Pjesëmarrës poetët Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi

Në kuadër të takimit të organizuar nga Klubi Letrar “Ndoc Gjetja” është zhvilluar konkursi, ku kanë marrë pjesë me krijimet e tyre 54 poetë nga trevat e ndryshme shqiptare. Me Çmimin Letrar “At Gjergj Fishta” juria ka vlerësuar tri poezitë më të mira

Lezhë – Klubi Letrar “Ndoc Gjetja” ka organizuar të shtunën në Lezhë edicionin e 11-të të Takimit Poetik Kombëtar “Ora e Muzës – Lissus”.
Në kuadër të këtij takimi është zhvilluar konkursi, ku kanë marrë pjesë me krijimet e tyre 54 poetë nga trevat e ndryshme shqiptare, në mesin e të cilëve edhe poetët Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi, të cilët kanë lexuar poezitë e tyre.
Për poezitë më të mira në konkurs juria e përbërë nga shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Prof. as. Dr. Arben Prendi (kryetar), shef i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si dhe Lulzime Celami dhe Ernest Marku kanë vlerësuar me Çmimin Letrar “At Gjergj Fishta” poezitë e poetëve Manjola Nallbani – Halili, Lulzim Logu dhe Viktor Vokrri.
Kryetari i Klubit Letrar “Ndoc Gjetja”, Hekuran Koka, ka shprehur kënaqësinë për numrin e madh të pjesëmarrësve në konkurs dhe për shtrirjen gjeografike të tyre, si dhe për prurjet cilësore. Ndërsa Prof. as. Dr. Arben Prendi ka vlerësuar faktin që Lezha vazhdon traditën në lëvrmin e gjinisë së poezisë përkundër të gjitha vështirësive që kanë sot poetët.
Përpos leximit të poezive, aktiviteti është shoqëruar edhe me deklamimin e disa pjesëve letrare të Fishtës dhe me pjesë muzikore.
Takimi Poetik Kombëtar është zhvilluar në kuadër të 151-vjetorit të lindjes së Poetit Kombëtar Gjergj Fishta.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat