Katërkollë – Lidhja Demokratike në Mal të Zi do të jetë gjithmonë faktor përbashkimi, bashkëpunimi korrekt e pa kushte kur bëhet fjalë për çështje madhore në interes të shqiptarëve, pavarësisht rrethanave të krijuara mes subjekteve shqiptare në Mal të Zi, ka thënë kryetari i LD në MZ, Saubih Mehmeti, në ceremoninë e shënimit të 32-vjetorit të themelimit të kësaj partie.
Ai ka thënë se kjo parti do të respektojë çdo marrëveshje të nënshkruar, gjë që e pret edhe nga palët tjera.
Mehmeti ka bërë një retrospektivë, duke përmendur momentet kyçe nëpër të cilat ka kaluar kjo parti.
Ai ka thënë se LD në MZ “përfitoi zemrat e të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët në mënyrë masive votuan në zgjedhjet e para pluraliste parlamentare të 9 dhjetorit 1990 në të gjitha vendvotimet në viset shqiptare”, duke fituar katër vende në Kuvendin e Malit të Zi dhe gjithsej 12 deputetë së bashku me Partinë e Aksionit Demokratik, me të cilën kjo parti ishte në koalicion në zgjedhjet e para parlamentare pluraliste.
Sipas tij, “ky ishte suksesi më i madh i përfaqësimit politik të një subjekti politik shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi që nga viti 1990 e deri më sot” dhe një rezultat të tillë nuk e ka arritur “asnjë subjekt tjetër politik shqiptar në Mal të Zi që nga vendosja e pluralizmit politik në shtetin malazez”.
Kryetari i LD në MZ ka thënë se edhe përkundër vështirësive dhe presioneve të ndryshme nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, falë programit të vet politik e ekonomik dhe përkushtimit me profesionalizëm, kjo parti i mbijetoi të gjitha sfidave të kohës me tendencë të forcimit edhe më tepër të strukturave organizative të partisë dhe rritjen e besueshmërisë tek anëtarët dhe votuesit e rinj.
“Këtë më së miri e pasqyron rezultati i zgjedhjeve lokale në komunën e Ulqinit, të mbajtura më 27 mars të këtij viti, ku LD në MZ në koalicion me UDSH-në arriti rezultate mjaft të kënaqshme, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, pavarësisht se nuk jemi pjesë e qeverisjes aktuale”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka vlerësuar se në zgjedhjet e ardhshme LD në MZ “do të jetë faktor përcaktues për formimin e shumicës parlamentare në komunën e Ulqinit dhe do të luajë një rol të veçantë në skenën politike shqiptare në Mal të Zi e më gjerë”.
Në fjalën e tij, Mehmeti ka falënderuar të gjithë ata që vendosen gur-themelin e LD në MZ-së si subjekt politik të shqiptarëve në Malin e Zi, ata që kontribuan përmes angazhimit të drejtëpërdrejtë dhe në forma të ndryshme në këto 32 vjet rrugëtimi së bashku, në veçanti mërgatën shqiptare për ngritjen e çështjes shqiptare në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Në ceremoninë e mbajtur në restorantin “Kristal” në Katërkollë, të pranishmëve u janë drejtuar edhe nënkryetari i LD në MZ, Marash Dedvukaj, dhe kryetari i parë, njëherësh kryetar nderi i kësaj partie, Mehmet Bardhi. Në emër të Lidhjes Demokratike Shqiptare ka përshëndetur kryetari Nikollë Camaj, kurse në emër të Unionit Demokratik të Shqiptarëve kryetari Mehmed Zenka. Po ashtu kanë përshëndetur edhe bashkëvendasi Nazim Cuca, i cili jeton në Çikago,
Sefedin Krasniqi nga Kosova, me banim në diasporë, si dhe është lexuar telegrami i urimit të Riza Millës, i cili jeton në ShBA. Ndërkaq Kolë Vulaj ka recituar një poezi patriotike.
Përpos anëtarëve dhe simpatizuesve të LD në MZ, në ceremoninë e shënimit të 32-vjetorit të saj kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Forcës së Re Demokratike dhe Partisë Demokratike, kryetari i KKSH-së, Faik Nika etj.
LD në MZ është partia e parë politike e shqiptarëve në Malin e Zi, e cila u themelua më 9 shtator 1990 në Tuz të Malësisë.
i. k.
