U bë prezantimi i Monografisë “Maestro – Gjelosh Gjokaj”

Tiranë – Të hënën më 14 nëntor 2022, Komuna e Tuzit, përkatësisht Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale u prezantua si botues me promovimin e Monografisë së piktorit të madh me famë evropiane Gjelosh Gjokaj, në Qendrën për Hapje dhe Dialog / COD (Center for Openness and Dialogue) në hapësirat e kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë.
Nga Komuna e Tuzit u njoftua se në emër të tyre, publikun e përzgjedhur të adhuruesve të artit të maestros Gjelosh Gjokaj, i përshëndeti Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, e cila theksoi se kultura si njëra nga prioritetet e ruajtjes së identitetit kombëtar për Komunën e Tuzit është bërë pikë në të cilën po veprojmë dhe duhet vepruar gjithnjë e më shumë.
“Studiuesja dhe kritikja e artit, Suzana Varvarica-Kuka vlerësimin e vetë mbi Monografinë e shtjelloi përmes analizës kritike të teksteve të historianes së artit Lilana Zekoviq dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqi, që janë njëkohësisht edhe autorët e dy teksteve kryesore në Monografi”, thuhet në këtë njoftim.
Më tej, siç theksohet, redaktori dhe përgatitësi i Monografisë se maestro Gjelosh Gjokajt, z. Sead Gjokaj e dha një pasqyrë të jetës dhe veprimtarisë së piktorit, duke u ndaluar në vlerësimet për pikturën dhe grafikën e tij prej emrave të spikatur të kritikës së artit që nga fillimet e tij në Beograd, Prishtinë, Podgoricë, Romë deri në Augsburg, ku e kaloi pjesën më produktive të jetës, si dhe për çmimet e shumta kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare, laureat i të cilëve ishte Gjeloshi.
Ndërkaq, vijon njoftimi, për piktorin dhe vendlindjen e tij, Malësinë, Mileshin, për gurin dhe Cemin, ngjyrat dhe fatin tragjik të cilat e përcollën tërë veprimtarinë e tij krijuese, si dhe për Gjeloshin si njeri jashtë ateliesë së vetë kujtimet e përbashkëta me piktorin i shpalosi përkthyesi Nikollë Berishaj.
“Këto ngjallen diskutim me publikun e pranishëm dhe vlerësim maksimal si për piktorin, ashtu edhe për veprën, për Komunën e Tuzit që me sensin e mirë për vlerën që dhanë lexuesit shqiptar dhe jo vetëm (pasi Monografia është në gjuhën shqipe dhe atë angleze), dhe kënaqësi të njohjes së thelluar me veprën e piktorit”, thuhet në njoftim.
Në fund disa kopje të Monografisë iu dhuruan Bibliotekës së Kryeministrisë, Qendrës COD si dhe disa figururave eminente të artit pamor që ishin prezent në përurim.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat