Kritikë amoralitetit njerëzor përmes satirës dhe humorit

Regjisorja e re Edina Mustafiq – Avdiu ka treguar se me këtë shfaqje ka diplomuar në vitin 2018 dhe se ka qenë dëshira e saj për ta sjellë edhe një herë për publikun vendas. Ajo thotë se beson që tani ka qenë periudha më e përshtatshme që kjo shfaqje të rikthehet për shumë arsye. Regjisorja shprehet e kënaqur me lojën e aktorëve dhe të gjithë personave të tjerë që kanë marrë pjesë në realizimin e shfaqjes

Ulqin – Teatri “Teuta” ka shfaqur të martën (14 shkurt 2023) komedinë “Hajdutët nuk vijnë gjithmonë për të keq” të dramaturgut të njohur italian Dario Fo, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi.
Shfaqja është vënë në skenë nga regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu dhe është pritur mirë nga publiku në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Regjisorja e re ka treguar se me këtë shfaqje ka diplomuar në vitin 2018 dhe se ka qenë dëshira e saj për ta sjellë edhe një herë për publikun vendas.
“Besoj tani ka qenë periudha më e përshtatshme që kjo shfaqje të rikthehet për shumë arsye”, shprehet ajo.
Mustafiq – Avdiu është e kënaqur me lojën e aktorëve dhe të gjithë personave të tjerë që kanë marrë pjesë në realizimin e shfaqjes.
“I gjithë ky sukses nuk do arrihej pa përkushtimin e bashkëpunëtorëve të mi: skenografes dhe kostumografes Jetmira Hoxha, producentit Munib Abazi, kastës së aktorëve në krye me Bashkim Alaj, Edis Luka, Blerta Kurti, Amina Luka, Amra Demiri dhe Sakib Lika”, thotë ajo.
Regjisorja vlerëson edhe publikun, i cili i ka mbështetur dhe është një motivues i madh për punën e tyre, si dhe talentet e reja në fushën e teatrit.
“Po bëhen disa vite që para publikut tonë jemi shfaqur me disa shfaqje – komedi të ndryshme dhe kemi krijuar simpati te publiku, që për një artist është shumë e rëndësishme. Gjithashtu kohë pas kohe po rritemi si grup me anëtarë të rinj, e kjo na gëzon për faktin që ne kemi të ardhme me këtë profesion në këtë qytet”, thotë ajo.
Një pjesë e tekstit të shfaqjes është përshtatur duke përdorur fjalë, emërvende, personazhe etj. vendore. Kjo përbën një gjetje të mirë nisur edhe nga reagimet e publikut të pranishëm në shfaqje. Po ashtu edhe zgjedhja e Ditës së Shën Valentinit apo ditës së të dashuruarve për dhënien e shfaqjes është bërë, si duket, me qëllim nga organizatori.
Komedia “Hajdutët nuk vijnë gjithmonë për të keq” është një shfaqje aktuale për të gjitha kohërat. Përmes satirës dhe humorit Fo kritikon amoralitetin njerëzor, veset dhe sjelljet e njerëzve të shtresave të larta shoqërore që jetojnë me dy fytyra, ku hipokrizia e tyre zbërthehet përmes situatave komike dhe elementeve të gjetura nga autori, i cili i nxjerr ata lakuriq para njëri-tjetrit dhe opinionit. Një hajdut hyn në një shtëpi të pasur, por ngjarjet që pasojnë marrin një rrjedhë të paparashikuar.

i. k.


Shfaqja më 10 mars në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi

Regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu ka paralajmëruar se kjo shfaqje do të jepet në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi në Podgoricë, më 10 mars të këtij viti. Kjo për të, për aktorët dhe për Teatrin “Teuta” përbën një sfidë të re, sepse është hera e parë që do të luajnë në skenën e këtij teatri.

Të fundit

më të lexuarat