Panairi i Librit “Tirana 2022”

Nga data 16-20 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, u mbajt Panairi i Librit nën moton “Jemi të gjthë lexues”. Gjatë 5 ditëve panairi mblodhi dashamirësit dhe adhuruesit e librit nga të gjitha trevat shqipfolëse. Ky ishte edicioni i 25-të i këtij panairi i cili zakonisht zhvillohet në muajin nëntor, ndoshta edhe qëllimisht në këtë muaj, sepse nëntori është një muaj i bekuar për shqiptarët. Kështu panairi u bashkëngjitet datave të rëndësishme historike si: Kongresi i Manastirit ose Dita e Alfabetit Shqip, më 22 nëntor, dhe 28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Vlen të përmendet se panairi për herë të parë u mbajt sikurse edhe këtë vit nga data 16-20 nëntor në vitin 1998. Si çdo vit edhe sivjet morën pjesë shumë botues shqiptarë, rreth 100 shtëpi botuese nga të gjitha trevat e Shqipërisë por edhe ato jashtë saj. Po përmendim vetëm disa: Akropoli i ri , Buzuku, Ideart Albas etj . Këtë panair e vizituan personalitete të njohura si: Ismail Kadare, Lulzim Basha, etj. Motoja e panairit “Jemi të gjithë lexues” ndoshta është edhe paksa e qëlluar duke pasur parasysh faktin se çdo vit bie paksa numri i lëxuesve. Shkak kryesor ndoshta është edhe zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi i rrjeteve sociale të cilat kanë marrë interesimin e të rinjve sot. Panairi është një mundësi e mirë për organizimin e ekskursioneve të vogla shkollore, njoftimi me libra të ndryshëm nga fusha të ndryshme për nxënësit e çfarëdo moshe. Dita a fundit e panairit iu kushtua ndarjes së çmimeve për veprat letrare të përzgjedhura nga juria profesioniste e përbërë nga: Virgjil Muçi, Aleksandër Cipa, Vjola Isufaj, Alina Karaulli dhe Agim Baçi. Zija Çelës iu dha çmimi kryesor “Shkrimtari më i mirë i vitit 2022” me veprën “Banka e ankesave”; “Çmimi i letërsisë për fëmijë” iu dha autores Natasha Shuteriqi me veprën “Kalendari i ëndrrave të mollës”; “Çmimi për Përkthimin më të mirë nga letërsia franceze” i shkoi Klarita Lagjit për veprën “Vendi i babait” të nobelistes franceze Ani Ernauks; ndërsa Romeo Çollaku me “Varfanjaku i Zotit” të Nikos Kazanksakis u përzgjodh për “Përkthimin më të mirë të vitit”. Vlerësimi për veprën më të mirë studimore shkoi për Arben Imamin me “Tri format e mendimit”. Deri në takimin e rradhës në panair të vitin tjetër, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të lexojme veprat e blera në këtë panair.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat