Manifestimi i përbashkët tradicional në kohëzgjatje shtatë ditore (2-8 shtator 2022), këtë vit jubilar, i 45-ti Takimeve letrare të Plavës dhe i 20-ti Kolonisë figurative të këtij qyteti, i organizuar nën moton “Vjeshta Kulturore e Plavës 2022”, filloi të hënën, ditën e katërt të manifestimit, në hollin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” me mbrëmjen letrare me shkrimtarin, publicistin dhe kritikun letrar malazez, Ballsha Brkoviq, me të cilin lidhur me opusin e gjerë të veprimtarisë gjithëpërfshirëse letrare e publicistike, bisedën e zhvilloi shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur malazez nga Cetina, i cili ishte edhe pjesëmarrës i Takimeve të sivjetme letrare.
Sipas programit të manifestimit në fjalë, në orët e paradrekës së ditës së pestë, poetët për fëmijë, të shoqëruar nga drejtuesi i veprimtarive kulturore e artistike në Qendrën për Kulturë “Husein Bashiq”, Alija-Alo Rexhematoviq, kanë vizituar Shkollën Fillore “Hajro Shahmanoviq” dhe Shkollën e Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” të dyja në Plavë, në të cilat është bërë takimi i poetëve me nxënësit dhe mësimdhënësit, me ç’rast janë mbajtur orë letrare dhe janë zhvilluar biseda të ndërsjella dhe shkëmbyer përvoja e mendime nga aspekti i krijimtarisë letrare. Takime të tilla të njëjtën ditë, janë mbajtur edhe në Shkollën Fillore “Petar Dedoviq” në Murinë, kurse aktiviteti në orët e para të mbrëmjes së kësaj dite vazhdoi me hapjen e Kolonisë së radhës figurative në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, pjesëmarrës të së cilës ishin piktorët e mirënjohur të artit figurativ: Bojana Vushuroviq e Zharko Pllavshiq nga Mali i Zi, Hiba Allajbegoviq-Mustafiq nga Bosnja e Hercegovina, Millena Radivojeviq nga Serbia dhe Bojana Artinovska nga Maqedonia e Veriut. Piktorja vendase nga Plava, Kaltrina Hoti, për shkaqe objektive nuk iu përgjigj ftesës për pjesëmarrje, të cilët aktivitetet e veta të punës pikturale i përformuan në ambientet e Qendrës për Kulturë, sheshit të qytetit dhe objektit turistik – motelit “Damjanova Kulla” (Kulla e Damjanit) në fshatin Vojno Sellë në afërsi të Liqenit të Plavës, të cilat u ekspozuan në ballinat e mureve të hollit të Qendrës për Kulturë. Koloninë figurative në fjalë e shpalli të hapur drejtori i institucionit kulturor në fjalë Vlladimir-Vllado Knezheviq.
Në vazhdimin e programit të kësaj mbrëmjeje, të cilin e drejtoi moderatorja Sllagjana Bubanja-Merdoviq, është bërë promovimi i veprave të zgjedhura (në disa vëllime) e autorit boshnjak të këngëve epike në disa dhjetëra mijëra vargje, Avdo Megjedoviq, të arkivuara në arkivin e Universitetit të Harvardit në SHBA, mbi të cilat vështrimet e veta i performuan editori (botuesi) i veprave Kemal Musiq dhe kritikët letrarë Mr. Aleksandar Çoguriq nga Mali i Zi dhe Sead Husiq nga Bosnja e Hercegovina, i cili ishte pjesëmarrës i Takimeve letrare.
Në këtë mbrëmje me program ka qenë i paraparë të mbahet takimi me poetët vendas (katër sish), mirëpo pos poetit plavjan, Dr. Senadin Pupoviq, tre të tjerët nuk ishin të pranishëm.
Mbrëmja poetike (qendrore) e Takimeve të sivjetme letrare të Plavës është mbajtur të mërkurën – ditën e gjashtë, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në praninë e një numri të konsiderueshëm plavjanësh, por edhe të tjerë, aderues të fjalës së shkruar letrare-poetike, me ç’rast është zhvilluar programi i manifestimit me moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2022”, të cilin në rolin e moderatores e ka drejtuar veprimtarja e aktiviteteve kulturologjike zonja Sllagjana Bubanja-Merdoviq, kurse në sallë të pranishmit i ka argëtuar me përformancat muzikore me piano, nxënësi i Shkollës së Ulët Muzikore të Beranës, djaloshi Sergej Arsenijeviq, nga Andrijevica.
Takimet e sivjetme letrare të Plavës i ka shpallur të hapura kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, i cili në fjalën e vet të rastit ka përshëndetur gjithë të pranishmit, kurse poetëve dhe piktorëve prezent u ka dëshiruar mirëseardhje dhe i ka falënderuar për pjesëmarrje. Programi ka filluar me shpalljen e rezultateve të punimeve të nxënësve pjesëmarrës të të dyja shkollave fillore në Plavë e Murinë dhe asaj të mesme në Plavë, në konkursin e shpallur letrar dhe figurativ.
Në konkursin e shpallur letrar me moton “Dyert e vendlindjes, gjithmonë të hapura”, me temën “Më të mira janë fjalët e bukura, sesa kujtimet e shëmtuara”, juria treantarëshe: Dr. Mellida Travançiq (BeH), kryetare, Natasha Zhuriq dhe Bozhidar Proroçiq (të dy nga Mali i Zi), anëtarë, tri poezitë më të mira të nxënësve pjesëmarrës të konkursit u shpallën: Shpërblimi i parë me shifrën “Jesen” (Vjeshta) iu nda nxënësit Ivan Mitroviq, shpërblimi i dytë me shifrën “Marcus 22” iu nda nxënëses Dina Rexhepagiq dhe shpërblimi i tretë me shifrën “Mart” (Marsi), iu nda nxënëses Amira Markishiq, kurse mentore më të dalluar juria shpalli profesoreshën e Shkollës së Mesme në Plavë, zonjën Senada Gjesheviq. Ndërkaq, juria treantarëshe e konkursit të shpallur për vlerësimin e punimeve figurative të nxënësve pjesëmarrës në përbërje: Bojana Artinovska (MeV), kryetare, Zharko Pavlishiq (MZ) dhe Millena Radivojeviq (SRB), tri punimet më të mira figurative i vlerësoi ato të nxënësve konkurrues: Shpërblimi i parë nën shifrën “Ruža” (Trëndafili) iu nda nxënëses Llejlla Llalliq, shpërblimi i dytë nën shifrën “Bijela Rada” i takoi nxënëses Nera Llalliq dhe shpërblimin e tretë e ndanë nxënëset Sadella Huseinoviq nën shifrën “Snyppi” dhe Najlla Huseinoviq në shifrën “Oblak” (Reja). Të gjithë laureatëve konkurrues në konkurset e shpallura, dhe mentores më të dalluar, diplomat (shpërblimet) ua dorëzoi kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Por, tema qendrore dhe primare e programit të Takimeve të 45-ta letrare të Plavës, ka qenë prezantimi i poetëve me poezitë e veta nga opusi i gjerë dhe i begatë i krijimtarisë së tyre, nga Plava, Mali i Zi dhe rajoni.
Prej 18 poetëve të ftuar nga vendi dhe rajoni, ftesës i janë përgjigjur 13 sish, të cilët të pranishmëve u janë prezantuar me nga një dhe dy poezi të zgjedhura nga opusi i krijimtarisë së tyre letrare – poetike: Nga Mali i Zi: Senadin Pupoviq, Kaltrina Hoti, Obrad Neneziq, Natasha Zhuriq, Rajko Jolliçiq, Bozhidar Proroçiq, Sllobodan Obradoviq dhe Sullejman Bega Kujeviq, nga Kosova: Sabile Keçmezi-Basha, nga Bosnja e Hercegovina: Sead Husiq, Mellida Travançiq, dhe Nexhad Ibrahimoviq dhe nga Maqedonia e Veriut: Ande D. Jankov. Dy poetët nga Serbia: Nadija Rebronja dhe Zvonko Karanoviq nuk iu përgjigjen ftesës për pjesëmarrje. Theksojmë se poeti i mirënjohur malazez me prejardhje nga Komuna e Plavës, Todor Zhivaleviq-Veliçki, në pamundësi për të marrë pjesë në manifestimin letrar në fjalë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ka dërguar dy poezitë e veta të cilat i ka lexuar moderatorja e programit.
Të gjithë poetët pjesëmarrës të orës poetike të takimeve letrare, poezitë e veta i kanë lexuar në gjuhët e veta amtare: malazeze, shqipe, serbe, boshnjake dhe maqedonase. Theksojmë se këtë vit në Takimet letrare të Plavës, poezitë e veta në gjuhën shqipe (nga një sosh) i kanë përformuar dy poete: Sabile Keçmezi-Basha nga Prishtina dhe Kaltrina Hoti nga Plava. Poeti nga Kosova, Prof. Dr. Shyqri Galica nuk i është përgjigjur ftesës për pjesëmarrje.
Dy poetet shqiptare, Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha dhe Kaltrina Hoti, për gazetën “Koha Javore” janë prononcuar: “Sinqerisht them, ishte kënaqësi dhe privilegj të marr pjesë në këtë manifestim. Organizimi ishte në nivel, mikpritja në nivel, poetët pjesëmarrës, po ashtu në nivel. Për poezi mos të flasim. Ato flasin shumë më tepër sesa vet personi që i thotë, kështu që lirisht mund të them se poezitë ishin të shkëlqyeshme. Poezi pa ngarkesa politike, poezi vërtetë poetike. Kështu që jam e kënaqur pa masë që jam këtu sonte”, është shprehur poetja e mirënjohur nga Prishtina Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha. Ndërkaq, poetja por edhe piktorja e mirënjohur nga Plava, Kaltrina Hoti, në reflektimin e përshtypjes dhe mbresës së vet nga manifestimi në fjalë është deklaruar: “Ky manifestim është shumë i rëndësishëm. Ashtu siç ja dhash porosinë gjeneratës së re. Përpos shpirtit, duhet të ushqehet edhe zemra e njeriut, që të krijohet njeriu si i plotë. Është kënaqësi që këtu është bashkimi i njerëzve prej vendeve të ndryshme, evokimi i shprehjeve të ndryshme, e çka është më kryesorja të gjithë jemi duke prezantuar veten me tinguj të poezisë. Poezia në mendimin tim është pikturë. Prandaj, sonte pak a shumë në të kemi pikturuar pikturën që nuk mund të shihet, por mund të përjetohet”.
Takimet e 45-ta letrare të Plavës dhe Kolonia e 20-të figurative e qytetit në fjalë, kanë përfunduar në orët e paradrekës të ditës së enjte – ditës së shtatë, me piknikun e pjesëmarrësve që ua kanë bërë atraksioneve dhe bukurive natyrore e infrastrukturore me të cilat disponon Plava me rrethinë, siç janë: Liqeni i Plavës, Kulla e Rexhepagiqëve, Xhamitë mbretërore (ndër më të vjetrat në Mal të Zi) Sulltanija, e Rexhepagiqëve dhe e Shaboviqëve, Kisha Ortodokse Serbe “Trinia e Shenjtë” në Brezojevicë etj.
Manifestimi i përbashkët tradicional, Takimet e 45-ta letrare të Plavës dhe Kolonia e 20-të figurative e këtij qyteti, të cilin në fund të programit e shpalli të mbyllur moderatorja Sllagjana Bubanja-Merdoviq, u organizua nga Qendra për Kulturë “Husein Bashiq” e Plavës, nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Malit të Zi në mandat teknik, dhe nën mbikëqyrjen e mbështetjen e Komunës së Plavës.
Shaban Hasangjekaj
