Dekorimet ideologjike në Shqipëri ende të pa shfuqizuara

Në vendet e ish-kampit socialist, dukuria e dekorimit ishte bërë pjesë e politikës shtetërore, duke vlerësuar punën dhe të arriturat në veprimtaritë e ndryshme, ku përveç individëve vendas janë dekoruar edhe shtetas të huaj. Fjala është për dekorimin e individëve të cilët kanë qenë pjesëmarrës në LDB, e të cilët sipas tyre kanë merita të mëdha në fitoren e ideologjisë komuniste. Në këtë aspekt nuk bën përjashtim as Shqipëria që dëshmohet me vendimin nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar më 5 shtator 1945, ku Janë dekoruar individë nga Jugosllavia, ku një numër i tyre janë dëshmuar si antishqiptarë, por është për t’u çuditur se një vendim i tillë nuk është shfuqizuar më pas e sidomos nga miratimi i pluralizmit (1990), që është turp për udhëheqësit e Shqipërisë, që nuk mund të arsyetohet më asgjë!

Nail Draga

Roli i eprorit jugosllav në çlirimin e Tiranës
Në lidhje me këtë regjistër të dekoruarish, deri më tash nuk kemi të dhëna se ndonjë studiues këtë çështje e ka trajtuar me kompetencë profesionale, që do të ishte me interes për të shpalosur rolin e tyre gjatë e pas LDB-së në Shqipëri. Por, në këtë regjistër nga personat e dekoruar bie në sy ai nën nr.22, që veçohet nga të tjerët, sepse i dorëzohen tri dekorata (!?) Andaj iu mbetet hulumtuesve të zbardhin veprimet kriminale të eprorëve jugosllavë në bashkëpunim me komunistët shqiptarë gjatë LDB-së në përgjithësi dhe sidomos në luftën për çlirimin e Tiranës (nëntor 1944), nëse ata nuk janë asgjësuar nga pushteti monist i kohës.

Beogradi dekoron Enver Hoxhën
Gjatë vizitës së Enver Hoxhës në Beograd-Jugosllavi nga data 23 qershor-2 korrik 1946, nikoqirët u përkujdesën që atë ta dekorojnë me titullin „Hero i popullit të Jugosllavisë“.
Në lidhje me këtë dekorim Gazeta „Bashkimi“ e datës 28 qershor 1946 shkruan se në selinë e Presidiumit të Asamblesë Popullore të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, u bë ceremonia e dekorimit të Enver Hoxhës dhe pjesëtarëve të tjerë të këtij delegacioni.
Presidenti jugosllav Ivan Ribari i dorëzoi dekoratën Enver Hoxhës, anëtarëve të delegacionit, si dhe ministrit në Beograd Hysni Kapo, këshilltarit të legatës shqiptare atje Sofo Çomora, dhe ndihmësatasheut Shpend Dega. Presidenti jugosllav deklaronte:
“Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare ju e udhëhoqët popullin tuaj me heroizëm dhe vetëmohim. Ju qëndruat në krye gjer në fund të kësaj lufte të madhe të popullit shqiptar për pavarësinë e tij dhe për realizimin e aspiratave të tij shekullore. Me këtë luftë kundër armikut të përbashkët, u realizua gjithashtu vëllazërimi dhe miqësia e përhershme midis popullit shqiptar dhe popujve të Jugosllavisë. Për këtë arsye popujt e Jugosllavisë janë dhe do të jenë gjithnjë krenarë për marrëdhëniet e tyre vëllazërore me popullin shqiptar, duke pasur bindjen e plotë në zhvillimin e përparimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, si dhe zhvillimin e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”.
Enver Hoxha deklaronte: “Jam i gëzuar dhe i lumtur që po marr nga Presidiumi i Asamblesë Popullore të Jugosllavisë dekoratën më të madhe të popujve të Jugosllavinë, Urdhrin e Heroit të Popujve. Jam i gëzuar se dekorata që më jepet është e të gjithë popullit shqiptar, i cili pa rezerva dhe pa kompromis u hodh në luftën e madhe antifashiste përkrah të gjithë popujve liridashës duke mos kursyer edhe jetën. Në çastet më të vështira vendi ynë ka gjetur mbështetjen më të madhe te Jugosllavia, dhe populli ynë ka patur te popujt e Jugosllavisë, miqtë dhe aleatët më besnikë. Kjo miqësi dhe ky vëllazërim që është vaditur me gjakun e martirëve tanë, le të forcohet edhe më tepër mbasi vetëm me këtë mënyrë do të sigurohet një jetë më e mirë për popujt tanë, do të sigurohet paqja në Ballkan dhe do të forcohet demokracia. Dekoratën që po marr, Urdhri i Heroit të Popullit, do ta mbaj me krenari, sepse ajo simbolizon vuajtjet dhe luftën e madhe që popujt e Jugosllavisë kanë bërë për lirinë e tyre dhe për gjithë popujt liridashës”.

Shfuqizimi i munguar
Ndonëse ishte kritik ndaj pushtetit në Jugosllavi pas vitit 1948, Enver Hoxha dekoratën „Hero i popullit të Jugosllavisë“ nuk e ka kthyer pas, por e ka mbajtur deri sa ishte gjallë, duke i mbetur besnik ideologjisë komuniste deri në vdekje(!).
Ndërsa duke marrë parasysh se një numër i të dekoruarëve kanë vepruar kundër shqiptarëve, si në Shqipëri e në Kosovë (Rankoviq, Mugosha, Vukmanoviq etj.) ka qenë e udhës që ato të shfuqizohen. Në lidhje me këtë çështje ka mundur të veprohet pas vitit 1948, kur u ndërprenë marrëdhëniet ne mes Shqipërisë e Jugosllavisë apo edhe më vonë, por pushteti në Shqipëri ishte inferior ndaj jugosllavëve (!) që është dëshmuar deri më rënien e sistemit monist (1990) dhe më pas, që nuk mund të arsyetohet me asgjë.

Të fundit

më të lexuarat