Asllan Bushati, “Diktati i ADM-ve në Luftën e Ftohtë e pas saj”

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Fjala është për librin “Diktati i ADM-ve në Luftën e Ftohtë e pas saj”, me autor ish-gjeneralin Asllan Bushati, botuar kohët e fundit.
Libri i ish-ushtarakut të lartë në Ushtrinë Shqiptare, gjeneralit Asllan Bushati mbulon një subjekt për të cilin fare pak njerëz janë të informuar, ndërsa ka më pak prej të tjerëve që dëshirojnë të dinë e të mësojnë më shumë për Armët e Dëmtimit në Masë (ADM-ve) dhe për rrezikun që paraqet ekzistenca e tyre për mbarë njerëzimin.
Por është një subjekt i rëndësishëm dhe i paevitueshëm që nuk mund të anashkalohet edhe nëse do të donim ta injoronim një gjë të tillë, si individë dhe si shoqëri. Armët bërthamore, kimike apo biologjike, duam a s’duam, janë të pranishme edhe në botën e sotme (30 e ca vite) pas Luftës së Ftohtë, ndoshta edhe më të përhapura se kurrë më parë, përfshirë edhe periudhën e Luftës së Ftohtë prej pothuaj gjysëm shekulli.
Armët bërthamore, biologjike e kimike “të dëmtimit në masë”, siç i cilëson ato autori unë do preferoja t’i quaja armë të shkatërrimit në masë, sepse të tilla janë. Mbi të gjitha ato përbejnë një subjekt të frikshëm e kërcënues për njerëzimin dhe për mbijetimin e këtij planeti. Si i tillë, është një çeshtje me rëndësi që na imponohet të gjithëve kudo që jetojmë, është e doemosdoshme që si qytetarë të cilitdo vend qoftë, të lexojmë e të mësojmë më shumë për këto armë të shkatërrimit në masë e që për njerëzimin janë një rrezik real, i pranishëm dhe i përgjithmonshëm, përderisa ato nuk zhduken nga faqja e dheut me marrëveshje ndërkombëtare për eliminimin e tyre njëherë e mirë. Një mundësi reale kjo por aq e parealizueshme sot, siç ka qenë edhe gjatë dekadave të kaluara të Luftës së Ftohtë dhe më vonë. Prandaj, për autorin Bushati eliminimi i këtyre armëve vdekjeprurëse në masë, është një nevojë themelore për njerëzimin siç është edhe “njohja e përgjithshme dhe e thelluar e ADM-ve”, që sipas tij “do të na shtynte të mendojmë si njerëz të civilizuar të këtij globi për një të ardhme më të mirë, më jetëgjatë, më të kulturuar për vete dhe për breznitë e ardhshme”.
Kjo është e rëndësishme, shkruan Asllan Bushati, se mediat kombëtare dhe ndërkombëtare nga frika për të mos përhapur panik në popullsi nuk kanë njoftuar siç duhet të dhënat në lidhje me rreziqet e mundshme që vijnë nga armët e shkatërrimit në masë (ADM), qoftë në kohë lufte, por edhe nga aksidentet ose nga terrorizmi ndërkombëtar në kohë paqeje.
Autori e shpreh shqetësimin e tij në lidhje me përdorimin e këtyre armëve e sidomos të armëve kimike, duke pohuar se megjithë marrveshjet ndërkombëtare dhe opinionit publik kundër përdorimit të tyre, këto armë janë përdorur, sipas tij, në disa vende të botës përfshirë ish-Jugosllavin, ku fillimisht janë përdorur nga ushtria ish-jugosllave kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet 1981, 1990 dhe 1991 dhe më vonë edhe kundër objekteve civile të kroatëve e boshnjakëve. Gjenerali Bushati shpreh shqetësimin e tij në librin “Armët e Dëmtimit në Masë (ADM-ve)”, se Serbia si pasardhëse e ish-Jugosllavisë ka prodhuar gjatë viteve armë të tilla të shkatërrimit në masë, përfshirë armët kimike, Autori shkruan se Serbia përben një rrezik të madh për Shqipërinë dhe për Kosovën në këtë fushë, pasi sipas tij, Serbia ”në thellësitë territorit të saj, ajo ka trupa operative-strategjike dhe një sasi të madhe raketash “Skud”, të cilat janë rrezik potencial për Kosovën dhe Shqipërinë”.
Në të vërtetë, shkruan Bushati, ishte pikërisht Kosova si poligon e hapësirë dhe shqiptarët si banorë të saj, ata që Serbia i shënjestroi në fillim të 1990-ve me sulme armësh kimike dhe të tjera. “…shihni pamjet televizive, ata (serbët) e kanë përdorur gazin helmues edhe në oborret e spitaleve”, citon autori aktivistin e të drejtave të njeriut në atë kohë, të shquarin Prof. Dr. Zekeria Cana. Z. Bushati thekson se megjithëse lufta ka pushuar në ish-Jugosllavi “fryma antishqiptare atje është shumëfishuar”, ndërkohë që “arsenali kimiko-ushtarak (serb) jo vetëm se nuk është zvogëluar, por është shumuar e sofistikuar me ndihmën e Rusisë”, shkruan Bushati. Autori paralajmëron se kjo situatë e krijuar “përben me të vërtetë një rrezik real për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por si komb. Ai i bën thirrje Shqipërisë dhe Kosovës se megjithë ombrellën e NATO-s, dy shtetet shqiptare duhet të vlerësojnë gjëndjen aktuale dhe të ndërmarrin masat e nevojshme tekniko-ushtarake për të përballuar gjendjen në hapësirat shqiptare Shqipëri-Kosovë, përfshirë edhe trojet shqiptare në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut.
Autori Asllan Bushati, ish-ushtaraku i lartë në Ushtrinë Shqiptare ka zgjedhur kohën e duhur që të shkruaj dhe të botojë librin doracak “Diktati i ADM-ve në Luftën e Ftohtë e pas saj” mbi rrezikun e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike ndaj njerëzimit. Një numër gjithnjë e më i madh eskpertësh të armëve bërthamore dhe të çeshtjeve strategjike ndërkombëtare – amerikanë dhe ndërkombëtarë – sidomos përballë agresionit rus në Ukrainë dhe kërcnimeve të Kremlinit për të përdorur armët bërthamore në Evropë si përfundim i atij konflikti, kanë paralajmëruar se ndoshta kurrë më parë nuk ka ekzistuar rreziku më i madh se sot për përdorimin e armëve bërthamore të shkatërrimit në masë. Siç ve në dukje edhe autori Bushati, Lufta e Ftohtë mund të ketë marrë fund, por regjimet si Serbia dhe të tjera janë duke rritur arsenalet e tyre të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike, duke rrezikuar paqen dhe sigurinë rajonale e botërore, shprehet autori.
Shumë prej nesh nuk jemi të mirë informuar për këtë rrezik që vjen nga armët bërthamore, kimike dhe biologjike e me të cilin përballet njerëzimi, jo vetëm nga regjime diktatoriale por edhe nga grupe terroriste, anembanë botës që mund t’i blejnë ato armë nga shtete diktatoriale, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën.
Subjekti i armëve bërthamore, kimike dhe biologjike është një subjekt për të cilin unë si shumë të tjerë nuk jam edhe aq i mirë informuar, duke menduar gabimisht se nuk do të kemi kurrë nevojë të merremi me to. Por, duke lexuar librin e z. Bushati mësova shumë gjëra. Ashtu kam besimin se edhe lexuesit e tjerë të këtij libri do të mësojnë shumë mbi këtë subjekt, ose të pakën ky libër do të tërheq sado pak vëmendjen e tyre qoftë edhe për një kohë të caktuar, sa për të reflektuar ndaj këtyre armëve të shkatërrimit në masë dhe për rrezikun e madh që ato përbejnë për njerzimin dhe të dinë se ato vazhdojnë të mbeten një kërcënim i madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi ku ne jetojmë si komunitet larg trojeve tona të origjinës, por edhe për vëllezërit tanë në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor – Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë kuptim, autori Asllan Bushati bën një shërbim të madh për lexuesin dhe për shoqërinë duke na bërë që të reflektojmë mbi rrezikshmërinë e mundësisë së një kombinimi të mundshëm të teknologjisë moderne dhe armëve bërthamore me fanatizmin politik, fetar ose çfardo lloji tjetër. Natyrisht se ashtu si edhe për botën tjetër, as për shqiptarët subjekti i armëve të shkatërrimit në masë nuk është një subjekt i këndshëm as i pëlqyeshëm për të cilin është lehtë të bisedohet, të diskutohet ose të shkruhet. Por, megjithëkëtë, gjëja më e rëndësishme dhe më urgjente për botën sot, sipas autorit të librit “Diktati i ADM-ve në Luftën e Ftohtë e pas saj”, është menaxhimi i suksesshëm i përhapjes së armëve bërthamore dhe kimike si dhe pakësimi i këtyre armëve të rrezikshme për botën mbarë, sidomos atyre armëve kimike e bërthamore që janë nën kotrollin e vendeve armike të demokracive të botës perëndimore. Unë nuk e ndjeki këtë subjekt në median shqiptare, por nuk jam në dijeni të ndonjë literature në gjuhën shqipe mbi armët bërthamore, biologjike dhe kimike. Kjo e bënë librin e Asllan Bushatit një botim të rrallë por të nevojshëm në fushën e rrezikshmërisë së këtyre armëve për njerëzimin. Prandaj libri i z. Asllan Bushati duhet të konsiderohet si një kontribut i çmueshëm për stimulimin, në mos të një debati serioz mbi një subjekt tepër serioz, atëherë uroj që sado pak ky libër të stimulojë një dialog publik mbi këtë subjekt tepër të rëndësishëm, megjithëse dy shtetet shqiptare nuk posedojnë armë të tilla, janë vendet fqinje siç është Serbia që posedojnë armë kimike dhe e cila ka treguar në të kaluarën se ajo është më se e gatshme t’i përdori ato kundër fqinjve – siç sugjeron edhe autori Asllan Bushati në librin që u promovua javën e kaluar në “Vatër”.

Të fundit

më të lexuarat