Tuz – Me nismë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, të mërkurën më 19 tetor 2022, u bë prezantimi i projektit të digjitalizimit të gjuhës shqipe për Malin e Zi, fjalori i emërtuar “Kulla e Shqipes”, aktivitet që u mbajt në ambientet e Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz.
Në këtë prezantim, ku të pranishëm qenë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit, kryeredaktori i gazetës “Koha Javore”, Qani Osmani, nxënës dhe mësimdhënës, ekspertët nga kompania Albasoft (kompani private e teknologjisë informative), që kanë kryer punen teknike softuerike të digjitalizimit të këtij fjalori, shpalosën në detaje tërë strukturën digjitale që përmban ky paket i digjitalizimit i cili është i aksesueshëm në internet në adresën: www.gjuhashqipe.com.
Drejtori i kompanisë Albasoft, Ernest Culaj i tha gazetës “Koha Javore” se me këtë digjitalizim, në një pako të vetme përfshihen fjalori me njëqind mijë fjalë dhe dyqindmijë kuptime, morfologjia digjitale e gjuhës shqipe e zbërthyer në dhjetë milionë trajta morfologjike, drejtshkrimori i gjuhës shqipe – versioni i ri për office, sinonimia – versioni i parë për office, sintaksori – versioni 1.0 për office, një abetare e zgjëruar ( e quajtur fillestarja digjitale) për moshat prej 5 deri në 10 vjeç, tastiera digjitale shqipe për shkrimin e shkronjave digjitale ë dhe ç.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, realizimin e projektit në fjalë e cilësoi si një punë kolosale që e kanë bërë vetëm kombet më të zhvilluara të botës.
“Vetem kombet e fuqishme kanë arritur që të bëjnë digjitalizimin e gjuhës së tyre, kështu që edhe gjuha shqipe falë kompanisë Albasoft është tani në drejtimin e duhur, duke iu falënderuar edhe të gjithë bashkëpunëtorëve, pedagogëve që kanë punuar në këtë projekt të jashtëzakonshëm dhe madhështor i cili do t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve në planet, kudo që ndodhen”, u shpreh Nika.
Ai shtoi se KKSH-ja është duke punuar që ky projekt të jetë i aksesueshëm për shqiptarët në Mal të Zi, “që nënkupton se aty ku ligji e mundëson përdorimin e gjuhës shqipe në institucione, të gjitha institucionet duke filluar nga ato zyrtare, shkollat, nxënësit, mësimdhënësit, mediat të mund ta përdorin këtë fjalor, me qëllim të ruajtjes së gjuhës shqipe me sa më pak gabime drejtëshkrimore dhe në artikulim”.
Për Nikën, ky është një projekt që do t’u shërbejë të gjithë shqiptarëve, ndërsa angazhimi i KKSH-së siç tha, do të jetë që ta prezantojnë atë në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, dhe të negociojnë me Qeverinë e Malit të Zi që ky produkt të mundësohet falas për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi.
“Kjo është një formë e lehtësuar bashkëkohore me kohën dhe nevojat që ka zhvillimi i shoqërisë, pasi që të gjithë po shkojnë drejt digjitalizimit të shërbimeve, në të gjithë botën. Duke ruajtuar gjuhën shqipe tashmë edhe të digjitalizuar, ne mendojmë se do të ruajmë edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi”, u shpreh kryetari i KKSH-së, Faik Nika.
Projekti në fjalë ku aktualisht janë të angazhuar mbi 80 punëtorë (bashkëpunëtorë), këshilltarë kombëtarë të projektit të përfaqësuar nga profesorë të gjuhës shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ka një histori 25 vjeçare, kurse promotor i tij ka qenë, Lulzim Shishani, ku më vonë projektit në fjalë iu bashkëngjit edhe kompania Albasoft. Si rezultati gjuhësor i gjithë kësaj platforme është digjitalizimi i rreth treqindmijë fjalëve të formatit A4, fjalë të njësuara, pra në gjuhën standarde.
Projekti i digjitalizimit të gjuhës shqipe udhëheqet nga Qendra për Edukim dhe Përparim që është partner strategjik i Albasoft Group, Albatag në Shqipëri dhe nga shumë kompani të tjera partnere. Këtë pako digjitale Qeveria e Kosovës e ka blerë në mënyrë që të përdoren nga të gjithë banorët e saj.
t. u.
