Pothuajse një muaj të plotë zgjati pushimi i këtij gjysmëvjetori, meqenëse Ministria e Arsimit vendosi ta zgjaste për cilëndo arsye të tyre. Ky vendim u pëlqye vetëm nga ana e disave, por jo nga prindërit e as nga ana e mësimëdhenëseve nuk u prit me brohoritje tepër të madhe. Plot tridhjetë ditë të janarit qëne në dispozicion të fëmijëve për t’i shfrytëzuar për të shëtitur, pushuar e pse jo mësuar ndonjë hobi, ndonjë gjuhë, zanat ose diçka të re. Në ditën e parë të rikthimit në bankat shkollore, gjëja e parë që bëra ishte pyetja se si e kishin kaluar këtë pushim? Përveç ca shëtitjeve të vogla që kishin bërë me prindërit e tyre, pothuajse të gjithë dhanë përgjigjen e njëjtë: ndeja në dhomën time në celular. E trishtueshme si përgjigje por një realitet i hidhur. Ajo çfarë shqetëson më shumë është fakti që ata nuk dinë si të shfrytëzojnë kohën e tyre, por e digjitalizojnë fëmijërinë e tyre, kohë e cila nuk kthehet më. Fare pak prej tyre dalin e lozin në natyrë e shpikin mjetet për lojë, por luajnë lojëra në celularë. Fare pak nga ata shfletojnë libra qofshin realë, qofshin të digjitalizuar e në vend të tyre zgjedhin të shohin programe telezive aspak të përshtashëm për ta dhe moshën e tyre si: Big Brother, Përputhen etj, ku antivlerat promovohen si vlera, prandaj nuk duhet të na bëjë përshtypje se shumica e fëmijeve sot nuk kanë fjalor të pasur, nuk kanë botë imagjinare, sepse kjo botë fitohet me leximin e përrallave, romaneve, poezive etj. Krijimi i eseve dhe hartimeve paraqet vështirësi, është një lloj sfide për ta pasi e vetmja gjë që dinë është paraqitja e thatë e disa fakteve të kërkuara, por asgjë përtej kësaj. Por çdonjëri nga ata di të tregojë çfarë është Tik-Toku, Snapchati e Instagrami e aplikacione të tjera. Të vjen keq të shohesh se si fëmijët digjitalizohen e vetëbesimi i tyre formohet e varet nga sa pëlqime marrin në foto nëpër rrjetet sociale. Por më së shumti të vret të shohesh se si ata i shklasin mundësitë për të formuar personalitetin dhe karakterin e tyre duke çuar dëm potencialin e tyre, e kjo vetëm e vetëm se nuk dinë si ta menaxhojnë kohën e tyre, si ti shfrytëzojnë si duhet këto burime të digjitalizuara. Vërtët që teknologjika e ka bërë jetën më të mirë, por ajo njëkohësisht është bërë armiku kryesor i njeriut sot!
Donika Lulgjuraj
