Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Komuna e Ulqinit kanë shënuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me një program festiv që është mbajtur të hënën mbrëma në Qendrën për Kulturë.
Në emër të organizatorit, të pranishmit i kanë përshëndetur Dr. Nail Draga, kryetar i Komisionit për Kulturë, Media dhe Sport pranë KKSH-së, dhe nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella, të cilët kanë folur për rëndësinë e kësaj date historike për shqiptarët.
Në fjalën e tij, Dr. Nail Draga ka thënë se të rrallë janë ata popuj që kanë një datë në historinë e tyre kombëtare, siç janë shqiptarët, datë kjo historike e cila lidhet me identitetin dhe krenarinë kombëtare.
“Kujtesa historike na shpie në Krujën legjendare dhe na kujton 28 nëntorin 1443 dhe na ngjallë fuqishëm epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili për një çerek shekulli mbrojti jo vetëm lirinë dhe nderin e shqiptarëve, por edhe civilizimin evropian”, ka thënë ai.
Pas kësaj periudhe të lavdishme, sipas Dragës, shqiptarët përjetuan plot vuajtje e sakrifica, me ngritje e zbritje, por arritën për ta ruajtur identitetin e tyre kombëtar.
“Në këto kohëra të robërisë dhe të mbijetesës, edhe flamurin kombëtar e rrëmbeu vala shkatërrimtare. Kur armiqtë tanë menduan se ai treti përjetë, ngjau katarsa në zemrat tona”, ka thënë ai.
Draga ka theksuar se Festën e Flamurit, si ditën më të rëndësishme të historisë kombëtare, “mjerisht nuk e gëzuan të gjitha trojet shqiptare, sepse në saje të vendimeve të padrejta në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, jashtë shtetit të sapoformuar shqiptar mbetën më shumë se gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare, të cilat u aneksuan nga shtetet fqinje.”
Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella, ka thënë se që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 1912, “shqiptarët kudo janë e kanë mbajtur lart e me krenari Flamurin Kombëtar, që është simbol i unitetit, paqes dhe dashurisë së përjetshme mes nesh.”
Ai ka thënë se Dita e Flamurit – 28 Nëntori “është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht se ku jeton e punon. Kjo ditë na përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kemi bërë gjatë gjithë historisë për të ruajtur të paprekshme frymën e qenies sonë kombëtare.”
Sellaj ka theksuar se kjo është një ditë e shenjtë për çdo shqiptar.
Nënkryetari i Komunës së Ulqinit ka thënë se festimi i Ditës së Flamurit në Ulqin “është një takim i ngrohtë, miqësor, mbresëlënës, që shuan mëritë dhe mllefet ndaj njëri-tjetrit, sepse Pavarësia u përket të gjithëve.”
Pjesa qendrore e programit festiv ka qenë koncerti i Ansamblit Popullor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit nga Tirana.
Po ashtu, më herët është shfaqur filmi dokumentar “Hasan Prishtina, ideolog i çështjes kombëtare”, kurse në galerinë e Qendrës për Kulturë është hapur ekspozita e piktorëve të qytetit të Ulqinit, ku punimet e tyre i kanë paraqitur piktorët Bilal Nikeziqi, Naser Hasa, Vahida Hasanaga – Nimanbegu, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Jozo Koçoviq dhe Edin Kapllani.
i. k.
Rikthimi i Maratonës së Pavarësisë
Pas dy vitesh, për shkak të pandemisë, është rikthyer Maratona e Pavarësisë Ulqin – Shkodër, e nisur në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Edhe këtë edicion fitues është shpallur kampioni i Shqipërisë, Ilir Këllezi. Pas tij është renditur Bledar Mesi nga Shqipëria, kurse vendin e tretë e ka zënë Ragmi Ibrahimi nga Presheva.
Në kategorinë e femrave, vendin e parë e zuri Belinda Ruçaj, vendin e dytë Zhaneta Ruçaj, kurse vendin e tretë Shpresa Hasanaj.
Organizatori ndau mirënjohje për Ubeit Tulën, vrapuesin më të ri të edicionit të sivjetshëm të Maratonës së Pavarësisë, e cila këtë vit u zhvillua në drejtimin Shkodër – Ulqin dhe tuboi rreth 25 vrapues.
