U shfaq filmi dokumentar “Hasan Prishtina, ideolog i çështjes kombëtare”

Filmi dokumentar “Hasan Prishtina, ideolog i çështjes kombëtare” është prodhim i Shoqatës për Parandalimin e Largimit të Rinisë nga Kosova “Hasan Prishtina”. Skenaristë të filmit janë Dibran Fylli dhe Asllan Qyqalla, regjinë e ka punuar Dibran Fylli, kurse producent është Jahja Lluka

Ostros – Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Shoqata “Kraja” – dega në Krajë shënuan të dielën mbrëma në Shtëpinë e Kulturës në Ostros 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i degës së Shoqatës “Kraja”, Valmir Arbneshi, ka thënë se ekzistojnë disa data të rëndësishme për kombin tonë, të cilat duhen t’i bashkojnë të gjithë shqiptarët, pa dallime, siç është 28 Nëntori – Dita e Flamurit.
Ai ka folur për veprimtarinë e Shoqatës “Kraja”, me seli në Nju Jork të SHBA-së, dhe ka premtuar se kjo shoqatë përpos aktiviteteve tradicionale, siç janë ndarja e bursave për studentët krajanë, organizimi i Ditës së Diasporës, “do të jetë mbështetëse, pse jo edhe nismëtare e të gjitha festimeve, manifestimeve apo aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe sportive që do të zhvillohen në Krajë”.
Arbneshi ka theksuar se dyert e Shoqatës “Kraja” janë të hapura dhe duart të shtrira për bashkëpunim me të gjithë.
Ai ka falënderuar LD në MZ-në për bashkëpunimin në kremtimin e Ditës së Flamurit.
Kryetari i LD në MZ-së, Saubih Mehmeti, ka thënë se sado që të flasësh për rëndësinë e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, është e pamjaftueshme.
“Historia nuk ndryshon, por ajo vetëm pasurohet me zbulime të reja e ngjarje të reja”, ka thënë ai.
Më tej Mehmeti ka theksuar se më 28 Nëntor të gjithë shqiptarët në trojet e tyre etnike dhe kudo jetojnë e punojnë në botë, kremtojnë me krenari dhe emocion Ditën e Flamurit dhe Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Më 28 Nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-ës që ndodhi në Vlorë, ku u ngrit flamuri kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave dhe për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përpararuara të botës”, është shprehur ai.
Mehmeti ka theksuar se 28 Nëntori na nxit të meditojmë për fatet historike të kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe fatet e çdo shqiptari.
Ai ka thënë se “shqiptarët kudo që janë duhet të përbashkohen rreth flamurit kuq e zi dhe si të tillë të punojnë me të gjitha kapacitetet për forcimin e faktorit shqiptar, në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, në trevat e tyre etnike në rajon e më gjerë”.
Për të pranishmit është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Hasan Prishtina, ideolog i çështjes kombëtare”, prodhim i Shoqatës për Parandalimin e Largimit të Rinisë nga Kosova “Hasan Prishtina”. Skenaristë të filmit janë Dibran Fylli dhe Asllan Qyqalla, regjinë e ka punuar Dibran Fylli, kurse producent është Jahja Lluka.
Duke iu drejtuar publikut pas shfaqjes së filmit dokumentar, kryetari i Shoqatës për Parandalimin e Largimit të Rinisë nga Kosova “Hasan Prishtina” ka thënë se duhet ta ndjekim rrugën e Hasan Prishtinës dhe megjithëse nuk është e lehtë, të qëndrojmë në vendet tona.
Ai ka thënë se “nuk e kemi rrumbullakësuar as ideologjinë e Hasan Prishtinës, as përpjekjet e shumë atdhetarëve tanë”.
Lluka ka prezantuar të dhëna shqetësuese për emigrimin e shqiptarëve, që i referohen Eurostatit, sipas të cilit në dhjetëvjetëshin e fundit nga trojet shqiptare janë shpërngulur 1.5 milion shqiptarë.
“Nëse edhe për dhjetë vjet shpërngulen 1.5 milion shqiptarë, po realizohen programet antishqiptare që nga Naçertania deri tek Akademia e Shkencave e Serbisë”, ka thënë ai.
Të pranishmëve iu është drejtuar edhe Mehmet Bardhi, kryetar i nderit dhe ish-kryetar i LD në MZ-së, kurse skenaristi e regjisori Dibran Fylli ka interpretuar një monolog. Po ashtu disa nxënës kanë lexuar poezi kushtur 28 Nëntorit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat