Tuz – Piktorja nga Ulqini, Mersiha Rasulbegoviq- Mavriq, ka hapur të premtën, më 25 nëntor 2022 në QKI “Malësia” në Tuz, ekspozitën e saj personale të titulluar “Rrugëtim në kaltërsi“, të cilën zyrtarisht e shpalli të hapur, Prof. Pavle Pejoviq.
Përpara një numri të konsiderueshëm të publikut, piktorja Rasulbegoviq-Mavriq përmes kreativitetit të saj artistik, shpalosi një sërë mesazhesh asociative që janë në një transformim të vazhdueshëm e të gjallë.
E udhëhequr nga realja e cila transformohet në të padukshmen dhe magjinë, zonja Mersiha ndjek ngjyrën blu për të cilën thotë se ajo ngjyrë nuk ka dimensione, ajo shkon përtej kufijve. Për piktoren, kjo ngjyrë përfaqëson ajrin, ujin dhe magjinë, por siç thotë ajo, e kaltërta është edhe ngjyra e Mesdheut, e qytetit të saj, dhe vetë ajo.
Piktorja Mersiha Rasulbegoviq-Mavriq në pikturat e saj përdor një teknikë të kombinuar, atë të vajit dhe arkilikut.
Në këtë ekspozitë u shpalosën gjithësej 22 punime nga krijimtaria e saj e pasur artistike.
Piktorja dhe autorja e kësaj ekspozite personale, Mersiha Rasulbegoviq-Mavriq, pikturon në mënyre aktive dhe është një nga organizatoret e shumë ngjarjeve të ndryshme kulturore.
Ajo gjithashtu është themeluese e OJQ-së “Naslijegje” (Trashëgimia).
t. u.
