Barometër për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale

Zgjedhjet lokale do të zhvillohen në Podgoricë dhe 13 komuna të tjera: Bijello Pole, Budvë, Danillovgrad, Kollashin, Plavë, Plevlë, Plluzhinë, Rozhajë, Tivar, Tivat, Shavnik, Zetë dhe Zhablak. Ato konsiderohen si test dhe barometër për të matur vullnetin politik të qytetarëve, sidomos për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato presidenciale

Më 23 tetor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet lokale në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, dhe 13 komuna të tjera: Bijello Pole, Budvë, Danillovgrad, Kollashin, Plavë, Plevlë, Plluzhinë, Rozhajë, Tivar, Tivat, Shavnik, Zetë (ku votohet për herë të parë pas shpalljes komunë e pavarur) dhe Zhablak. Afati për dorëzimin e listave zgjedhore ka përfunduar më 27 shtator dhe tashmë dihet se kush janë partitë, koalicionet apo grupimet e qytetarëve që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Për shqiptarët me rëndësi janë sidomos ato komuna ku ata jetojnë, si në Tivar, Podgoricë, Plavë dhe Rozhajë. Vetëm dy parti shqiptare marrin pjesë në këto zgjedhje, në kuadër të koalicioneve me partitë qytetare. Kështu Alternativa Shqiptare është pjesë e koalicionit me Lëvizjen Qytetare URA në Podgoricë, Tivar dhe Plavë, kurse Unioni Demokratik i Shqiptarëve pjesë e koalicionit të kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve në Podgoricë. Partitë tjera shqiptare kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Beteja kryesore për Podgoricën
Beteja kryesore në këto zgjedhje lokale pa dyshim që do të zhvillohet në kryeqytetin Podgoricë, ku jetojnë rreth 190 mijë banorë apo gati një e treta e qytetarëve të Malit të Zi.
Në regjistrin zgjedhor janë 143 mijë votues, për votat e të cilëve do të garojnë tetë lista zgjedhore. Gara kryesore do të jetë ndërmjet koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe partive që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar shumicën. Koalicioni më i madh në këto zgjedhje është Lëvizja “Të gjithë për QYTETIN tonë – Dr. Ivan Vukoviq”, i cili përbëhet nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Liberale, Iniciativa Qytetare “21 Maji”, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Partia Boshnjake, E Majta e Re dhe Partia Demokratike Rome. Këtij koalicioni i prinë kryetari aktual i Podgoricës, Ivan Vukoviq.
Përpos këtij koalicioni, në zgjedhjet lokale në Podgoricë do të garojë edhe koalicioni “Për ardhmërinë e Podgoricës”, i përbërë nga Demokracia e Re Serbe, Partia Popullore Demokratike, Lëvizja për Ndryshime, Mali i Zi i Drejtë, Mali i Zi i Lirë dhe Partia Komuniste Jugosllave. Kjo listë kryesohet nga ish-ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq – Bojoviq. Dy koalicione të tjera janë ai që përbëhet nga Demokratët, Mali i Zi i Bashkuar dhe DEMOS, dhe koalicioni Lëvizja Qytetare URA, CIVIS dhe Alternativa Shqiptare. Në zgjedhje marrin pjesë po ashtu edhe lëvizja politike “Evropa tani!” e ish-ministrave Millojko Spajiq dhe Jakov Millatoviq, Partia Popullore e Socialistëve, Lëvizja Qytetare “Kthesa” dhe Lista Serbe e Shën Savës.
Dy partitë shqiptare – Alternativa Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve janë pjesë e koalicioneve të udhëhequra nga PDS, gjegjësisht Lëvizja Qytetare URA. Partitë shqiptare ka kohë që nuk kanë këshilltar në Kuvendin e Podgoricës, ndërsa që prej kur Komuna e Tuzit është bërë e pavarur janë zvogëluar mundësitë që partitë shqiptare të fitojnë këshilltar në Kuvendin e Podgoricës.

Asnjë listë shqiptare në Tivar
Në zgjedhjet lokale në Komunën e Tivarit nuk ka asnjë listë shqiptare. Edhe në këtë komunë, Alternativa Shqiptare është pjesë e koalicionit së bashku me Lëvizjen Qytetare URA dhe CIVIS. Në Komunën e Tivarit garojnë gjithsej dhjetë lista zgjedhore – katër koalicione dhe gjashtë parti. Përpos koalicionit të drejtuar nga Lëvizja Qytetare URA, në garë janë edhe koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialdemokrate dhe Partia Liberale, koalicioni “Për ardhmërinë e Tivarit” (Demokracia e Re Serbe, Partia Popullore Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshime) dhe koalicioni i përbërë nga Demokratët, Lëvizja “Evropa tani!” dhe Mali i Zi i Bashkuar. Në zgjedhje po ashtu marrin pjesë Partia Boshnjake, Partia e Drejtësisë dhe e Pajtimit, grupimi qytetar “Zgjedh Tivarin – Radomir Novakoviq Cakan”, Mali i Zi i Drejtë, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Socialiste.
Në zgjedhjet e kaluara lokale (27 maj 2018) partitë shqiptare, për herë të parë në historinë e shumëpartiakësisë në Malin e Zi nuk arritën të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Komunës së Tivarit. Kjo pasi që Koalicioni “Shqiptarët për Tivarin”, i përbërë nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Partia Demokratike, e vetmja listë zgjedhore shqiptare në këto zgjedhje, fitoi vetëm 163 vota apo 0.8 për qind, duke mos fituar asnjë këshilltar.

Nuk pranohet lista e LDSh-së në Plavë
Në zgjedhjet lokale në Komunën e Plavës garojnë gjashtë lista zgjedhore: koalicioni Lëvizja Qytetare URA dhe Alternativa Shqiptare, Partia Boshnjake, Lëvizja “Evropa tani!”, Partia Popullore Socialiste, Fronti Demokratik dhe koalicioni Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialdemokrate dhe Socialdemokratët. Edhe në këtë komunë, partia e vetme shqiptare që garon është Alternativa Shqiptare.
Në fakt, listën e kandidatëve për këshilltarë e ka dorëzuar edhe Lidhja Demokratike Shqiptare, por ajo nuk është pranuar nga Komisioni Zgjedhor Komunal për shkak të parregullsive. Komisioni Zgjedhor Shtetëror ka refuzuar ankesën e përfaqësuesit të LDSh-së duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Zgjedhor të Komunës së Plavës.
Zgjedhjet lokale zhvillohen në situatën e krizës politike në vend, kur Gjykata Kushtetuese është e bllokuar dhe nuk funksionon (nga Kuvendi i Malit të Zi kanë paralajmëruar se seanca ku do të votohet për katër gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese do të mbahet më 21 tetor 2022, dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale), Qeveria është në mandat teknik, në procedurë është nisma për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për shkak se ka refuzuar të mandatojë Miodrag Lekiqin, kandidatin e shumicës parlamentare të dalë nga zgjedhjet e gushtit 2020, për formimin e Qeverisë së re. Krahas kësaj, zgjedhjet lokale organizohen sipas ligjeve të vjetra zgjedhore, sepse nuk është zbatuar reforma zgjedhore.
Zgjedhjet lokale konsiderohen si test dhe barometër për të matur vullnetin politik të qytetarëve, sidomos për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato presidenciale.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat