Të pasionuarit pas sporteve dimërore siç është sporti i skijimit, i cili konsiderohet edhe si sport ekstrem, po presin ende për ta shijuar këtë sport, aventurier, rekreativ dhe argëtues.
Qendrat e ndryshme të skijimit jo vetëm në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe ato të Evropës ankohen për shkak se moti me temperatura relativisht të larta për këtë periudhë kohore nuk po i favorizon pasi që ende nëpër qendra skijimi nuk ka dëborë, ose edhe atje ku mund të ketë një shtresë të lehtë bore, është e pamjaftueshme.
Organizatat turistike të vendeve përkatëse nuk po i favorizon moti që të mund të kenë profit nga ky sport si rëndom në këtë mes të janarit. Nga ana tjetër edhe turistët e shumtë janë të brengosur nga ky fenomen i natyrës, sepse ata mezi presin që të kalojnë ndonjë fundjavë apo ditë tjetër pushimi, për t’u kënaqur dhe për t’u argëtuar nëpër qendra skijimi të cilat nga viti në vit përpiqen që të përmirësojnë kushtet (terrenet sportive), infarastrukturën e përgjithshme në mënyrë që vizitorët të mbeten të kënaqur nga shërbimi i tyre.
Në qendrat e skijimit në Mal të Zi ka mungesë dëbore edhe pse sezoni turistik dimëror në vend është hapur zyrtarisht nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar.
Edhe në Maqedoninë e Veriut ankohen se do të ketë një sezon katastrofik për ta, ashtu siç u shpreh ditë më parë drejtuesi i resortit të skive “Bistra” gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës.
Pra, ashtu siç kanë pohuar ekspertët, mungesa e dëborës vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga vetë njerëzit dhe këto pasoja po i ndjejnë më së shumti pronarët dhe drejtuesit e bizneseve të qendrave të ndryshme të skijimit, por edhe turistët që presin me padurim t’ia mësyjnë dëborës.
Mirëpo, këto temperatura të larta që nuk sollën dëborë e kanë një anë pozitive për të gjithë ata të cilët jetojnë nëpër viset veriore, ku dimri për ta është më i butë e rrjedhimisht edhe jeta bëhet më e lehtë.
Ky mot favorizon banorët të cilët në vendbanimet e tyre merren me blegëtori, pasi që kur nuk ka dëborë kullosat janë të lira e kështu mund t’i ushqejnë bagëtitë e tyre duke kursyer sadopak rezervat ushqimore që i kanë siguruar për to për këtë sezon dimëror.
Nga disa imazhe të cilat i kanë publikuar mediat ditëve të fundit, në shumicën e qendrave të skijimit në Ballkan, Rumani, Bullgari, etj, vihet re që ato janë pothuajse tërësisht pa dëborë. Mediat kanë raportuar se disa shtigje të skijimit në Bjelasnicë kanë qenë të mbyllura më 5 janar, ndërsa edhe vizitorë të shumtë janë larguar.
Shpresojmë që në ditët në vijim do të përmbushën pritshmëritë e qendrave të skijimit dhe të vizitorëve (skiatorëve), ku meteorologët paralajmërojnë reshje intensive të shiut, ndërsa në viset veriore edhe të dëborës.
Kjo tematikë u pasqyrua pak ditë para hyrjes së gazetës në shtyp e cila u botua të enjten më 19 janar 2023.
t. u.
