Ulqin – Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, të shtunën mbrëma në Qendrën e Kulturës – Ulqin u promovua filmi dokumentar “Rojet e jetës” i autorit Haxhi Shabani, i cili u kushtohet gjinekologut të njohur ulqinak Shuajb Resulbegu dhe të riut Emro Abazi, i cili humbi jetën nga kanceri.
Në fjalën e tij, gazetari Haxhi Shabani ka thënë se ky film përbëhet nga dy histori të pazakonshme për qytetin e Ulqinit dhe përgjithësisht si histori njerëzore.
“Unë mendoj se një qytet përveçse përbëhet nga historia dhe nga tradita e vet, përbëhet nga njerëzit e tij. Dhe këta dy personalitete, secili në mënyrën e vet e kanë shënuar atë shpirtin, atë zemrën e qytetit tonë të lashtë, qytetit tonë që mendoj se është shembull pikërisht për atë që quhet humanizëm”, ka theksuar ai.
Shabani ka thënë se Dr. Shuajbi ka qenë një mjek i cili ka bërë mrekulli dhe gjënë më të shenjtë në këtë jetë, që është të ndihmosh të tjerët të vijnë në jetë.
“Edhe pse u bënë shumë vjet nga ikja e tij në amshim, ai na rrezaton atë mirësinë, atë njerëzinë, vazhdimin e jetës. I riu Emro Abazi ka bërë një mrekulli, sepse ka arritur që të mobilizojë njerëzit, të mobilizojë Ulqinin deri në atë masë saqë kjo jehonë ka shkuar edhe përtej oqeanit. Unë rrëqethem edhe sot – kur e kam ideuar këtë dokumentar kam qenë me mijëra kilometra larg Ulqinit. Dhe kam parë forcën e këtyre njerëzve, forcën e këtyre dy personaliteteve në historinë e Ulqinit”, ka theksuar ai.
Sipas tij, ajo që potencohet në film është humanizmi, një vlerë që i duhet Ulqinit dhe të gjithë njerëzimit.
“Ne këtë e themi edhe në film. Kjo i duhet të gjithë njerëzve që jetojnë në Ulqin, kjo i duhet njerëzimit, kjo i duhet civilizimit, kjo forcë e bashkimit, e humanizmit”, është shprehur ai.
Në emër të familjes Resulbegu, të pranishmit i ka përshëndetur Edina Resulbegu.
Ajo ka thënë se madhështia (dhe tmerri) e fatit njerëzor reflektohet në krijimin e botës së tij, e cila shndërrohet në një mesazh për brezat.
“Këta dy individë, direkt apo indirekt, bëhen pasqyrë e njerëzimit, e sakrificës, e filantropisë… Dhe na ngarkojnë ta ruajmë këtë frymë, që përndryshe është bërë bërthama e qytetit tonë. Prania e secilit sonte është e motivuar nga një motiv më i lartë. Këto janë vlerat delikate që bashkojnë shpirtrat tanë, por mbeten në nivelin e instinktit, të papërcaktuara. Për shkak të vlerave që simbolizojnë, këta dy personalitete bëhen heronj përgjithmonë”, ka theksuar ajo.
Filmi dokumentar është prodhim i Redaksisë së Programit në Gjuhën Shqipe të Radio Televizionit të Malit të Zi. Ai vjen në 30-vjetorin e vdekjes së Shuajb Resulbegut (1943-1993), gjinekologut të njohur jo vetëm në Ulqin por edhe më gjerë, në rrethet mjekësore dhe shkencore të Malit të Zi, ish-Jugosllavisë dhe Evropës. Edhe sot ai vlerësohet si sinonim i mjekut humanist dhe të ditur, diagnozat e të cilit pranoheshin në spitalet më të njohura. Ndërkaq i riu Emro Abazi, megjithëse u bë gjithçka për të shpëtuar jetën e tij, duke grumbulluar në kohë rekord një shumë të madhe të hollash për shërimin e tij, e humbi luftën me kancerin në një moshë të re, në vitin 2019.
Krahas promovimit të filmit dokumentar, në galerinë e Qendrës së Kulturës është hapur ekspozita fotodokumentare kushtuar Shuajb Resulbegut dhe Emro Abazit.
i. k.
