Ditë më parë nga shtypi doli libri më i ri me poezi i titulluar “Në horizont” të autores Valbona Bajri. Emri i Valbona Bajrit tashmë është i njohur për lexuesin e poezisë, pasi që ky është libri i saj i katërt me radhë. Për dallim nga tre librat e parë në këtë vistër poezishë, Valbona na paraqitet më serioze dhe poezitë e saj tashmë janë më të formuara dhe përplot me mesazhe. Përmes këtij libri, Valbona Bajri na shpreh qëndrimin dhe marrëdhënien e saj ndaj shoqërisë, ndaj dukurive shoqërore si dhe reagimet e saj ndaj këtyre dukurive. Ajo pikësëpari frymëzohet nga gjendja shoqërore dhe pozita e vështirë e bashkëqytetarëve të saj:
“Humanizëm, drejtësi, vullnet e sinqeritet
E në trotuaret e rrugëve të takojë
Sa më pak njerëz në skamje…”
[Lumturia ekziston]
Mërgimi që është plagë e pashëruar shoqërore gjithashtu është temë që trajton autorja:
“Përshpëriste lokja e mjerë
Të kesh sa të duash
Por të mos presësh askënd të hyjë në derë…”
[Lokja e mjerë], etj.
Duke shprehur ndjenjat e saj të dashurisë dhe keqardhjes, apo protestën e saj, pra Valbona – poetja na paraqitet si interpretuese e marrëdhënies për një jetë më të mirë të njerëzve. Andaj ajo përmes poezisë tenton të sfidojë të gjithë njerëzit e vetëdijshëm politikisht për të ndikuar që të veprojnë në të mirë të vendit dhe avancimit të mirëqenies shoqërore:
“E ata kokëlartit të shohin
Se janë vetëm një hije në diell…”
Poezitë e përmbledhjes “Në horizont” janë artistike, andaj ato edhe krijojnë efekte artistike të fuqishme si dhe ofrojnë kënaqësi të madhe poetike. Poezitë e tilla sigurisht duke ngjallur ndjenja aq të forta, e shtyjnë lexuesin të mendojë dhe ta çojë në përfundime e gjykime për shoqërinë dhe rendin shoqëror.
Valbona Bajri u lind më 1986 në fshatin Çapraj – Ana e Malit. Më krijimtari letrare u mor si nxënëse dhe studente. Kontribuoi më punimet e saj në prozë e poezi në revistat e shkollës “Shkëndijat” dhe “Fillimet”. Si gjimnaziste botoi përmbledhjen më poezi ”Dy sy”. Në vitin 2015 botoi përmbledhjen më poezi “Fol me gjuhën e zemrës”, ndërsa në vitin 2020 botoi përmbledhjen më poezi “Diell pranveror”. Ajo i mbaroi studimet në degën Gjuhë shqipe e letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ky është libri i saj i katërt. Kjo përmbledhje me poezi u mbështet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Gazmend Çitaku
