ai shton se emisioni në fjalë është nga tri mediat publike të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, e më në fund edhe të Malit të Zi.
“Emisioni “Pa Kufij” është një formë e bashkëpunimit të radiove të tri qendrave kombëtare, e tani edhe të redaksisë sonë i cili realizohet tash disa vite dhe ishte edhe dëshira jonë që t’i bashkohemi. Kjo u arrit para dy javësh kur e realizuam lidhjen e parë edhe pse me vështirësi teknike, por arritëm disi të përfshiheshim edhe ne”, tregon Gilaj.
Për të, emisioni ka një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për t’u bërë pjesë e këtij projekti, por siç tha, që të marrin një përvojë më të mirë nga kolegët e tyre nga radiot kombëtare ku trajtohen tema të ndryshme sociale, shoqërore e politike me rëndësi për rajonin dhe për shqiptarët në përgjithësi.
“Dobia më e madhe është se ne tani na duket se kemi një afrim me radiot kombëtare shqiptare në rajon. Emisioni “Pa Kufij” moderohet aktualisht nga tre kolegët tanë, Jaho Margjeka nga Radio Tirana, Mirvete Uka nga Radio Prishtina dhe Memedali Jusufi nga Radio Shkupi. Ne kemi si ide që në këtë të përfshihet e gjithë redaksia jonë, sepse ne ende nuk kemi mundësi teknike që të kyçemi drejtpërdrejt, por kemi premtime se shumë shpejt do të kemi edhe ne një mundësi të studios së veçantë, ku do të mund të realizojmë emision të barabartë me kolegët tanë. Kjo falë edhe projektit të cilin jemi duke e realizuar, aktualisht si pilot projekt, atë të radios online në gjuhën shqipe të Radios së Malit të Zi, me tendencë që nesër të jetë edhe program i veçantë në kuadër të Radios së Malit të Zi”, thotë Gilaj.
Sipas tij, më meritorët për realizimin e përfshirjes emisionin “Pa Kufij”, janë ish-drejtoresha e Radio Kosovës, Flora Durmishi dhe drejtoresha e Radio Shkupit, Ajtene Mehmeti të cilat, siç theksoi Gilaj, kanë ofruar të gjitha mundësitë që edhe këta të bëhen pjesë e tyre pa kushtëzime.
“Por më duhet këtu të përmend, pa modesti, edhe drejtorin e përgjithshëm të RTMZ-së, Boris Raoniq i cili që në fillim kur e paraqita këtë ide na e dha mundësinë e “dyerve të hapura”, gjë që nuk na kishte ndodhur më parë”, shprehet ai.
Redaktori i Programit për pakica në Radio Televizionin e Malit të Zi, Senad Gilaj tregon se emisioni “Pa Kufij” realizohet çdo të enjte, me tema të ndryshme, të rëndësishme dhe me interes për shqiptarët në rajon, si ato të natyrës ekonomike, kulturore, sociale dhe politike. Ky emision mund të ndiqet në Radio Tirana në FM 99,5 MHz, ndërsa në internet në linkun: https://radio.rtsh.al/.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat