
Faktorët natyrorë, kombëtarë, arsimorë dhe kulturorë në lidhjet e përbashkëta Shkodër – Ulqin
Lidhja e Shkodrës me Ulqinin, dy nga qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut që u themeluan nga qytetërimi pellazgo-ilir është shumë e hershme. Dy qytetet kanë ruajtur prej shekujsh emrat e vjetër deri në ditët e sotme Scodra dhe Olciniumi. Disa nga faktorët që i lidhin këto dy qytete janë:
- Vazhdimësia e autoktonicitetit ilir në të gjithë bregdetin perëndimor të Ballkanit në brigjet e Adriatikut, duke trashëguar së bashku etnicitetin, gjuhën, traditat, dialektin gegë dhe kulturën.
- Afërsia gjeografike por edhe deti nëpërmjet komunikimit të lumit Buna si ure lidhëse me zhvillimin perëndimor dhe shkëmbimet me të në të gjitha fushat. Ky faktor lidhës do të ishte një urë e favorshme bashkëpunimi dhe bashkëveprimi.
- Luftërat për të ruajtur hapësiren veriore dhe veriperëndimore nga armiqtë e përbashkët çimentuan lidhjet vëllazërore, rritën ndjenjën e nje atdheu të përbashkët dhe koordinuan veprimet e njerëzve patriotë dhe intelektualë më të shquar të dy vendeve.
- Bashkëpunimi në fushën e tregtisë, intensifikimi i të cilit rritet pas dorëzimit të Ulqinit nga ana e Perandorisë Osmane Malit të Zi, do rriste lidhjen e firmave të fuqishme tregtare të Shkodrës dhe kapidanëve ulqinakë në bazë të ndihmës dhe leverdishmërisë reciproke në disa fusha.
- Bashkëpunimi në fushën e arsimit, sidomos në vitet 1941-1942 shërbeu për herë të parë për të vendosur bazat e arsimit shqip në trevat shqipfolëse të Malit të Zi, duke sjellë historinë dhe kulturën shqiptare në edukimin e brezit të ri.
- Lidhjet me familjet, dhënia dhe marrja e bijave do të sheshonte edhe traditat e veçanta për të harmonizuar të përbashkëtat. Kjo do rriste komunikimin në mes të familjeve në drejtim të njohjes, përcjelljes dhe konsolidimit të trashëgimise tradicionale në të gjitha fushat.
- Toleranca dhe harmonia fetare e popullit shqiptar e në mënyrë të veçantë e popullit ulqinak dhe shkodran, kanë rritur lidhjet e bashkëpunimit në mes të komuniteteve fetare të ndryshme në të dy qytetet dhe në të gjitha fushat e zhvillimit shoqëror në veprimtaritë kombëtare, ekonomike dhe kulturore. Lufta për mbrojtjen e Ulqinit, ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar me 14.6.1941 në Kishën e Shën Zefit (Mal të Bardhë), mblodhi bashkë të gjithë komunitetet pa dallime fetare. Kështu firmat Çoba – Bianki paten pronësi të përbashkët në shumë anije ku drejtuesit e tyre ishin kapedanët ulqinakë myslimanë.
Shkodra ka qenë e lidhur shumë heret me Ulqinin por edhe me Tivarin nëpërmjet rrugëve antike tokësore dhe ujore. Tivari nuk hynte në radhën e përshtatshme të tregëtisë së madhe në Adriatik. Justiniani madje nuk e përshkruan fare si port, por si një “breg”. Anijet arbëre prej Tivarit e Ulqinit lundronin deri në Raguzë e në portet e Puljes. Prej Tivarit mund të zgjedheshin tri rrugëkalime: ose merrje rrugën që i binte përqark Liqenit të Shkodrës, ose të përshkoje përmes liqenit me një varkë, ose të merrje rrugën e bregut nepër Dobre Vode (Ujmirë), deri në Ulqin. Në variantin e fundit, përshkonte tokën moçalore të Zogajve dhe Shasin (Suacium), kalonte nëpër krahinën e Anës së Malit, për anë të Taraboshit e mbërrije në Shkodër. Pjesa më e madhe e qarkullimit në tokë që kryhej patjetër prej fshatarësh, barinjsh e tregtarësh të vegjël, kalonte nga shtigjet bregdetare prej Ulqinit, nëpër Dobre Vode në Tivar, nëpër Suterman që lidhte me tokë Adriatikun me Liqenin e Shkodrës në rrugët e Koplikut, Balezos dhe Drishtit për në Shkodër, e sidomos prej Shëngjergjit në Shkodër. Kështu rruga antike tokësore Ulqin -Shkodër ishte ajo që kalonte nëpër Shas me itinerar Ulcinium – Svacium – Scodra.
Në mënyrë të përmbledhur para Luftës së Dytë Botërore nga Liqeni i Shkodrës deri në grykëderdhjen e Lumit Buna, kanë ekzistuar 8 vendkalime kufitare Skje – Zogaj, Kravar-Shtuf, Sukubinë – Mugrigan, Sukubinë – Goricë, ndërsa në Lumin Buna ishin Fraskanjel – Belaj, Shëngjergj – Prekalë, Reç – Luarzë dhe Shënkoll – Pulaj.
Sot Tivari dhe Ulqini lidhen me Shkodrën nëpërmjet rrugëve tokësore ku më kryesoret janë: Tivar – Katërkollë – Sukubinë – Shkodër (e ndërtuar që në vitin 1916-1918), Ulqin – Katërkollë – Ostros, Ulqin – Katërkollë – Shkodër. Për zonën kufitare Shkodër – Ulqin, vendkalimi Sukubinë – Muriqan ka rëndësi të veçantë sepse është vendi që lidh këto dy qytete me gjatësi 38 km dhe mundëson një komunikim ditor. Zona kufitare Ulqin – Shkodër është pjesë përbërëse e zonës kufitare Mal i Zi – Shqipëri me gjatësi 172 km. Në kuadrin e kësaj zone kjo hapësirë është specifike sepse e tëra është në kuadër të Lumit Buna,e vetmja vijë ujore që e lidh Liqenin e Shkodrës më detin Adriatik.
1.Zenepe Dibra “Lidhjet historike mes Shkodrës dhe Ulqinit”
2.Nail Draga “Etnia dhe hapësira”, Ulqin, 2017
Ky 28 Nëntor i vitit 2022 shënon vitin e 10-të të organizimit të Maratonës së Pavarësisë Shkodër – Ulqin dhe Ulqin – Shkodër. Në këtë maratonë e cila u rikthye pas ndërprerjes për dy vite për shkak të pandemisë, morën pjesë vrapues nga shumë shtete të Evropës.
E veçanta e Maratonës ishte se nxënësi i Shkollës Fillore “Bedri Elezaga”, Ubejd Tula (klasa 9), mori pjesë në këtë Maratonë dhe në këtë mënyrë nderoi jo vetëm familjen që e rriti e edukoi, por edhe shkollën, mësimdhënësit dhe vendin e vet. Ubejdi u bë në këtë mënyrë një shembull për të gjithë bashkëmoshatarët e vet.
Biografia
Ubejd Tula është nxënës i dalluar i Shkollës Fillore“Bedri Elezaga” – Katërkollë. U lind më 22.10.2007. Në vitin 2014 filloi mësimin ne klasën e parë në fshatin Rashtishë. Prej klasës se parë ai u shqua si nxënës i shkëlqyer duke arritur kështu suksese të mira në mësime dhe për këtë ai u shpërblye për gjashtë vite me radhë nga Këshilli i Mësimdhënësve si nxënësi më i mirë i klasës. Po ashtu vlen të theksohet se përveç mësimit angazhohet edhe në aktivitete të ndryshme fizike dhe edukativo-arsimore. Hobi i tij është futbolli. Ishte lojtar i Klubit Futbollistik “Otrant Olympic” gjatë viteve 2021-2022, ku mori pjesë në të gjitha ndeshjet që zhvilloi ky ekip në qytetet e Malit të Zi. Po ashtu është aktiv edhe në garat e vrapimit, ku përveç suksesit që ka arritur në garat e shkollës ai ka perfaqësuar Shkollën “Bedri Elezaga” edhe në gara jashtëshkollore. Vlen të përmendet gara e vrapimit me rastin e festës se 7 Marsit – Ditës së Mësuesit. Në Ulqin vitin e kaluar u organizua një garë me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të ndryshme nga Mali i Zi. Në këte garë Ubejdi perfaqësoi Shkollën ,,Bedri Elezaga” dhe arriti të siguronte vendin e dytë. Këtë vit Ubejdi mori pjesë edhe në Maratonën Shkodër – Ulqin, që u mbajt më 28 nëntor me rastin e Festës së Flamurit. Në këtë Maratonë ai ishte pjesëmarrësi më i ri, dhe përkundër këtij fakti arriti ta përfundojë atë me sukses. Po ashtu vlen të theksohet pjesëmarrja e Ubejdit në turneun e futbollit që organizon për çdo vit Liga e Anës së Malit. Ai mori pjesë për herë të parë në këtë turne dhe vitin e kaluar fitoi titullin “Golashënuesi më i mirë i vitit”. Përveç aktiviteteve shkollore merr pjesë edhe në aktivitete të fushave të ndryshme jashtëshkollore. Këtu vlen të përmendim pjesëmarrjen e tij ne garat e mësim-besimit që mbahen çdo vit në Podgoricë, ku në vitin 2018 në mesin e një numri të madh garuesish ai nxuri vendin e tretë.
Falënderim i posaçem për Ubejdin
Themeluesi i Maratonës Ulqin – Shkodër dhe Shkodër – Ulqin, z.Guri Muça, i cili edhe këtë vit mori pjesë të, i dhuroi Ubejdit dhurata të veçanta në shenjë falënderimi për pjesëmarrje në Maratonë.
Maratonat bashkojnë kultura, njerëz, qytete dhe shtete!
E gëzofshin breznitë!
