Shkrimtari dhe gazetari Enkel Demi, i njohur me pseudonimin e artit Tom Kuka, ka qenë mysafiri i radhës me të cilin është zhvilluar takim i hapur të shtunën mbrëma në Librarinë “Ulqini” dhe është bërë paraqitja e romanit të tij të fundit “Rrethimi”.
Ky roman trajton nëpërmjet rrëfimit letrar të autorit një ngjarje historike siç është Rrethimi i Shkodrës nga malazezët në vitet 1912-1913. Në parathënien e romanit, shkrimtari e bën të qartë se “Rrethimi” nuk është një libër historik dhe nuk ka qëllime studimore.
“Në të janë përfshirë ngjarje të vërteta, të marra nga kronikat e kohës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën se si kanë jetuar shkodranët apo të tjerët të cilët u kapën në grackën e rrethimit. Por kushdo që e njeh historinë, apo e njeh këtë ngjarje, mund të vërejë mospërputhje historike apo gabime. Fjala vjen, personazhe të paqena në atë kohë. Kjo vjen si pasojë e trillimit, ose siç e quajnë ndryshe me gjuhën e sotme, fiction”, shkruan ai në parathënie.
Demi ka treguar se ka zgjedhur trillimin për të përshkruar Rrethimin e Shkodrës, pikësëpari sepse nuk është historian.
“Unë nuk mund ta tregoj si historian, sepse ka historianë më të mirë se unë që e kanë treguar”, ka thënë ai.
Shkrimtari ka treguar për mënyrën e ndërtimit të rrëfimit të tij, duke futur në roman edhe personazhe që nuk përkojnë me kohën kur ka ndodhur Rrethimi i Shkodrës.
“Rrethimi i Shkodrës ka një sfond të tillë, por personazhet që unë kam futur në libër, ndoshta jo të gjithë kanë qenë aktualë për kohën, por këtu pastaj futet shkrimtari. Për shembull, janë dy-tre personazhe të cilët nuk përkojnë me kohën. Është Osja i Falltores, që është një bejtexhi, themelues i muzikës qytetare shkodrane, është autodidakt, muzikant dhe poet i asaj kohe. Kemi praninë e Çerçiz Topullit, i cili në fakt është shfaqur në Shkodër në Luftën e Parë Botërore, jo në Luftën e Parë Ballkanike. Pra, i bie të jetë shfaqur në Shkodër një ose dy vjet më vonë. Por këta më janë dashur të gjithë për ta bërë rrëfimin sa më tërheqës. Sepse në qoftë se do ta shohim në pikëpamje historike, unë nuk jam studiues dhe nuk mund të shkruaj për historinë; mund të gaboj ose mund ta çoj përpara, por nuk është profesioni im”, është shprehur ai.
Demi ka thënë se në këtë roman ka dashur të tregojë një histori dashurie të pazakontë që merr shkas nga një fotografi dhe se vetë libri është një homazh për të gjithë fotografët shqiptarë të fillimshekullit të kaluar.
Ai ka treguar se ka një pasion të madh për fotografinë, sidomos për fotografinë – kronikë, dhe se lidhja e romanit “Rrethimi” me fotografinë i duket e pandashme.
Duke folur për romanin “Rrethimi”, redaktorja letrare e botimeve të Shtëpisë Botuese “Pegi”, Aida Baro, ka treguar se pse letërsia është shpeshherë një mënyrë më e mirë dhe më e qëlluar për të treguar historinë sesa librat historikë.
“Në fakt, letërsia ka aftësinë të shkojë tek më shumë njerëz sesa vetë historia. Mund të ketë njerëz që e duan historinë dhe e lexojnë për atë që është, po për shumë njerëz historia është diçka e mërzitshme. Dhe kur ti e merr historinë nëpërmjet letërsisë është gjëja më e mrekullueshme, sepse ti edhe informohesh, edhe mëson, por ama edhe kënaqesh me një shije letrare shumë të mirë, e cila ta plotëson edhe shijen artistike”, ka thënë ajo.
Baro ka thënë se nëpërmjet këtij libri, lexuesit marrin më shumë informacion për luftën e Shkodrës apo Luftën e Parë Ballkanike sesa po të lexonin një libër historie, që do ta mësonin përmendësh në shkollë dhe pastaj do ta harronin.
“Po ky libër ama, të mbetet në kujtesë, sepse ti i ndërton ngjarjet në kokën tënde nëpërmjet personazheve. Dhe duke futur edhe elementin e personazheve të tjera të historisë – Oson e Falltores, apo personazhin si Çerçiz Topulli, plotësohet kuadri i asaj historie”, është shprehur ajo.
Në bashkëbisedim me aktorin Simon Shkreli, shkrimtari Demi ka folur edhe për romanet e tij të tjerë, si “Hide mbi kalldrëm”, “Gurët e vetmisë”, “Ora e ligë” dhe “Flama”, për ngjashmëritë e këtyre romaneve me romanin e tij të fundit “Rrethimi” etj. Ai po ashtu është përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve në takim.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”.
i. k.
