Nostalgjia për vendlindjen

Ekspozita me titull “Nostalgji” shfaq mallin dhe dashurinë e piktorit për vendlindjen e tij. Në punimet e tij dominon sidomos figura e femrës, portretet e njerëzve të thjeshtë, peizazhet e Anës së Malit etj., duke na rikthyer në të kaluarën

Ulqin – Piktori Nazim Ujkashi – Sukubina, i cili që prej 43 vitesh jeton në mërgim (Gjermani) ka hapur të mërkurën mbrëma (5 tetor 2022) në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin ekspozitën e tij të parë personale në vendlindje.
Ekspozita me titull “Nostalgji” shfaq mallin dhe dashurinë e piktorit për vendlindjen e tij. Në punimet e tij dominon sidomos figura e femrës, portretet e njerëzve të thjeshtë, peizazhet e Anës së Malit etj., duke na rikthyer në të kaluarën.
Piktori ka treguar se deri kur ka emigruar, në moshën 27 vjeç, e ka përjetuar jetën e rëndë të fshatit, veçmas të gruas në Anë të Malit.
“Kjo më ka munduar krejt jetën. Tragjike”, është shprehur ai.
Si një piktor autodidakt, Ujkashi ka thënë se deri që ka bërë 17 vjet, “as kam pasur libra arti, as dikush që më ka mësuar të vizatoj”.
Megjithatë, pasioni për artin ka bërë që ai, pavarësisht punës dhe sakrificave të jetës, të mos largohet kurrë nga arti dhe piktura, ndërsa sot e konsideron veten më së tepërmi si një lloj ilustratori.
Piktori ka rrëfyer për pengun e tij, se derisa ka jetuar në vendlindje, ka pasur dëshirë të madhe që ta pikturojë Anën e Malit nga pjesa e Shqipërisë, por për shkak të kufirit të mbyllur nuk ka pasur mundësi. Prandaj ai ka shprehur besimin se kjo ëndërr e madhe që e ka pasur dikur, më në fund do t’i realizohet dhe gjatë kohës që do të qëndrojë në vendlindje do të ngjitet në majën mbi Muriqan për të pikturuar Anën e Malit.
Piktori Jozo Koçaj ka thënë se është impresionuar tepër nga peizazhet e Ujkashit, sepse janë autentike, të kohës të cilën ai e ka lënë këtu kur është larguar nga Ulqini.
“Është një kolorit karakteristik. Pjesa konceptuale e trajtimit, janë tematika autentike, kombëtare, motive të vjetra, peizazhi kryesisht, portrete, akte të ndryshme, veshje popullore…”, ka thënë ai.
Për Koçajn, autori ka një përparësi, “sepse i sheh dhe i ritrajton gjërat nga një aspekt tjetër meqenëse tani jeton dhe krijon në një realitet tjetër, në Gjermani, dhe kur nga ai diapazon i sheh, i vrojton dhe i analizon sendet reale këtu, shumë më ndryshe i sheh se ne ose dikush që është këtu”.
Koçaj ka thënë se në punimet e piktorit Ujkashi-Sukubina vërehet pjesa notalgjike dhe në to arrijmë të shohim “edhe ato sfida jetësore të cilat autori edhe këtu i ka pasur, ankthi, kërkimi i vazhdueshëm, ajo luftë që nuk i është dhënë territori ose ambienti i duhur”.
Më tej ai ka thënë se nga veprat e ekspozuara, duke pasur parasysh kohën e punimit të tyre, arrijmë të krijojmë edhe një kronologji të jetës në Anën e Malit, sepse “arti, por sidomos piktura, janë gjurma më e mirë që mund të lë koha si trashëgim”.
Dr. Nail Draga e ka cilësuar Nazim Ujkashin-Sukubinën një piktor autentik, origjinal dhe të vendlindjes.
Ai ka thënë se po të mos kishin qenë teknologjia dhe portalet e kohës, piktori kishte qenë i panjohur, sepse mosha e re nuk ka ditur fare për të.
Organizatorja e ekspozitës, kryetarja e Shoqatës “Labeatët”, Luljeta Avdiu – Cura, e ka vlerësuar këtë ekspozitë si një ngjarje të veçantë.
“Nazimi si shumë të tjerë migron në mërgim në vitin 1979 dhe nga ëndrrat e shumta që kishte për të diplomuar në pikturë, jeta e tij merr një kahje krejt tjetër. Dhe ndoshta ky është një mesazh i mirë që të rinjtë dhe të rejat që i kemi këtu duhet t’i përkrahim, duhet t’i afirmojmë dhe duhet t’i ndihmojmë në rrugëtimin e tyre”, është shprehur ajo.
Ajo ka lexuar një shënim të poetit dhe mjekut Argëzon Sulejmani për ekspozitën, ndërsa aktori Shefqet Luca ka lexuar për të pranishmit biografinë e piktorit Nazim Ujkashi – Sukubina.
Shoqata “Labeatët” i ka ndarë mirënjohje piktorit Nazim Ujkashi – Sukubina, ndërsa për disa institucione që kanë mbështetur organizimin e ekspozitës janë dhuruar nga një punim i piktorit.
Përpos ekspozitës, në një cep të Galerisë janë ekspozuar punimet e dorës që kanë qenë dikur pjesë e pajës për martesë në trevën e Anës së Malit.
Këngëtari Shaban Gjeka (Mjeshtër i Madh) dhe Sulejman (Fiqo) Dabi në fizarmonikë kënduan disa këngë të vjetra për të pranishmit.
Piktori Nazim Ujkashi – Sukubina u lind në Sukubinë, në vitin 1952. Shkollën fillore e ka përfunduar në Sukubinë dhe Katërkollë nga viti 1960-1966. Dëshira e tij për të vazhduar shkollimin dhe studimet për art nuk u realizua, pasi që atij nuk iu dha mundësia që të regjistrohet në Shkollën e Artit në Pejë apo Akademinë e Arteve në Prishtinë. Në vitet 1974-1976 është angazhuar në SHKA “Zgjimi”. Në vitin 1979 emigroi në Keln të Gjermanisë, ku jeton edhe sot. Në Gjermani ka punuar 40 vite si punëtor në hoteleri dhe paralelisht është angazhuar si piktor, ilustrator dhe ka qenë shumë aktiv në jetën kulturore të vendbanimit të tij dhe është marrë me ilustrime për libra, karnavale etj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat