
Në Dardani, Kisha Dioqezane e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, ka njoftuar organizimin e aktiviteteve, “Ditёt e të Shenjtës Nёnё Terezё”, nga data 26 gusht (ditëlindja e Gonxhe Bojaxhiut), deri mё 5 shtator – dita e festës sё saj liturgjike, qё përkon edhe me kalimin e saj nё amshim. Por “Drita e Gonxhes” u ndez në sheshin e Shkupit aty ku është pllaka përkujtimore e vendlindjes së Nënës Terezës, ku edhe u hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që sivjet fillon si edicion i veçantë i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Sipas këtij instituti, ceremonia filloi me vendosjen e luleve nga delegacioni i Institutit, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skënder Asani, nga delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – i përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Universiteti “Nëna Terezë”, i përfaqësuar nga rektori, Akad. Izet Zeqiri, ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja, nga bashkësitë fetare – Kryetari i BFI-së, H. Shaqir ef. Fetahu, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe z. Pepi Levi nga Bashkësia Hebraike e Maqedonisë së Veriut, si dhe drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënë Terezës, z.Naser Curri.
Nga Shkupi në Prishtinë – Të premten që kaloi, në Qendrën “BogdaniPolis”, u përkujtua ditëlindja e shenjtoresh shqiptare, Shën Nënë Terezë, me një akademi solemne të organizuar nga Katedralja e Prishtinës, përkatësisht, Dioqeza Prizren-Prishtinë. Ditëlindja e Shën Nënë Terezës u kremtua me një akademi solemne (drita.info)
Me moton “Unë kam në zemër popullin tem shqiptar”, thënie e vet Nënë Terezës dhe me himnin e saj, filloi atmosfera solemne, ku tё pranishmit i përshëndeti Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodё Gjergji me fjalët: “Duam t’i përngjajmë asaj nё thjeshtësi, nё dashuri, nё sakrificë, në punë të vogla, bёrё me dashuri të madhe siç thoshte Nёnё Tereza”. Me këto fjalë, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodё Gjergji, hapi akademinë solemne përkujtimore, organizuar nё Prishtinё. Akademia solemne u mbajt në Qendrën ‘BogdaniPolis”, me pjesëmarrje tё gjërë tё qytetarëve, tё perfaqesuesve tё jetës politike, shoqërore, kulturore e fetare, nё mesin e të cilëve kishte edhe përfaqësues tё Bashkësisë Islame tё Kosovës, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit.
Veprimtari kushtuar Nënë Terezës u mbajtën në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë. Edhe Federata Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork ka zhvilluar të shtunën e kaluar më 3 shtator 2022, një tubim përkujtimor kushtuar Nënë Terezës, në qendrën e Vatrës në Nju Jork. Autori i këtij shënimi mbajti një kumtesë me titull: “Amerika për Nënë Terezën”.
Jam i sigurt se edhe në pjesë të tjera të botës u përkujtua ky përvjetor me aktivitete të ndryshme kushtuar kujtimit të Nenë Terezës. Këtu në Shtetet e Bashskuara është njoftuar se do të shfaqet filmi dokumentar me titullin: “Nenë Tereza: Nuk ka dashuri më të madhe” (Mother Teresa: No greater love). Filmi që është realizuar nga organizata amerikane më e madhe katolike në botë, “Kalorësit e Kolombos” (Knights of Colombos), u shfaq fillimisht, për herë të parë në Vatikan, të mërkurën me 31 gusht.
Burime të medias këtu në Amerikë, njoftojnë se filmi pastaj do të shfaqet në fillim të tetorit këtu në Shtetet e Bashkuara në më shumë se 960 teatro filmash, anembanë Amerikës. Filmi përshkruan jetën e shënjtores së shekullit 20-të dhe ndikimin e veprimtarisë së saj dhe të urdhërit të Nenë Terezës, “Misionaret e dashurisë”, një komunitet fetar katolik i dedikuar t’u shërbejë më të varfërve, anembanë botës. Në ekranin filmik do të shohim rishtas Nënë Terezën – nënën e “të varfërve më të varfër” në botë, nënën dhe motrën e njerëzimit, gruan më të madhe të shekullit 20-të. Filmi dokumentar është realizuar në 5 kontinente, duke ndjekur punën dhe veprimtarinë e “Misionareve të dashurisë” në ditët e sotme, sipas të dhënave në median amerikane. Filmi përfshin edhe komentet e personaliteteve fetare dhe civile mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.
Kanë kaluar 25-vjet nga dita që Nënë Tereza ka kaluar në përjetësi. Si rrjedhim, ky përvjetor duket se ka shkaktuar nxitjen e një interesimi të ri në botë për këtë personalitet botëror të shekullit të kaluar, për këtë bijë të kombit shqiptar – njëherazi edhe një gjigande shpirtërore të njëzetit shekull. Sipas promovimit të këtij dokumentari, filmi është realizuar, siç shënova më sipër, në 5 kontinente ku vepron urdhri i Nënë Terezës, duke përdorur dokumentacion nga arkivat institucionale të “Misionareve të dashurisë” dhe të tjera, por edhe në aktivitetin aktual të Misionareve të Nënë Terezës. Filmi, jo vetëm që dokumenton se kush ishte Nënë Tereza, por gjithashtu tregon edhe se si “Misionaret e dashurisë” veprojnë edhe sot bazuar në vizionin e saj për t’u shërbyer dhe për t’u kujdesur, për më të varfrit e më të varfërve të botës. Është pra një dokumentar, por më shumë se thjesht një film. Është gjithashtu edhe një nderim, një homazh që sa vjen e shtohet ndaj një ikone shpirtërore – për një dëshmitare të fuqishme të dashurisë së vërtetë autentike të krishterë, si dhe një shembull për të gjithë ata që kërkojnë shpresën në këto kohë të turbullta, thuhet në promovimin e filmit.
Ndërkaq, edhe një njoftim në përputhje me këto aktivitetet kushtuar Nnë Terezës nga Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare – Vatra përkujton Nënë Terezën në 25-vjetorin e kalimit në amshim – Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ditën e shtunë, më 3 Shtator 2022, ora 11, në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458, në një ceremoni solemne përkujtoi 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë. Ceremonia e përkujtimit dhe nderimit u organizua në Selinë Qëndrore të Vatrës me pjesëmarrjen ekskluzive të:
-PhD Ines Murzaku me temën: “Nënë Tereza dhe Revolucioni i Brishtësisë”.
-PhD Elmi Berisha me temën: “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.
-Z. Frank Shkreli me temën: “Amerika për Nënë Terezën”.
-Dr. Paulin Marku me temën: “Nënë Tereza”, malli dhe dhimbja për atdheun”.
Aktivitetin e moderoi editori i Diellit.
