Vuksanlekaj – Takimi i mërgimtarëve “Vëllazërisht me diasporën”, është aktiviteti i radhës të cilin e organizoi Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit “Vera kulturore në Malësi”.
Ky tubim madhështor ku morën pjesë numër i madh i bashkëvedasve që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës, u zhvillua në Kullën e Vuksan Lekës, në fshatin Vuksanlekaj.
Mërgimtarët në këtë mbrëmje u shoqëruan vëllazërisht me miqtë që jetojnë në vendlinje, me familjarët e tyre, por edhe me përfaqësues të Komunës së Tuzit, duke shkëmbyer ide dhe plane të reja për zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të trevës së Malësisë.
Fillimisht të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj i cili duke iu urojë mirëseardhje dhe pushime të këndshme në vendlindje të gjithë mërgimtarëve, i informoi ata mbi veprimtarinë e Komunës së Tuzit mbi zhvillimin e vendit, si dhe mbi projektet e rëndësishme infrastrukturore që janë realizuar dhe ato që janë në realizim e sipër.
“Sot jemi bashkë këtu me Ju, që t’ju themi mirë se vini në shtëpinë Tuaj, në emër të institucionit, Komunës së Tuzit të cilën e keni dashur dhe kërkuar bashkë me ne vite me radhë, e më në fund sot e kemi këtë institucion që e drejtojmë bashkë me Ju për të mirën dhe zhvillimin e këtij vendi”, tha Gjeloshaj.
Kryetari i Komunës së Tuzit shprehu mirënjohje dhe falënderim për të gjithë kontributin që diaspora shqiptare ka dhënë ndër vite për Malësinë.
“Në kohën kur Malësia nuk kishte institucionin e vet, ka pasur diasporën e cila nuk ka gurë që është vendosur në këtë vend që s’ka qenë edhe djersa Juaj. Dhe kjo është ajo që na ka mbajtur dhe që na ka dhënë durim që të presim e të kemi vetëqeverisjen tonë lokale. Para tre vitesh në koordinim me Ju e kemi fituar Komunën dhe bashkë me Ju kemi vazhduar të kordinojmë dhe ta drejtojmë si një vetëqeverisje të mirë me baza për zhvillim”, theksoi kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ai shtoi se gjatë tre viteve të fundit, pavarësisht kushteve të vështira nga pandemia dhe nga ndryshimi i pushtetit në vend, në Malësi është punuar dhe investuar shumë.
“Vullneti, dëshira dhe bashkëpunimi dhe mbështetja Juaj dhe e qytetarëve këtu, ia kemi dalur që të vendosim themelet e mira për zhvillim dhe se Malësia ka marrë rrugëtimin e saj pa kthim. Ai është rrugëtimi i drejtimit të mirë dhe i zhvillimit ekonomik”, u shpreh Gjeloshaj.
Ndërkohë, ai duke mos u ndalur tek investimet që janë kryer më parë që nga marrja e pushtetit në Tuz, Gjeloshaj u ndal tek bilanci i punimeve që është duke u realizuar këtë vit në zhvillimit dhe prosperitetin e vendit në tërësi.
Ai potencoi kilometra të tëra që janë realizuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend, nga bjeshka e Koritës e poshtë, si dhe ato që janë në realizim e sipër në periudhën në vazhdim, në infrastrukturë rrugore, në ujësjellës dhe në sektorin e sportit.
“Në Malësi janë katër fabrika në ndërtim e sipër, që asnjë komunë tjetër në Mal të Zi e ndoshta as në rajon, në këtë kohë nuk i ka.
Kemi fabrikën e çipsit, fabrikën e vajit, fabrikën e përpunimit të frutave dhe perimeve dhe fabrikën e qumshtit dhe përpunimit të djallit e cila filloi të ndërtohet para një muaji. Këto katër fabrika sjellin zhvillim ekonomik, vende të reja të punës. Pra me këto investime që po kryhen tash tre-katër vite që jemi këtu, me hapjen e këtyre fabrikave Malësia nuk është më ajo që ishte”, tha ndër të tjera Gjeloshaj.
Ai më tej u zotua se në vazhdim do të ndërtojnë sheshin e ri të qytetit, me një investim afro 1 milionë euro, për t’u ngritur më pas m’u në mes të sheshit permëndorja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skendërbeut.
Ndërkaq, të pranishëm në takim ishin edhe kryetarë të disa shoqatave atdhetare që veprojnë në Shtetet e Bashkura të Amerikës, të cilat ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar dhe të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe zhvillimin e Malësisë në të gjitha sferat jetësore.
Për veprimtarinë, kontributin dhe misionin e shoqatave që drejtojnë dhe për vizionin e tyre fisnik dhe human për Malësinë në të ardhmen, folën kryetari i shoqatës atdhetare “Malësia e Madhe”- Miçigan, z. Ndrekë Gjolaj, kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë”, z. Vilson Sinishtaj dhe kryetari i shoqatës “Malësia” në Kaliforni, Enver Vero Gjokaj.
Takimi me mërgimtarët kaloi në një atmosferë të këndshme miqësore, ku të pranishmit duke u shoqëruar me njëri-tjetrin, shijuan koktej të përgatitur për ta, që u harmonizua me tinguj të fyellin nga Shtjefën Ujkaj, dhe recitim të poezisë nga Idriz Gjokaj e më pas duke u argëtuar me muzikë live nga këngëtarja Eliza Markiq nga Ulqini.
t. u.
