
Me propozim të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe me përkrahjen e Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, e botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë, doli nga shtypi antologjia “Degë e trungut të urtë” të autorit Hajro Ulqinaku.
Për herë të parë, në një vend janë të përmbledhur krijuesit shqiptarë nga të gjitha trojet shqipfolëse në Mal të Zi. Lexuesi do të takohet me shkrimtarët e njohur nga Ulqini dhe Kraja, Tuzi-Malësia, Plava dhe Gucia, si dhe nga Rozhaja.
Në antologji janë përmbledhur: Esad Mekuli, Nol Berisha, Bahri Brisku, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Hajro Ulqinaku, Ali Llunji, Idriz Ulaj, Zuvdija Hoxhiq-Berisha, Ali M.Mehmeti, Asllan Bisha, Shaban Osmanaj, Ibrahim Berjashi, Ali Gjeçbritaj, Gazmend Çitaku, Fran Camaj, Anton Gojçaj, Haxhi Shabani, Anton Berishaj, Zef Gjuravçaj, Nikollë Berishaj, Mark Pashko Lucgjonaj, Ali Daci, Hasnije Kukaj-Gjonbalaj, Flutur Mustafa, Hajredin Kovaçi, Anton P. Gjuravçaj.
Redaktor i librit është Dimitrov Popoviq, kurse recensentë Haxhi Shabani dhe Sahibe Hoxha.
Autori Hajro Ulqinaku edhe në moshën e pleqërisë e ka intelektin komplet të rujtuar. Momentalisht është një ndër autorët më të frytshëm në Mal të Zi.
- Është e përgatitur për shtyp monografia “Shkolla fillore në Ulqin, historiku dhe veteranët”, me koautor Gani Karamanaga. Më këtë vepër kemi konkurruar te Fondi për Pakica, dhe jemi në pritje të vendimit nga konkursi.
- Në fazën përfundimtare është libri “Riza Harapi Shurdha”, libër për fotografin legjendar të Ulqinit.
- Është në pritje për botim në Institutin Albanologjik të Prishtinës vepra studimore “Peshqit e detit tonë”.
- “Ulqini limani i shpëtimit”, përmbledhje për detarët dhe peshkatarët e Ulqinit.
- Antologjia letrare “Barka ime Ulqini”, me autorë vendas dhe botërorë.
Sipas autorit, veprat me numër 4 edhe 5 do të botohen në Ferizaj (Kosovë).
Dhe në fund, duke e vlerësuar lart botimin e kësaj antologjie, mund të konstatohet se të gjithë autorët aty e kanë vendin e vet.
Por, mbetet vërejtja se ka pasur edhe shkrimtarë të tjerë të cilët e kanë pasur vendin në këtë antologji. Kësaj radhe do ta përmendi vetëm një emër shumë të rëndësishëm në letërsinë shqiptare.
Bëhet fjalë për Jaho Kollarin.
Antologjia “Degë e trungut të urtë”, do të jetë e mirëpritur nga të gjithë nxënësit e shkollave shqipe në Mal të Zi, dhe më gjerë.
Është dashur të pritet më tëpër se shtatë dekada që të botohet kjo antologji.
