Ulqin – Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” e ka përmbyllur projektin “Komunikimi ndërkulturor i të rinjve: sfidat dhe mundësitë” me konferencën për shtyp, të mbajtur të martën (6 shtator 2022) në sallën e Hotelit “Nobel”, ku është prezantuar udhëzuesi i shkurtër dygjuhësh “Të kuptuarit e ndërkulturalitetit”, i cili është realizuar në kuadër të projektit.
Projekti ka zgjatur tetë muaj dhe është mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Koordinatori i “Horizontit të Ri”, Nazif Veliqi, ka thënë se projekti ka pasur për qëllim edukimin e të rinjve nga Ulqini mbi interkulturalizmin dhe fuqizimin e tyre për promovimin e kulturës së tolerancës, respektimin e diversitetit dhe të drejtave të njeriut.
“’Horizonti i Ri’, si edhe shumë herë deri tani, e ka inicuar këtë projekt me qëllim të promovimit të bashkëpunimit ndërkulturor në shoqërinë tonë, në mënyrë që të zvogëlohet distanca ndëretnike, kurse interkulturalizmi të praktikohet në jetën e përditshme me qëllim të krijimit të mjedisit të sigurt, tolerant, kreativ në komunitet dhe në raport me të ndryshmen”, ka thënë ai.
Veliqi ka treguar se grupi kryesor i qëllimit kanë qenë të rinjtë, “me qëllim të fuqizimit dhe krijimit të grupit të liderëve të rinj të së ardhmes, me fokus në dy dimensione kyçe që i ka edukimi ndërkulturor: respektimi i së ndryshmes dhe respektimi i të drejtave të njeriut”.
Ai më tej ka thënë se aktivitetet kryesore në kuadër të këtij projekti kanë qenë një shkollë joformale mbi ndërkulturalizmin, të cilën e kanë ndjekur një grup prej 25 nxënësish të shkollës së mesme në Ulqin, dhe tri vizita në institucionet fetare.
Bashkëpunëtorja në projekt, Hazreta Cuca nga OJQ “Horizonti i Ri”, ka thënë se ndër pjesët më interesante të projektit ka qenë vizita studimore me të rinjtë.
“Kemi realizuar një vizitë në Kishën e Shën Pjetrit në Tivar dhe gjithashtu në Katedralen e Shën Gjon Vlladimirit, ku reagimi që kanë pasur dhe feedback-u që na kanë dhënë nxënësit ka qenë shumë interesant. Vërehet kurioziteti që kanë për etninë, fenë tjetër, dhe pyetjet që kanë bërë gjatë gjithë këtyre vizitave. Gjithashtu kemi zhvilluar edhe një vizitë në Medresenë ‘Mehmed Fatih’ në Tuz, ku këta nxënës kanë pasur mundësinë që bashkë me bashkëmoshatarët e tyre të shohin se si këta nxënës jetojnë në konvikte, si e zhvillojnë mësimin në një shkollë që është me baza kryesisht fetare”, ka theksuar ajo.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Astrit Hoxha, ka thënë se kjo ministri do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm çdo lloj projekti i cili vjen, qoftë për interkulturë, qoftë për sfidat e të rinjve dhe mundësitë e të rinjve etj.
Dr. Ludmilla Popoviq, u. d. së drejtoreshës së përgjithshme të Drejtorisë për Interkulturalizëm në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, ka thënë se “në planin global, interkulturalizmi nuk është diçka ku do të duhet të mbështetemi, por diçka që në thelb do të jetë rruga e vetme kulturore dhe kodi i vetëm kulturor për të ecur më tej. Ndër të tjera, ai është infrastruktura organike që ndërtohet në komunitetet lokale, si udhërrëfyes edhe për kulturën planetare”.
Ajo ka përmendur Ulqinin si një shembull të mirë të ndërkulturalizmit dhe si një model i ndërtimit të bashkëjetesës.
Popoviq ka lavdëruar edhe iniciativat siç është projekti i realizuar nga “Horizonti i Ri”, duke nënvizuar se është e nevojshme që të “fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet iniciativave qytetare, të cilat janë vitale, dhe institucioneve shtetërore, që janë ato struktura që mund të mbështesin dhe t’i avancojnë këto programe”.
Njëra prej pjesëmarrësve në projekt, Amra Demiri, nxënëse e vitit të katërt në Shkollën e Mesme “Vëllazërim-Bashkim”, ka folur për përshtypjet e saj lidhur me projektin.
“Gjatë këtij projekti ne kemi bërë disa trajnime, por mund të them se pjesa më e bukur dhe më e lezetshme ka qenë vizita që kemi bërë në dy katedrale: Shën Pjetri dhe Shën Gjon Vlladimiri në Tivar, si dhe vizita në Medresenë ‘Mehmed Fatih’ në Tuz. Gjatë vizitave, sidomos në katedrale personalisht, secili prej nesh ka pasur një kuriozitet shumë të madh për objektin, por edhe fenë në fjalë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, projektet dhe nismat e tilla janë të rëndësishme në shoqërinë tonë “për t’u afruar më tepër me racat, me fetë, me kulturat e ndryshme”.
Për rëndësinë e projektit dhe udhëzuesin mbi ndërkulturalizmin kanë folur edhe gazetarët Radomir Petriq nga Tivari dhe Mustafa Canka, autorë dhe bashkëpunëtorë në hartimin e udhëzuesit dhe në projekt.
Materiali i mbledhur dhe i përpunuar në udhëzuesin e shkurtër “Të kuptuarit e ndërkulturalitetit” paraqet konceptet kyçe që lidhen me edukimin ndërkulturor, modelet e tejkalimit të pengesave kulturore në shoqërinë moderne dhe përshkruan parimet e kompetencave ndërkulturore. Kjo broshurë dygjuhëshe fokusohet veçanërisht në rëndësinë e forcimit të dialogut ndërkulturor në sistemin arsimor, sepse pikërisht në këtë proces, ndërveprimi mes të rinjve me përkatësi të ndryshme është në nivel shumë të ulët.
i. k.
