Takim me poeten Rozafa Shpuza dhe orë poetike

Poetja nga Shkodra ka treguar se shkruan në dialektin gegë, sepse gjithmonë ka menduar që krijimtaria don gjuhën e shpirtit. “Edhe unë gjuhën e shpirtit e kam gegnisht dhe nuk mundem të shkruaj ndryshe. Domethënë, do të isha falso nëse do të shkruaja diçka tjetër”, ka thënë ajo

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me OJQ “Shtëpia e Trashëgimisë” shënuan të martën e kaluar (21 mars 2023) Ditën Botërore të Poezisë me një takim me poeten Rozafa Shpuza dhe orë poetike në Muzeun Etnografik në Draginë.
Poetja nga Shkodra ka folur për ndërthurjen e dy pasioneve të saj – fotografisë dhe letërsisë.
“E kam shumë të ndërlidhur poezinë dhe fotografinë. E ndoshta dashuria që kam për të dy këto hobi të mia ma të dashtunat që janë fotografia dhe poezia, unë kam arritur me kuptuar se nuk mund të ndahem prej asnjërës dhe e vë re që fotografia ime ka shumë poezi dhe anasjelltas, poezia ka shumë fotografi. Domethënë, unë ku drejtoj aparatin që kapi një personazh, një detaj, një objekt të caktuar, unë ndoshta ulem përnjëherë ku jam duke pirë një kafe, ku jam duke ecur në rrugë me makinë, e shkruaj menjëherë një poezi. Domethënë, më vjen vetvetiu ndjesia edhe për ta fotografuar atë gjë, edhe për të shkruar për të”, ka thënë ajo.
Shpuza është autore e katër librave: librit me proza poetike të shkurtra “Kohë ikonash” (2011) dhe vëllimeve me poezi “Anipse” (2013), “Grizhlat” (2016) dhe “Nana i qindiste kryq dimnat” (2020). Derisa librin e parë e ka botuar në gjuhën shqipe standarde, tre vëllimet poetike janë shkruar në gegërishte.
Poetja ka treguar se këtë e ka bërë sepse gjithmonë ka menduar që krijimtaria don gjuhën e shpirtit.
“Edhe unë gjuhën e shpirtit e kam gegnisht dhe nuk mundem të shkruaj ndryshe. Domethënë, do të isha falso nëse do të shkruaja diçka tjetër”, ka thënë ajo.
Veçori e poezisë së Shpuzës është sidomos leksiku që përbëhet nga fjalë të gegërishtes që sot përdoren rrallë ose nuk përdoren fare. Ajo ka treguar se qysh kur ka filluar të shkruaj, ka krijuar një fjalor, qëllimi i të cilit ka qenë që të gjejë fjalë gegërisht që janë duke u harruar.
“Qëllimi im ka qenë, pra, që gegnishten që po e mbulon pluhuri i harresës unë me i dhanë edhe një herë, me i rifresku këto fjalë. Edhe pse mos me i përdorë, për çka mos me qenë ato fjalë nëpër botimet tona, nëpër gjuhën tonë të përditshme. Asht më mirë me përdorë fjalë gege që janë shqip. Fundi i fundit, është gjuha e gjyshave, e stërgjyshave tonë. Prandaj unë e përdori me shumë andje dhe ndihem shumë mirë që po mrrij me vu një gur themeli në atë kujdesin që na duhet me pasë për gegnishten”, është shprehur poetja.
Një vështrim të përgjithshëm mbi krijimtarinë e Shpuzës ka paraqitur studiuesja e letërsisë Drita Gushta, profesoreshë e letërsisë në Shkollën e Mesme “Jordan Misja” në Shkodër.
Ajo ka thënë se “me rebelimin e saj krijues autorja arrin të fokusojë limitet e fuqisë njohëse të mendjes dhe shpirtit të njeriut dhe si një filozofe arrin të shpalosë sfera të pakapshme për syrin e rëndomtë të lexuesit”.
Gushta ka thënë se poezia e Shpuzës mbështillet nga të gjitha aromat dhe ngjyrat e qytetit të Shkodrës dhe ti e njeh sepse kjo poezi të merr përdore dhe të shëtit nëpër rrugicat e Shkodrës.
Ajo ka theksuar se këto lirika i bashkon, përveç tjerash, gegërishtja e pastër dhe e pasur, si te rrallë ndonjë autor tjetër bashkëkohor.
“I bashkon edhe Shkodra, qyteti pas të cilit autorja është e dashuruar deri në palcë. Ndoshta është dashuria për këtë qytet, edhe ku ai ishte mungestar për autoren, që e bën poezinë e saj një poezi mirëfilli qytetase”, është shprehur Gushta.
Për studiuesin e letërsisë Zija Vukaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve – Shkodër, poezitë e Shpuzës janë epifanike.

“Me rebelimin e saj krijues autorja arrin të fokusojë limitet e fuqisë njohëse të mendjes dhe shpirtit të njeriut dhe si një filozofe arrin të shpalosë sfera të pakapshme për syrin e rëndomtë të lexuesit”, ka thënë studiuesja e letërsisë Drita Gushta


Ai ka thënë se poezia duhet të jetë imazh.
“Poezia ka edhe mendim e emocion, por mbi të gjitha ka imazh. Dhe te Rozafa shkrihet imazhi fizik, imazhi për gjanat që e ka demonstruar edhe nëpërmjet fotografisë etj., por ama edhe imazhi që krijojnë vargjet. Vargu duhet me qenë imazh. Dhe te kjo poezia qytetare, për shembull, janë imazhet epifanike të Shkodrës”, ka thënë Vukaj.
Ai ka thënë se ajo që i pëlqen te poezia e Shpuzës është sharmi estetik i poezisë.
“Është krejtësisht befasuese, frymëzimet janë të çastit. Ka aftësi të poetizojë të gjitha gjërat e jetës”, është shprehur Vukaj.
Edhe ai ka vlerësuar si një ndër anët pozitive të gjuhës së poezive të Shpuzës riaktivizimin e fjalorit pasiv që, sipas tij, përbën gati një mision. Vukaj ka thënë se në poezitë e saj Shpuza ka një arsenal fjalësh mjaft të bukura, të cilat “i ka risjellë edhe një herë në vëmendjen e njerëzve nëpërmjet artit poetik”.
Gjatë takimit vetë poetja ka lexuar për të pranishmit disa poezi të saj.
Rozafa Shpuza është poete, fotografe dhe kuratore ekspozitash. Ka marrë pjesë në takime letrare, konkurse e festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është fituese e disa çmimeve letrare.
Shtëpinë e saj e ka shndërruar në galeri (Galeri “Oda”), e cila falë përkushtimit të saj është bërë një qendër e rëndësishme e aktiviteteve kulturore në Shkodër, ku mbahen ekspozita dhe aktivitete të tjera kulturore.
Në pjesën e dytë të programit, në orën poetike, poetët pjesëmarrës nga Shkodra, Lezha dhe Ulqini kanë lexuar vargje nga krijimtaria e tyre.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se që prej disa vitesh kjo shoqatë e shënon Ditën Botërore të Poezisë me aktivitete të ndryshme, si prezantime të poetëve nëpër shkolla, përurime të vëllimeve poetike etj., kurse që nga viti 2018 me takime të poetëve në Muzeun Etnografik në Draginë me qëllimin për t’i dhënë peshën që meriton poezisë dhe krijimtarisë letrare në përgjithësi.
Takimi letrar është organizuar në kuadër të projektit “Kultura për të gjithë”, i cili është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat