Librarinë “Ulqini” në Ulqin, të shtunën mbrëma (11 shkurt 2023) është bërë përurimi i përmbledhjes së re me poezi “Kohë” të autorit Ali Gjeçbritaj.
Për librin kanë folur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe redaktori Ismet Kallaba, recensenti Dimitrov Popoviq dhe vetë autori.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Ali Gjeçbritaj është një autor që ka kohë që boton me këtë shoqatë duke qenë njëri autorët më produktivë që nuk resht së shkruari, të cilin e ka si mision.
Sipas tij, pavarësisht pensionimit Gjeçbritaj, duke qenë në fazën e pjekurisë krijuese, ndien se ka akoma shumë për t’i dhënë lexuesit dhe shoqërisë nga “arsenali” i tij.
Ndërkaq, duke folur për vëllimin poetik “Kohë”, ai ka thënë se poezia e Gjeçbritajt komunikon natyrshëm me lexuesin e vet.
“Ajo është një poezi me mesazhe të qarta. Poezia e tij nuk vërret, por megjithatë na qorton”, ka thënë Kallaba.
Ai ka thënë se poeti Ali Gjeçbritaj “nuk ka nevojë të fantazojë, sepse bota që e rrethon i ofron brumin për poezitë e tij. Ai sikur shfryn dufin e ndrydhur prej kohësh që nuk mund ta mbajë brenda vetes.”
Më tej Kallaba ka theksuar se Gjeçbritaj është poet që tashmë ka krijuar stilin e vet të vjershërimit.
Në vështrimin e tij recensenti Dimitrov Popoviq ka thënë se aroma e poezisë së Ali Gjeçbritajt është vendase.
“Dhe kjo është bukuria e saj. I vjen era Krajë”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka shumë poetë që e përdorin shiun si nostalgji duke marrë artistikisht shenjat dalluese të tij, pesimiste dhe optimiste, dhe me to bëjnë poezi shumë të bukura. Në këtë mes bën pjesë edhe poeti Ali Gjeçbritaj.
Popoviq ka thënë se në këtë vëllim ka shumë poezi për shiun, por bukuria që i ka dhënë poeti përdorimit të tij na bën ta lexojmë prapë, ta nënvizojmë dhe ta duam.
“Shiu e justifikon zgjedhjen e autorit si figurë artistike të mbushur në shumë drejtime në cakun e kohës që lidhet me fëmijërinë kur ishte i vogël si zogu. Natyra qan se bie shi. Qajnë gjethet ose më bukur lotojnë se ai shi bie mbi ta e rrëshqet. Gjethet edhe ashtu i ngjajnë formës së syrit. Dhe ai bashkë me zogjtë i ulur në hardhinë para shtëpie…”, është shprehur ai.
Autori Ali Gjeçbritaj ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar për botimin e vëllimit të ri poetik.
Në vijim të fjalës së tij ai ka thënë se ka bërë përpjekje që ta ruajë gjilpërën që brezit të tij ia ka qepur plagët ndër mote.
“Ajo nuk është ndryshkur dhe unë përmes vargut operoj me të, thuri vargje. Lexuesi le t’i vlerësojë ato. Këtë gjilpërë nuk e akuzon nata, ajo vret errësirën. Nuk e akuzon as nata me shi, as moti që gjëmon, as rrudhat në ballë e as fijet e bardha të flokut”, është shprehur ai.
Poeti ka lexuar për publikun edhe disa poezi nga përmbledhja.
Përurimi i librit është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, e cila e ka botuar vëllimin poetik “Kohë”. Libri është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Për të gjithë të pranishmit në përurim, autori ka dhuruar kopje të librit.
Krahas përmbledhjes me poezi “Kohë”, Ali Gjeçbritaj është autor i librave: “Motet” (poezi), “Gjurmët e moteve” (publicistikë), “Informatori” (publicistikë), “Shkolla në Krajë 1929-2009” (monografi), “Nata me hënë” (poezi), “Botë mashtrimi” (poezi), “Kopshti i xixëllonjave” (poezi për fëmijë), “Udhëtim në kohë” (monografi), “Heshtja që flet” (poezi), “Shkolla në Krajë 1929-2019” (monografi), “Rite dasme në Krajë” (monografi), “Gurët e truallit tim” (poezi), “Motet” (poezi të zgjedhura) dhe bashkautor i librit “E dua shkollën” (libër leximi për klasën e parë).
i. k.
