Jam ende këtu

Tematika e edicionit të këtij viti është bazuar te transicioni apo rikthimi në një normalitet të ri dhe përzgjedhja e programit, sidomos filmat me metrazh të gjatë kanë trajtuar këtë problematikë. Në Festival u shfaqën 18 filma në kategori të ndryshme: program konkurrues dhe program revial, program kushtuar autorëve të rinj nga Mali i Zi, program special i quajtur “Përballja me të kaluarën” si dhe një punëtori edukative për studentët me emrin “Festival Ready”

Pas një pushimi njëvjeçar, Festivali i Filmit Seanema është rikthyer në edicionin e tij të shtatë, që përgjatë dy ditëve (15-16 shtator 2022) është mbajtur në Ulqin.
Drita Llolla, drejtoreshë e Organizatës Joqeveritare “Unë veproj”, e cila e organizon këtë festival, dhe njëkohësisht edhe drejtoreshë e këtij festivali, ka vlerësuar këtë si një ditë të rëndësishme pasi që Festivali i Filmit Seanema vjen “pas një periudhe jo fort të lehtë për të gjithë ne për shkak të pandemisë, dhe tashmë edhe një krize, edhe ekonomike, edhe politike, që ka kapluar përtej Malit të Zi”.
Ajo ka thënë se nisma të tilla si ky festival, që sivjet është zhvilluar me moton “Jam ende këtu”, “janë shumë të rëndësishme për t’u mbështetur pasi kultura është dhe do të mbetet një mjet tejet i fuqishëm që udhëzon njerëzit që mendojnë ndryshe”.
Tematika e edicionit të këtij viti është bazuar te transicioni apo rikthimi në një normalitet të ri dhe përzgjedhja e programit, sidomos filmat me metrazh të gjatë kanë trajtuar këtë problematikë.
Në Festival u shfaqën 18 filma në kategori të ndryshme: program konkurrues dhe program revial, program kushtuar autorëve të rinj nga Mali i Zi, program special i quajtur “Përballja me të kaluarën” si dhe një punëtori edukative për studentët me emrin “Festival Ready”. Në kuadër të programit revial u shfaqën tre produksione filmike shoqëruar me diskutime të hapura rreth temave që trajtuan, dokumentari “Pajtimi” i regjisores Marija Zidar, filmi artistik “Motrat” i regjisores Dina Duma dhe “Pas dimrit” nga regjisori Ivan Bakraç. Publiku pati mundësinë të ndjekë edhe premierën e filmit të autores malazeze Tamara Millosheviq, “Veçori të veçanta”, shfaqjen e dy filmave të shkurtër me temë “Përballja me të kaluarën” – “Betimi” i Mladen Ivanoviqit dhe “Një shoqëri e ndarë” e Aleksandër Risotski, si dhe dy masterklase të titulluara #supportlocalstories (“Mbështet historitë lokale”) me regjisoren sllovene Marija Zidar dhe regjisorin shqiptar Erenik Beqiri.
Regjisorja e filmit “Pajtimi”, Marija Zidar nga Sllovenia ka rrëfyer për historinë pothuajse dhjetëvjeçare të xhirimit të këtij filmi, i cili bazohet në një ngjarje reale të ndodhur në Shqipëri dhe trajton problemin e gjakmarrjes. Ai fokusohet te fenomeni i përballjes me të shkuarën dhe transicionin, duke e trajtuar atë nga këndvështrimi sociologjik, kulturor dhe politik.
“Kur kam shkuar në vitin 2014 në Shqipëri, kemi hasur në raste të ndryshme, por ky më ka prekur për një milion arsye. Nuk mund ta shpjegoj masën e këtij emocioni që kam përjetuar gjatë katër viteve, sa ka zgjatur xhirimi”, ka thënë ajo.
Pas katër vitesh xhirim (2014-2018), filmi është shfaqur premierë pas tre vitesh, në vitin 2021.
“Përgjatë kësaj kohe Gëzimin (Paplekaj, i ati i vajzës së vrarë) e kanë pyetur se pse i ke lejuar aq gjatë, katër vite me kamerë? Çfarë do të bëjnë ata me këtë? Ata do t’i shesin shtrenjtë këto pamje. Nuk e di edhe se pse kanë pasur kaq besim tek unë?”, ka thënë Zidar.
Ajo ka treguar se para se të shfaqej premierë në Festivalin e Kopenhagës, filmin iu ka treguar familjes (Paplekaj) së vajzës së vrarë, “sepse iu kam premtuar se së pari atyre do t’ju tregoj filmin”.
Edicioni i shtatë i Festivalit të Filmit Seanema përfundoi të premten me ndarjen e çmimit për filmin më të mirë të shkurtër, kushtuar dy projekteve filmike – Samir Karahodës për filmin “Pa vend” dhe Maria Apçevskës për filmin “North pole”.
Juria e përbërë nga producentja Biljana Vushoviq, aktori Jovan Jelisavçiq dhe regjisorja Marija Zidar, veçoi tre tituj “që sollën kohezion në të gjitha aspektet artistike dhe shkaktuan ndjesi të thella si dhe një debat të gjatë mes anëtarëve të jurisë”. Për filmin e Samir Karahodës “Pa vend”, juria u shpreh se në “vetëm pesëmbëdhjetë minuta, përmes rrëfimit mjeshtëror pamor dhe një historie intime për emigracionin, autori sjell një histori që vlen për të gjithë Ballkanin, por edhe më gjerë”. Për filmin e shkurtër të Maria Apçevskës, “North pole”, juria deklaroi se ai “sjell në mënyrë shumë delikate dhe intime një histori rreth presionit mes bashkëmoshatarëve e në nivel personal gjatë periudhës më të ndjeshme të jetës, rritjes”. Një çmim special iu dha filmit të regjisorit Rok Biçek “Penalty shot”, i cili sipas jurisë meritoi një vlerësim të veçantë për mënyrën se si ai portretizon emocionet therëse të dhunës dhe historinë e traumave të jetës që përcillet brez pas brezi.
Gjatë edicionit të shtatë të këtij festivali u mbajt punëtoria e tretë e Rrjetit Ballkanik të Filmit të Shkurtër të sapokrijuar (“Balkan Short Film Network”), qëllimi i të cilit është të kontribuojë në decentralizimin e kulturës, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e filmave të shkurtër si formë artistike, si dhe duke fuqizuar dhe prezantuar talentet e reja nga rajoni. Në punëtorinë e tretë “Festival Ready”, pjesëmarrësit nga rajoni punuan me trajnerët nga Mali i Zi, Dushan Kasalica dhe Daniela Radulloviq, në zhvillimin e strategjive për festivale dhe prezantimin e projekteve filmike pas prodhimit. Fituesve të punëtorisë së tretë, filmit studentor “Kërcim me kokë”, me regji të Nikolla Romçeviqit dhe produksion të Milica Milinkoviqit, iu dhurua një kupon nga Agjencia Kreative DAA Montenegro me qëllim të finalizimit profesional të komunikimit vizual të projektit. Rrjeti Ballkanik i Filmit të Shkurtër, i cili u themelua në maj të këtij viti nga Bashta Fest, Drim Short Film Fest dhe Seanema Film Festival, u mbështet nga Fondi për Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Fund).
Edicioni i shtatë i Festivalit Seanema u mbajt në Qendrën e Kulturës në Ulqin dhe u mbështet nga Qendra Kinematografike e Malit të Zi, Komuna e Ulqinit, Qendra e Kulturës dhe Organizata Turistike, si dhe partneri komercial i festivalit DAA Montenegro. Ai ishte planifikuar që të mbahej më gjatë, por për shkak të vështirësive financiare, programi i tij është reduktuar në dy ditë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat