Shtegtim poetik në kohë

Poeti Ali Gjeçbritaj ka ardhur para lexuesit me vëllimin e ri poetik “Kohë”, i cili përbëhet nga 84 poezi, të ndara në pesë cikle. Ai është një poet i frytshëm, që nuk mund të rrijë pa shkruar dhe që vargun e ka si bukën me të cilën ushqen shpirtin e vet dhe të lexuesit. Poeti nuk ka nevojë të fantazojë, sepse bota që e rrethon i ofron brumin për poezitë e tij. Ai sikur shfryn dufin e ndrydhur prej kohësh që nuk mund ta mbajë brenda vetes.
Përmes poezive të Gjeçbritajt shtegtojmë në kohë. Një realitet plot kontrast shfaqet ndërmjet dy botëve – kohës së shkuar, për të cilën përkundër jetës së vështirë poeti duket se përmallohet dhe ka nostalgji, dhe të tashmes që po përjetojmë – kohë e mbrapsht, botë memece…
Gjeçbritaj është poet që tashmë ka krijuar stilin e vet të vjershërimit. Ai mund të cilësohet si poet i dhimbjes, që e përjeton rëndë dhe nuk don të pajtohet me realitetin e hidhur, kurse poezia e tij është poezi e brengës për fatin e vendit dhe popullit të vet.
Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensent Dimitrov Popoviq, lektore Aishe Gjeçbritaj, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku. Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Ai është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Ali Gjeçbritaj ka lindur në Arbnesh të Krajës, më 1953. Krahas punës në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri merret dhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka qenë redaktor i revistës “Valët”, revistë e nxënësve të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros. Deri tash ka botuar librat: “Motet” (poezi), “Gjurmët e moteve” (publicistikë), “Informatori” (publicistikë), “Shkolla në Krajë 1929-2009” (monografi), “Nata me hënë” (poezi), “Botë mashtrimi” (poezi), “Kopshti i xixëllonjave” (poezi për fëmijë), “Udhëtim në kohë” (monografi), “Heshtja që flet” (poezi), “Shkolla në Krajë 1929-2019” (monografi), “Rite dasme në Krajë” (monografi), “Gurët e truallit tim” (poezi), “Motet” (poezi të zgjedhura), “E dua shkollën” (libër leximi për klasën e pare; bashkautor) dhe “Kohë” (poezi).

i. k.

Të fundit

më të lexuarat