Nëntori i krenarisë kombëtare

Shënimi i Ditës së Flamurit - 28 Nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë te shqiptarët në Mal të Zi ka filluar që nga viti 1991 nga partitë politike dhe shoqëria civile, ndërsa nga viti 2008 organizohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, duke mbetur festa që i bashkon shqiptarët si në vend ashtu edhe në diasporë, duke përkujtuar me pietet e nderim të gjithë ata që kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar

Nail Draga

Zonja dhe zotërinj,
të nderuar pjesëmarrës!

Të rrallë janë ata popuj që kanë një datë në historinë e tyre kombëtare siç janë shqiptarët, datë kjo historike e cila lidhet me identitetin dhe krenarinë kombëtare. Kujtesa historike na shpie në Krujën legjendare, na kujton 28 nëntorin e vitit 1443 dhe na ngjallë fuqishëm epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili për një çerek shekulli mbrojti jo vetëm lirinë dhe nderin e shqiptarëve, por edhe civilizimin evropian. Prandaj, heroi ynë kombëtar me kohë i ka kaluar përmasat e historisë kombëtare dhe është bërë pjesë e historisë botërore.
Por pas kësaj periudhe të lavdishme, shqiptarët përjetuan plot vuajtje e sakrifica, me ngritje e zbritje, por arritën ta ruajnë identitetin kombëtar. Në këto kohëra të robërisë dhe të mbijetesës, edhe flamurin kombëtar e rrëmbeu vala shkatërrimtare. Kur armiqtë tanë menduan se ai treti përjetë, ngjau katarza në zemrat tona. Patrioti Faik Konica duke hulumtuar në histori, e rizbuloi dhe pas katërqind e ca vitësh sërish valoi Flamuri i Skënderbeut.
Pas Nëntorit të Parë, përkulemi me respekt të thellë para emrit dhe veprës së plakut të mençur të Vlorës, Ismail Qemalit i cili më 28 nëntor 1912, ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, që në histori njihet si Nëntori i Dytë.
Festën e Flamurit që është dita më e rëndësishme e historisë kombëtare, mjerisht nuk e gëzuan të gjitha trojet shqiptare, sepse në saje të vendimeve të padrejta në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, jashtë shtetit të sapoformuar shqiptar mbeten më së gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare, të cilat u aneksuan nga shtetet fqinje.
Edhe pse për këto 110-vite në periudha te ndryshme shqiptarët jashtë kufijve politikë të shtetit amë përjetuan vuajtjet, persekutimet, diskriminimin dhe ekzodet biblike, ata megjithë reduktimin e vazhdueshem të numrit dhe të territorit të tyre mbijetuan, duke u përpjekur vazhdimisht të konsolidohen dhe të avancojnë të drejtat kombëtare.
Kosova nga viti 2008 është shtet i pavarur, por ende pa konsolidim të pushtetit në tërë territorin e vet.
Shqiptarët ne Maqedoni të Veriut dhe në Luginën e Preshevës, pas luftës së tyre për barazi kombëtare, janë në pritje të realizimit në praksë të kësaj barazie.
Shqiptarët në Mal të Zi angazhohen për avancim të statusit të tyre politik si dhe integrimin e tyre me identitet kombëtar.
Shqiptarët në Çamëri janë pothuaj të harruar, por në kërkim të vazhdueshëm për njohjen e ligjshme të tyre mbi pronat dhe trojet e veta kombëtare.
Ndërsa diaspora shqiptare e shpërndarë anekënd botës paraqet ndërgjegjen tonë kombëtare, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke e ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare sidomos në vitet 1991-1999, andaj meriton nderim te vazhdueshëm.
Shqiptarët kur kremtojnë Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin, përkatësisht Pavarësinë e Shqipërisë, paraqiten të bashkuar, por të tillë duhet të jenë vazhdimisht, sepse çështja kombëtare nuk është çështje private, partiake apo e klaneve të ndryshme, sepse kombi, gjuha e flamuri kombëtar shqiptar mbeten mision i përjetshëm i botës shqiptare.
Të ndëruar pjesëmarrës, janë të rrallë ata individë që mund ta kenë ditëlindjen e tyre me datat madhore të historisë së kombit, por në këtë rast kemi një përjashtim, sepse Dita e Flamurit – 28 Nëntori përkon me ditëlindjen e Adem Jasharit, komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai me aktin madhor të flijimit të tij dhe të tërë familjes, vulosi fitoren e shqiptarëve me ç’rast nisi një erë e re për shqiptarët duke i dhënë kuptim ardhmërisë së lirë të qytetarëve të Kosovës.
Dita e Flamurit – 28 Nëntori, është datë historike dhe emblemë e fuqishme e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, andaj si e tillë është festa e të gjithë shqiptarëve.
Në këtë ditë të shënuar, shqiptarët si ne trojet e tyre etnike dhe ne diasporë, kujtojnë me pietet dhe nderim të thellë të gjithë ata që kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar.
Eshtë kjo festa e shenjtë kombëtare që i bashkon shqiptarët rreth Flamurit të përbashkuar, si në Himnin Kombëtar.
Ju faleminderit dhe gëzuar festën!
(Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit në Ulqin më 28 nëntor 2022)

Të fundit

më të lexuarat