
Me rastin e Sofrës së Madhe të Kelmendit – sofër që u shtrua të shtunën më 17 dhjetor 2022 në lagjën Bronks të Nju Jorkut, përkujtoj kreshnikun trim të Malësisë së Madhe dhe heroin trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshnikun e maleve, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri, Prekë Calin – Nderi i Kombit. Prekë Calin, të parin e Kelmendit i cili bashkë me malësorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të atdheut. Fillimisht kundër Perandorisë Osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe në fund të jetës së tij ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri. Kujtojmë Prekë Calin, bashkëpunëtorin e qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar nga Ahmet Zogu dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu – Prekë Calin të cilit as varri nuk i dihet.
Një përshëndetje për Sofrën e Madhe vjetore të Kelmendit, kësaj kalaje të vjetër! Por kur përmendet Kelmendi, qoftë në gëzime e festa, qoftë në vuajtje, nuk mund të anashkalohet emri i Prekë Calit. Nuk mund të ndodhë që të mos përmendet veprimtaria patriotike dhe sakrificat personale të tij, të këtij burri të madh me cilësi të larta e të rralla prej malësori.
Me të drejtë Prekë Cali është quajtur nga vendasit “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë.
Në këtë sofër të madhe gëzimi kelmendase këtu në Nju Jork, me këngë e valle, përkujtojmë edhe Prekë Calin, këtë burrë malësor, megjithëse pa asnjë ditë shkollë emri i tij u bë i njohur në kryeqendrat e politikës evropiane të kohës. “Vërtetë jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Prëka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars1945, krah për krah me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.
Përkujtojmë Prekë Calin, malësorin dhe shqiptarin e madh, i cili luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqve të kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.
Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të terësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga këthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.
Përkujtojmë Prekë Calin e Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrërisë, të mikpritjes e bujarisë, gjithmonë sypatrembur ndaj armikut.
Përkujtojmë Prekë Calin i cili gjithë jetën ia kushtoi jo vetëm mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqipërisë, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili dha edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqipëri. Vrasja nga komunizmi i patriotëve shqiptarë si Prekë Cali, harresa dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare, duhet të shqetesojë ndërgjegjen e çdo shqiptari, edhe sot 30 e sa vjet pas shembjes së komunizmit.
Përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe antikomunistin i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari, Prekë Cali i është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.
Përkujtojmë Prekë Calin, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjeja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat më të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një rezistencë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik, i huaj për shqiptarët, kriminal për nga natyra e morali që iu imponua shqiptarëve.
Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëzohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, rrnoft populli shqiptar. Heret ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.
Përkujtojmë pra Prekë Calin edhe si simbol i gjakut të derdhur, në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkluftëtarët e tij, shumë prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu, si edhe për mijëra martirë nacionalistë anti-komunistë, anembanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.
Prandaj, le të bashkohemi sonte në përkujtimin e këtij burri të madh, tri dekada pas shembjes së komunizmit enverist dhe atij ndërkombëtar e të shpresojmë që më në fund të peshohet mirë dhe drejt e vërteta historike, e cila është aty për t’u zbuluar dhe vetëm asaj t’i jepet arsyeja, ashtuqë heronjëve si Prekë Cali, më në fund, t’u kthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon patriotëve të vërtetë si ai, në historinë e kombit.
Duke kujtuar burrat si Prekë Cali, ne përsërisim premtimin e vazhdimit të atdhedashurisë së vërtetë dhe punës në favor të çështjes kombëtare dhe në të njëjtën kohë, mundësisht të përshpejtohet distancimi nga trashëgimia e regjimit diktatorial komunist që pushkatoi patriotë – mbrojtës të kufijve të Shqipërisë, si Prekë Calin.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit! Nder e lavdi veprës dhe qëndresës së tij anti-sllave dhe anti-komuniste në shekuj!