Ulqin – Nga data 8-11 shtator, në Ulqin është mbajtur edicioni i gjashtë i Kolonisë së piktorëve “Ulqini në telajo”, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 60 piktorë nga vendet e Ballkanit (Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi), përfshirë edhe piktorët vendas nga Ulqini.
Kolonia është organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Tirana, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe Organizatës Turistike të Ulqinit.
Gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në Ulqin, piktorët kanë realizuar peizazhe të qytetit nga perspektiva të ndryshme, dhe portrete të vajzave me veshje popullore.
Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, ka falënderuar institucionet e Ulqinit për mbështetjen e këtij aktiviteti dhe ka uruar që ai të ketë “jetën e gjatë dhe të vazhdojë të prodhojë tablo të tilla të bukura që e përjetësojnë Ulqinin e momentit në telajo”.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, ka thënë se është i mahnitur me veprat e piktorëve saqë megjithëse merret me turizëm prej njëzet vitesh dhe ka menduar se e njeh mirë Ulqinin, pikturat ofrojnë një Ulqin ndryshe dhe pamje që ai ka menduar se nuk ekzistojnë në Ulqin.
“Kjo do të thotë se arti dhe turizmi janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Hoxhiq ka premtuar se edhe në të ardhmen OTU do ta mbështesë këtë veprimtari dhe ka paralajmëruar se në edicionet e ardhshme do të përpiqen që ta zgjerojnë gjeografinë e piktorëve pjesëmarrës në koloni, duke i dhënë asaj karakter evropian.
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka shprehur kënaqësinë që kjo koloni, ka vazhduar rrugëtimin dhe jetën e vet.
“Mendoj se kjo i kontribuon qytetit tonë, duke ditur që qyteti ynë është qytet turistik dhe mendoj se ia shton edhe një ofertë më të madhe qytetit tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se fakti që kjo koloni bashkon piktorë nga shumë vende të rajonit jep një mesazh shumë të madh.
Disa nga piktorët pjesëmarrës në koloni kanë ndarë përshtypjet e tyre.
Piktorja nga Ulqini, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, ka thënë se kolonia ofron mundësinë që të shoqërohen dhe të komunikojnë me artistët nga rajoni.
Piktorja nga Mali i Zi, Svetllana Milloviq, ka thënë se Ulqini është qytet i cili i mban dyert e hapura për artistët dhe adhuruesit e artit. Ajo shpreson se në të ardhmen do të ketë më shumë ngjarje të tilla.
Piktori Irfan Adiloviq nga Serbia, i cili mori pjesë për herë të parë në këtë koloni, ka thënë se ka ardhur vetëm si pjesëmarrës, ndërsa kthehet i pasur me shumë miqësi dhe njohje të reja.
“Ne jemi artistë dhe gjuha e artit është gjuhë universale”, ka thënë ai.
Për piktorin nga Kosova, Haxhi Kastrati, qëllimi i këtij aktiviteti është që artistët të shkëmbejnë përvojat e veta.
“Qëllimi i këtij edicioni është t’i bashkojë artistët dhe të këmbejnë përvojat e tyre artistike. Secili artist ka paraqitur botën e vet, sipas konceptit dhe shikimit të vet… Natyra natyrisht kopjohet, por edhe krijohet”, ka thënë ai.
Piktori nga Shqipëria, Luan Boriçi, ka thënë se ata vijnë me dëshirë në këtë koloni, ku këmbejnë mendimet e tyre si artistë. Ai ka uruar që ky aktivitet të ketë vazhdimësi.
Kolonia është përmbyllur me ekspozitën kolektive të piktorëve në mjediset e Hotelit “Llolla”, ku kanë paraqitur punimet e tyre të realizuara gjatë qëndrimit në Ulqin.
Në fund të kolonisë janë ndarë certifikata për të gjithë piktorët pjesëmarrës.
i. k.
