Apel për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore-historike

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, brezave të ardhshëm nuk do të kemi se çfarë t’u tregojmë dhe për çfarë të krenohemi për dëshminë e lashtësisë tonë, kur të mos kemi ndonjë monument me të cilin mund të krenohemi. Apeloj që të mbrojmë monumentet”, tha arkeologu Anton Lulgjuraj

Tuz – Organizata Joqeveritare “Labeatët” hapi të premtën, më 9 dhjetor 2022 ekspozitën e titulluar: “Trashëgimia kulturore-historike në Malësi, nga perspektiva e shqiponjës”.
Në këtë ekspozitë ku u prezantuan disa dhjetëra fotografi nga trashëgimia kulturore, historike e natyrore e Malësisë ku u tha se monumentet në territorin e Komunës së Tuzit të cilat kanë një shtrirje gjeografike të gjerë, ndodhen para një rreziku të madh nga dhëmbi i kohës, por edhe nga faktori njeri.
Kryetari i OJQ-së “Labeatët”, njëherësh gjeograf, Luigj Camaj bëri të ditur se kohëve të fundit jemi dëshmitarë të zhdukjes nga faqja e dheut të një numri të madh të monumenteve.
“Veç në shek XX janë zhdukur me themel shtatë kisha. Zhdukjet apo shkatërrimet po përcillen edhe në shek XXI, kur ne duhet të jemi më vigjilentë, më të vetëdijshëm e më të kujdesshëm. Jo shumë kohë para kësaj nate (para një muaji), numri i monumenteve të Malësisë është për tri monumente më pak”, u shpreh Luigj Camaj.
Ai shtoi se organizimi i kësaj ekspozite ka për qëllim ndërgjegjësimin e masës për të ruajtur pasuritë me të cilat disponon Malësia ndër shekuj, e të cilat siç tha po dëmtohen edhe me makineri të fuqishme, eskavator.
“Ky është një krim, sepse dikush ato objekte i ka punuar me sakrifica dhe mund për të na i lënë ne që jemi pasardhësit e tyre sot”, theksoi Camaj.
Ndërkohë, arkeologu Anton Lulgjuraj duke folur mbi këtë ekspozitë tha se synimi është ndërgjegjësimi i popullatës vendase kundrejt monumente, përkatësisht mosdëmtimit të tyre.
“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, brezave të ardhshëm nuk do të kemi se çfarë t’u tregojmë dhe për çfarë të krenohemi për dëshminë e lashtësisë tonë, kur të mos kemi ndonjë monument me të cilin mund të krenohemi. Apeloj që të mbrojmë monumentet”, tha arkeologu, Anton Lulgjuraj.
Ai tha se përmes një droni që u ka dhuruar një bashkëvendës nga SHBA, kanë arritur që t’i fotografojnë këto monumente që t’i shohim sot përmes kësaj ekpozite, “sepse ku i dihet fati i tyre pas dhjetë, njëzetë apo tridhjetë vitesh”, u shpreh Lulgjuraj.
Ai u bëri thirrje institucioneve lokale dhe qëndrore që të ndërmarrin masa për t’u kujdesur më tepër për trashëgiminë kulturore-historike dhe natyrore të trevës së Malësisë.
OJQ “Labeatët”, është themeluar më 01 shkurt të vitit 2013 në Tuz, me qëllim për të ruajtur, avancuar, mbrojtur, promovuar dhe përkujdesur për trashëgiminë natyrore, gjeografike, kulturore e historike të hapësirës gjeografike në të cilën jetonte fisi i labeatëve.
Nga trashëgimia natyrore OJQ “Labeatët” deri më sot kanë lokalizuar, evidentuar dhe vizituar mbi 100 shpella. Janë hulumtuar gjashtë shpella dhe tri humnera.
Nga trashëgimia kulturore e historike, janë evidentuar me dhjetëra fortifikime ilire, më se 150 tuma (varreza) ilire dhe më se 30 rrënoja kishash.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat