Magjia artistike dhe njerëzore e festivalit, do ta bëjë Tuzin qendër treditore të kulturës shqiptare

Gjekë Gjonaj

Nesër, një vit më vonë seç ishte planifikuar e që u shty për shkak të Kovid-19, fillon Festivali Mbarëkombëtar i Foklkorit “ Rapsha 2022” – Malësi e Madhe, i cili do të mbahet në Vitojë – Tuz. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore organizohet nga Shoqëria Kulturore Artistike “Rapsha” – Drume, e cila ndër vite është kultivuese e kulturës dhe traditës së shqiptarëve si popull me tradita që jetojnë me shkeuj të stërlashtë në trojet e tyre etnike në Malin e Zi. Në skenën e hapur të këtij festivali, siç ka bërë të ditur organizatori, nga datat 19-21 gusht pritet që shoqëritë kulturore, ansamblet dhe grupet artistike folklorike të shpalosin vlerat e folklorit të zonave të ndryshme shqiptare nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bujanovci, Presheva dhe diaspora, konkretisht nga Nju Jorku
e Detroiti (SHBA). Për fat të keq sivjet, siç na konfirmoi David Junçaj, kryetar i SHKA “Rapsha”, nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë grupet folklorike shqiptare nga Greqia, Italia dhe Zvicra. Megjithatë, do të jetë kjo një festë e madhe mbarëkombëtare, një dasëm me qindra dasmorë e dasmoresha të grupmoshave të ndryshme, të cilët do t’i japin Tuzit dhe Malësisë së Madhe hijeshi dhe bukuri me veshjet e larmishme popullore, si pasuri e veçantë e kulturës sonë materiale me vlera të rralla etnografike nga treva të ndryshme shqiptare.
Kjo sofër kombëtare edhe këtë vit, si shumë vite më parë, do të bashkojë në një vend artistë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë, e të tjerë, dhe do të dëshmojë se folklori dhe kultura e popullit shqiptar buron dhe gjallon në të gjitha hapësirat e jetës së kombit tonë. Kjo magji artistike dhe njerëzore do ta bëjë Tuzin qendër treditore të kulturës shqiptare.
Pritet të jetë një festë e vërtetë me momente të rralla e të papërsëritshme të cilat e pasurojnë dhe e fisnikërojnë jetën tonë shpirtërore.
Gjatë ditëve të festivalit, mes shumë emocioneve, do të mbizotërojë më e bukura e trashëgimisë sonë materiale dhe kulturore, kultivimi i valles dhe këngës së bukur shqipe. Do të prezantohen këngë lirike, të dashurisë, dasmës, kurbetit, këngët më të vjetra të mbërritura deri në ditët tona, këngët “përkrye krahut” ose “maje krahut”, me një origjinalitet mahnitës si dëshmi e periudhës pagane dhe një perlë e traditës së lashtë shqiptare, këngët epike përmes së cilave shqiptarët kanë fiksuar trimërinë dhe historinë, e të tjera. Të gjitha këto do të përcillen me vegla tradicionale siç janë: lahuta, çiftelia, sharkia, fyelli, kavalli, defi, lodra apo tupani e shumë vegla të tjera muzikore tradicionale. Artistët popullorë me artin e tyre do të sjellin para publikut malësorë (shqiptarë) ngjarje të rëndësishme historike, figura personalitetetesh të historisë, valle burimore, lojra popullore, kontribute dhe ngjarje të tjera të cilat përbëjnë prurje burimore të kulturës dhe historisë sonë kombëtare.
Prurjet e këtij festivali do të dëshmojnë se shekuj me radhë është kënduar dhe është kultivuar në mënyrë të pandërprerë etnosi dhe kënga arbërore. Gjithashtu, ky festival do të shërbejë në gjallërimin e jetës kulturore-artistike të Komunës së Tuzit dhe në shtimin e artdashësve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj në veprimtaritë e trashëgimisë shpirtërore.
E gjithë kjo veprimtari dhe punë me vlerë kombëtare e organizatorëve dhe grupeve folklorike shqiptare pjesëmarrëse, synim kryesor ka ruajtjen e foklorit burimor shqiptar (traditës folklorike) nga harresa dhe përcjelljen e tij nga brezi në brez. Aty ku nuk ruhet dhe kultivohet vallja dhe kënga e bukur shqipe, nuk ka dhe nuk do të ketë shqiptarë.
Shoqërite kulturore, ansamblet dhe grupet folklorike në të gjitha trevat etnike shqiptare dhe nga diaspora e largët, sjellin vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare. Prandaj ato do të duhej patjetër të mbështeten financiarisht nga institucionet e kulturës, të shtohen fondet nga viti në vit për kulturën, sepse kultura është vlera më e çmuar që kemi ne si komb arbëror.
Edicioni i sivjetëm, i gjashti me radhë i këtij eventi të madh të trashëgimisë folklorike me karakter garues, parashikon edhe ndarjen e çmimeve nga juria profesionale, sipas kritereve të paracaktuara artistike në statutin e tij.
Organizimin e këtij manifestimi, ku do të takohen trashëgimia shpirtërore me atë kulturore, e ndihmuan donatorë vendas dhe nga diaspora e Malesisë së Madhe në Nju Jork dhe Detroit (SHBA), sikurse edhe Komuna e Tuzit.

Të fundit

më të lexuarat