Përdhunimi i femrave – dukuri e shoqërive të pakonsoliduara

Sot, gjithnjë e më shumë po flitet dhe po përjetohen përdhunime seksuale të femrave nga meshkujt. Madje, edhe të vajzave fëmijë, pa e arritur as moshën dhe as pjekurinë seksuale. Tërbimi seksual mashkullor është bërë aq i rrezikshëm, sa femrat ndjehen të pasigurta në shkollë, në punë, madje edhe në shtëpi, kur janë vetëm dhe kudo

Leke Imeraj

Çfarë nënkupton përdhunimi seksual?
Përdhunimi seksual është vendim i njëanshëm për të kryer marrëdhënie seksuale me tjetrin. Një vendim i tillë, është tipik për meshkujt. Kur kryhet një veprim i tillë, pra marrëdhënie seksuale me forcë, apo mënyra të tjera detyrimi me një person jashtë vullnetit dhe dëshirave të tij, kemi rastin e krimit të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Në rastet kur personi i sulmuar është i paaftë për të dhënë pëlqimin për arsye të moshës, kemi të bëjmë me marrëdhënie seksuale me dhunë, me të mitur. Një gjë e tillë është edhe në rastet kur i sulmuari, për arsye të gjendjes shëndetësore, fizike apo psikike, nuk është në gjendje të vetëmbrohet. Në raste të tilla, gjykata mendon se krimi është kryer në rrethana të rënduara për kriminelin.
Ligjvënësi ka parashikuar edhe rastin e kryerjes së krimit seksual, pa e prekur fare viktimën. Psh ekzibicionizmi (nxjerrja e organeve seksuale me qëllim për t‘ia treguar tjetrit), gjë që është tipike për meshkujt. Krimineli e detyron viktimën, në rastet më të shumta femrën, që jashtë vullnetit të vet të shikojë organin e tij genital. Kështu është edhe në rastin kur mashkulli e detyron femrën ta shikojë atë gjatë masturbimit, ose e detyron atë që t’ia kryejë masturbimin.
Shumë kriminelë të përdhunimit seksual, mundohen ta justifikojnë veprimin e tyre kriminal në mënyra të ndryshme. Dikush thotë se femra ishte provokuese, ishte veshur seksi me qëllim për të provokuar meshkujt, prandaj nuk u përmbajta dot, unë nuk kam faj. Dikush tjetër thotë se viktima ishte shumë arrogante, nuk e duroja dot arrogancën e saj, prandaj e përdhunova.
Megjithatë, kriminelët përdhunues të femrave bëjnë pjesë në grupe të ndryshme heterogjene. Nuk ka përdhunues, ka tipa të ndryshëm përdhunuesish. Motivet që i shtyjnë meshkujt për të përdhunuar femrat janë të ndryshme.
Te meshkujt gjendet tipi hiperseksual. Ky tip është i njohur prej shumë kohësh. Në vitin 1830 dy psikiatër francezë, Eskirol dhe Pinel e përshkruan hiperseksualitetin si fenomen seksual të pazakontë te meshkujt dhe e quajtën “erotomanie”. Në ditët e sotme, meshkujt që vuajnë nga hiperseksualiteti konsiderohen Don Zhuanë, ose Kazanova. Meshkujt hiperseksualë vazhdimisht mendojnë vetëm për seks, aq shumë sa nuk kanë kohë dhe mundësi të mendojnë për gjëra të tjera jetike. Te meshkujt hiperseksualë, seksi me të njëjtën partnere e humb shumë shpejt intimitetin. Kontakti seksual është diçka mekanike, nevojë shfryrjeje, asgjë më shumë. Kjo shkakton problem në bashkëshortësi. Për t’a plotësuar nevojën e tyre seksuale, ata vazhdimisht janë në kërkim të një partnereje të re. Nëse nuk e arrijnë dot, sulmojnë gratë e huaja. Tipa të tillë, zakonisht veprojnë si „ujqër të vetmuar“ mbi viktimën, por edhe në grup. Çdo femër e vetmuar, pavarësisht nga mosha, qoftë edhe fëmijë, nëse bjen në dorën e tyre, është e rrezikuar.
Meshkujt në përgjithësi, vuajnë nga ndjenja e pushtetit dhe dominancës mbi femrën. Ata mendojnë se nëse femra nuk pranon vullnetarisht të „shalohet“, atëherë përdhunimi seksual është mjeti më i mirë për t’ia ulur kokën. Sipas tyre, poshtërimi i femrës është mjeti më i mirë për t’a pushtuar atë.
Krahas tipit dominant, është edhe tipi tjetër, ai që e urren gjininë femërore. Tipa të tillë sillen me shumë agresivitet dhe tërbim ndaj grave, pa përjashtim nga mosha dhe pamja. Nuk mendojnë për një viktimë konkrete, të gjitha gratë duhet të jenë viktima të dhunimit dhe përdhunimit. Ky fenomen shfaqet në kulturat ku gruaja mendohet burimi i të gjitha ligësive. Si e tillë ajo duhet dhunuar, përdhunuar, madje edhe vrarë. Është principi i femicidit. Ky fenomen sot është shumë i njohur dhe i rrezikshëm në kulturën islame.
Filozofi egjiptian Hamed Abdel Samad thotë: „Jam egjiptian nga vendi ku dhuna seksuale mashkullore mbi gratë ka arritur masën e padurimit, dhe kjo për faktin se ky fenomen në fillim ose u hesht me qëllim, ose u mendua i parëndësishëm”.
Për një mysliman besimtar, është e ndaluar që të prek një grua të huaj, madje edhe kur është e fejuara e vet. Myslimanëve besimtarë të vërtetë u ndalohet që t’i japin dorën një gruaje. Salafistët në Egjipt mendojnë se një burrë nuk duhet të ulet në ulësen e autobusit ku sapo ishte ulur një femër, pasi që ngrohtësia e trupit të saj mund ta ngacmojë atë seksualisht. Ky moral i ashpër seksual, ky absolutizim dhe ky apartejd gjinor, shpesh sjell të kundërtën. Një kulturë që e konsideron gruan si pronë të burrit dhe si një rrezik për moralin e tij, është bashkëfajtore në dhunën ndaj gruas.
Para dyzet vitesh në Kajro, vështirë se gjendej një grua me shami në kokë, me burka jo se jo. Provokime seksuale publike në atë kohë, thuajse nuk kishte fare. Sot thuajse nuk ka grua të pa mbështjellur, dhe megjithatë provokohen dhe dhunohen seksualisht edhe në rrugë. Kjo ndodh në Iran, Afganistan, Pakistan dhe në shumicën e vendeve të tjera islame, të cilat qëndrojnë në krye të listës në rang botëror për dhunim seksual të grave. Edhe në të pasurën Arabinë Saudite, ky fenomen është përhapur shumë. Mund të mendohet fare thjeshtë për një lidhje të këtij fenomeni me mbështjelljen e grave dhe provokimeve seksuale. Në linjën e parë, kjo ka të bëjë me kierarkinë dhe me një kulturë në të cilën gruaja konsiderohet si send, e pavlerë.
Realiteti i botës islame është vuajtja dhe morali i dyfishtë në lidhje me seksin. Askund tjetër nuk ka më shumë operacione te vajzat, për riparimin e cipës së dëmtuar të membranës së virgjerisë nga përdhunimet seksuale, sesa në botën islame.
Tipi përdhunues seksual, me motiv hakmarrjen, është tipi më i njohur dhe më i përhapur në shumë kultura. Ky krim kryhet individualisht dhe në grup, shpeshherë në grupe masive.

Analogjia e sulmeve ndaj grave
Politologu sirian Basam Tibi thotë: „A ka ndonjë të përbashkët midis sulmeve mbi gratë në Koln, në natën e ndërrimit të viteve (2015/2016) dhe gjendjes në Siri? Përgjigjia është: Po, ka një të përbashkët, dhe e përbashkëta është dhuna ndaj grave. Duket se shumë bashkëpuntorë të mi gjermanë nuk e kuptojnë dhunën ndaj grave në botën islame, si traditë të një kulture orientale-patriarkale. Në Orient, gruaja nuk mendohet si subjekt, por thjesht si send që bën pjesë në nderin e burrit. Sulmet mbi gruan nuk kanë si qëllim vetëm përdhunimin apo ndëshkimin e saj, por në shumë raste si akt për poshtërimin e burrit të saj, për hakmarrje. Në luftën barbare në Siri, e cila mendohet plotësisht gabim si „luftë civile“ (atje nuk luftojnë qytetarët, por grupe religjione etnike kundër njëri-tjetrit), ushtarët shiito-alawitë përdhunojnë gratë e ushtarëve të ushtrisë siriane dhe të opozitës sunite, si mjete dhe pjesë e luftës. Alawitët me përdhunimin e grave të opozitës sunite, mendojnë poshtërimin dhe hakmarrjen ndaj burrave të tyre. Nga ana tjetër, sunitët „rebelë“ bëjnë të njëjtën gjë me gratë alawite. Është një luftë, të gjithë kundër të gjithëve, ku gratë janë viktima të hakmarrjes mashkullore“.

Propaganda kundër femrës
Sot në trojet shqiptare ka filuar një propagandë brutale, antinjerëzore kundër femrës. Shumë klerikë myslimanë, individë dhe grupe antifeministe, i kanë ndezur motorët e femicidit. Edhe përdhunimet në grup duhen menduar si pjesë e skenarit të kësaj propagande antifemërore. Qëllimi i saj është rikthimi i femrës shqiptare në myslimanen e Mesjetës, në thes lëvizës, pa liri, pa të drejta dhe… në asgjë. Po zbatojnë teorinë dhe praktikën talebaniste, për asgjësimin e femrës si njeri.
(Autori është shkrimtar, përkthyes, publicist)

Të fundit

më të lexuarat