Ikja e rinisë dhe braktisja e vendit, këmbanë zgjimi

Tuz – Aktorë të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, shfaqën në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” komedinë e zezë “Pak pakt”, të autorit dhe regjisorit Ledian Gjeci.
Shfaqja në fjalë është një tekst i ri dhe bashkëkohor, i vendosur së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, dhe është vlerësuar nga komuniteti artistik si evoluim i dramës shqipe.
Kjo komedi trajton temën e ikjes së rinisë, të braktisjes së vendit për një jetë më të mirë, e cila është një problematikë e thekshme e shoqërisë sonë.
“Dhe si për ironi të fatit, subjekti trajtohet në mënyrë komike dhe argëtuese, deri afër ngjarjes deçizive kur komikja kthehet në tragjike dhe ku e qeshura të ngrin në fytyrë, e ku realiteti të godet fort si një këmbanë zgjimi për çdokënd që shikon shfaqjen. Me këtë pjesë teatrale do t’ju flasë shqiptarëve shqip dhe qartë”, thuhet në përshkrimin e kësaj komedie.
Komedia e zezë “Pak pakt” zgjati plot një orë e pesëdhjetë minuta dhe u mirëprit dhe u duartrokit ngrohtësisht nga publiku i pranishëm në sallë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat