Ulqin – Në Galerinë e Qendrës për Kulturë – Ulqin të shtunën (26 nëntor 2022) është përuruar libri “Miniera e Trepçës në Stantërg gjatë shekullit XX” i autorit Mustafë Haziri.
Libri është botuar para disa ditësh nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dhe përbën punimin e doktoratës së autorit. Në këtë botim shkencor, autori na njeh me një historik të shkurtër të Minierës së Trepçës në Stantërg, aktivitetet minerare në periudhën iliro-romake, në mesjetë, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, periudhën midis dy luftërave botërore, hulumtimet e para të britanikëve në Minierën e Trepçës dhe kompaninë “Trepça Mines Limited”, fillimet e lëvizjeve punëtore në Trepçë dhe grevat e minatorëve të Trepçës, bisedimet britaniko-jugosllave rreth pronësisë së Trepçës etj. Pra, qëllimi i autorit në këtë studim është që të trajtojë në mënyrë historiko-shkencore zhvillimet në Minierën e Trepçës në Stantërg, me fokus në shekullin XX, kur interesimi i shteteve të zhvilluara ka qenë mjaft i madh për të investuar në Trepçë.
Në fjalën e tij, autori Haziri ka thënë se ashtu sikur historinë që e ka profesion dhe pasion, ashtu edhe Trepçën e ka pasion.
“Domethënë, dëshira ime për t’u njohur me pasuritë nëntokësore të vendit ku jetoj ka qenë e kahershme”, ka theksuar ai.
Haziri ka thënë se në aspektin historiografik është munduar që në këtë libër të bëjë një vështrim shumëdimensional të zhvillimeve në Trepçë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin politik, social e pse jo edhe strategjik.
“Sepse të gjitha Fuqitë e Mëdha kanë pasur interesa dhe e kanë shfrytëzuar Trepçën në periudha kohore të ndryshme”, ka deklaruar ai.
Autori ka thënë se rëndësia e Trepçës shihet me hulumtimin e anglezëve, me ardhjen e të cilëve në vitin 1927 Trepça fillon të eksploatohet në mënyrë moderne.
Haziri ka folur për fakte dhe të dhëna statistikore që janë pjesë e librit të tij.
“Duke marrë parasysh se zhvillimi politik ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të Trepçës, dhe Trepça si gjigant ekonomik ka ndikuar në zhvillimin e Jugosllavisë, asnjë kredi pa u nënshkruar firma e Trepçës nuk kanë mundur ta marrin jugosllavët”, ka thënë ai.
Autori ka treguar se llogaritet që dikur Trepça i ka pasur mbi 22 050 punëtorë, që dëshmon se ka qenë një gjigant ekonomik.
Sipas tij, në Trepçë gjithmonë ka dominuar elementi shqiptar, qoftë gjatë sundimit serb, osman, ilir, kurse udhëheqja nga ana e pushtuesit.
“Kur ka qenë nën sundimin jugosllav, mbi 68 për qind ose 70 për qind e udhëheqësve të Trepçës kanë qenë të nacionalitetit serb, ndërsa mbi 90 për qind e krahut të punës kanë qenë shqiptarë”, është shprehur Haziri.
Duke folur për rëndësinë e Trepçës në zhvillimet politike në Kosovë, autori ka thënë se demonstratat e vitit 1968 dhe të vitit 1981 filluan një lëvizje ose një ngritje ideologjike dhe politike të masave popullore në Kosovë.
“Por më interesante dhe më të rëndësishme e bën hyrja e minatorëve në zgafellë. Paramendojeni kur 1300 minatorë kanë hyrë në zgafellë në një thellësi deri në 1000 metra, vetëm e vetëm për të mbrojtur identitetin juridik, shtetëror të Kosovës – Kushtetutën e vitit 1974”, ka thënë Haziri.
Në vështrimin e tij për librin, Hajrullah Hajdari ka theksuar se përdorimi i dokumenteve arkivore, të botuara e të pabotura, referencat akademike e publicistike, i japin këtij libri karakter të fortë shkencor.
Sipas tij, është përgjegjësi e madhe të shkruash për rolin e madh ekonomik dhe historik që ka pasur Trepça në të kaluarën e saj, sidomos për popullin shqiptar të Kosovës.
Hajdari ka thënë se bazuar në dokumentet e përdorura, autori vërteton se eksploatimi modern i Trepçës filloi në vitin 1927, kohë në të cilën fillon jetën Trepça e sotme.
“Të gjitha këto shënime koncize të cilat i prezanton autori në librin që po e prezantojmë sonte tregojnë se sa e rëndësishme ishte ‘Trepça’ për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies sociale në Kosovë nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër ‘arsyeton’ veprimet e pushtetit jugosllav për mbizotërimin e Trepçës”, ka thënë ai.
Hajdari ka theksuar se kushdo që dëshiron të sjellë kujtesën dhe të zgjerojë njohuritë për grevën e minatorëve të Trepçës si një ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar, duhet të lexojë librin e Hazirit.
Kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë në fjalën përshëndetëse se krahas botimeve të veta kjo shoqatë merret me organizimin e përurimit të librave me peshë kombëtare, siç është libri i autorit Mustafë Haziri.
Ai ka thënë se duhet vlerësuar autorin që ka zgjedhur për të trajtuar Minierën e Trepçës, një temë shumë aktuale për të gjitha kohërat, po ashtu një temë që është jo vetëm historike, por edhe ekonomike, politike, gjeostrategjike etj.
Udhëheqësja e përurimit, Liriona Mehmeti, ka lexuar pjesë nga recensionet e Prof. dr. Muhamet Malës dhe Prof. dr. Sabile Keçmezi – Bashës.
Përurimi i librit është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Qendra për Kulturë – Ulqin.
i. k.
