Grupi i parë i vullnetarëve amerikanë

Luljeta Avdiu – Cura

Si lindi Korpusi i Paqes?
Korpusi i Paqes zyrtarisht u themelua më 1 mars 1961 nga presidenti Xhon F. Kenedi me qëllim të promovimit të paqes dhe miqësisë në botë, duke ofruar vullnetarë amerikanë për të kontribuar në zhvillimin social, ekonomik dhe njerëzor në vendet nikoqire ku ata shërbejnë. Që nga viti 1961, mbi 240.000 amerikanë kanë shërbyer në Korpusin e Paqes në 143 vende të ndryshme.
Mali i Zi është vendi i 142-të në të cilin Korpusi i Paqes zbaton programin e vet, si vazhdim i programit ekzistues në Shqipëri. Qeveria malazeze i ka bërë ftesë në gusht të vitit 2018 Korpusit të Paqes që të nisë një program edhe në Mal të Zi.
Shkolla jonë fillore në Jug të Malit të Zi është përzgjedhur të përfshihet në këtë program dhe deri në momentin që vullnetari ka mbërritur në shkollën tonë në dhjetor 2022, në ambientët e shkollës janë zhvilluar disa takime me rëndësi për mbarëvajtjen e punës së vullnetarit dhe finalizimin e procedurave që nga viti 2019.
Për shkak të pandemisë Covid-19, Korpusi i Paqes është larguar për në SHBA në mars 2020 dhe është rikthyer sërisht në tetor 2022.
Po ashtu nga takimet veçojmë datën 1.6.2022 ku në lokalet e shkollës sonë u zhvillua takimi ndërmjet drejtorit të shkollës dhe menaxheres së programit Toefl në kuadër të Korpusit të Paqes, asistentes për sigurinë e vullnetarëve, menaxherit të Korpusit të Paqes për sigurinë e vullnetarëve si edhe profesoreshave të gjuhës angleze të shkollës sonë.
Vullnetari i Korpusit të Paqes Erik është vullnetari i cili do të qëndrojë në shkollën tonë dy vite dhe në bashkëpunim me mësimdhënëset e gjuhës angleze, jo vetëm që do të realizojnë orë të gjuhës angleze, por edhe do të ndërmarrin iniciativa dhe do të organizojnë aktivitete të larmishme edukative jashtëshkollore, e gjitha kjo me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave mes dy shteteve – Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e arsimit.
Në Ceremoninë e Betimit për 6 amerikanët e përzgjedhur që do të shërbejnë në shkollat në Mal të Zi si vullnetarë të Korpusit të Paqes, ceremoni që u mbajt në Podgoricë në fund të dhjetorit 2022. Të pranishmit i përshëndeti ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhudi Rajzing Rajnke. Po ashtu fjalën e rastit e kishin edhe drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Megan Uilson si edhe ministri i Arsimit, Miomir Vojinoviq.
Nga shkolla jonë në ceremoni morën pjesë drejtori i shkollës, si edhe një nga mësimdhënëset e gjuhës angleze.
Korpusi i Paqes (Peace Corps) është program i vullnetarëve i drejtuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshin sigurimin e asistencës teknike për të ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-së të kuptojnë kulturën amerikane dhe në të njëjtën kohë të ndihmojnë amerikanët të mësojnë për kulturat e vendeve tjera.
Si një nga gjashtë vullnetarët e parë të Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara që do të shërbejë në Mal të Zi, Erik, një amerikan në pension, erdhi këtu nga shteti i Karolinës së Veriut. Edhe pse ka doktoruar në muzikë, ka studiuar edhe anglishten si gjuhë të dytë. Gjatë bisedave me Erikun në shkollë, ai shprehet se është i kënaqur që ndodhet në Mal të Zi dhe punon me mësues të gjuhës angleze në një shkollë në Jug të Malit të Zi.
Gjashtë vullnetarët e parë në Mal të Zi para se të fillonin punën vullnetare, kaluan 11 javë në një komunitet të vogël për të mësuar gjuhën malazeze dhe për të bërë praktikën në një shkollë fillore përpara se të transferoheshin në komunitetet e tyre në disa komuna anembanë vendit. Rëndësi të veçantë për vullnetarët ka edhe familja pritëse, pasi ata janë njerëzit e parë që hapin dyert dhe zemrat e tyre për të mirëpritur vullnetarët. Vullnetarët dhe familjet pritëse krijojnë marrëdhënie që mund të zgjasin përtej shërbimit të tyre dy vjeçar.
Të ndash jetën me një familje tjetër, të jesh i mirëpritur në shtëpitë dhe komunitetet e tyre është një përvojë që mund të ndryshojë jetën e shumë kujt. Kjo është një mënyrë për të eksploruar më mirë se si të bashkëjetohet me një kulturë tjetër dhe dinamikat që ajo përfshin.

Vizitat nga mësuesit amerikanë në shkollën e vjetër në vitin 1962 në komunitetin tonë
Gjatë bisedës me Erikun pata kënaqësi t’i tregoja se institucionin tonë shkollor e kanë vizituar edhe mësues të tjerë nga Shtetet e Bashkuara dhe në librin e shënimeve kanë lënë shënimet e mëposhtme.
Shpresoj që periudha dy vjeçare e qëndrimit të Erikut në shkollën tonë të jetë një periudhë e veçantë, si për vullnetarin ashtu edhe për kolektivin e në veçanti për mësimdhënëset e gjuhës angleze, nxënësit dhe komunitetin.
Gjuha angleze ka filluar të mësohet në shkollën tonë nga viti shkollor 1977/78.

Të fundit

më të lexuarat