
(vijon nga numri i kaluar)
Kuadrot e specializuara këtu mund të kontribuojnë në zhvillimin e Malësisë. Ata mund të vijnë atje për një kohë të shkurtër, disa edhe më të gjatë, duke treguar përvojën e tyre. Një pjesë e këtyre janë specialistë të dalluar në fushat e tyre të veprimtarisë.
Edhe profesionistët e Malësisë mund të vijnë për specializime në Amerikë. Këto shkëmbime do të ishin shumë të mira për zhvillimin e trojeve tona. Ata që kanë lindur në Amerikë quhen amerikano-shqiptarë, ndërsa ata që kanë lindur në tokat shqiptare zyrtarisht quhen shqiptaro-amerikanë. Emërtimi “mërgimtar/ë” nuk qëndron më, sepse shumica e tyre janë nënshtetas amerikanë dhe kërkojnë të trajtohen si të tillë. “Mërgimtar” do të thotë emigrant, dhe asnjë prej nesh nuk dëshiron të quhet emigrant, sepse janë qytetarë të rregullt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumica janë kryelartë për shtetësinë të cilën e kanë pranuar me dëshirë dhe pa asnjë dyshim. Është më e drejtë dhe më e arsyeshme që kjo shoqëri të quhet diasporë. Do të ishte shumë e dobishme që marrëdhëniet e diasporës me vendlindjen dhe me institucionet politike të Tuzit dhe Malësisë të përforcoheshin, duke dhënë çdokush kontributin moral, financiar, ku mund të përfshihen specialistët e lartpërmendur.
Diaspora e Malësisë është shumë e pasur. Llogaritet se kjo diasporë mund të ketë jo më pak se dy miliardë dollarë, ku një përqindje e vogël mund të ndihmonte rindërtimin e Tuzit dhe Malësisë. Lidhjet e Komunës me diasporën do të përforcohen çdo ditë. Gradualisht duhet të bëhen shkëmbime ekonomike, sidomos pasi të fillojnë prodhimet e fabrikave të Malësisë. Ato produkte mund të shiten nesër në tregjet amerikane, sidomos në qytetet ku jetojnë malësorët.
Do të ishte mirë nëse fillojnë shkëmbimet e ndryshme kulturore. Tuzi dhe Malësia kanë potencial të madh ekonomik dhe turistik. Malësia jonë ka hise të madhe në Liqenin e Shkodrës, që është liqeni më i madh në Ballkan. Fushat pjellore të Malësisë janë shumë frytdhënëse. Edhe zonat malore janë pjellore. Lumi Cem dhe bjeshkët e Malësisë janë të shkëlqyeshme për bagëti dhe për verime.
Teknologjia e kompjuterëve super modernë është tepër e rëndësishme për lidhjet e diasporës me Tuzin dhe Malësinë. Këto sot janë mrekulli që para sa dekadash nuk mund të paramendoheshin. Diaspora e Malësisë është e madhe. Sipas disa statistikave jozyrtare, diaspora e Tuzit dhe e Malësisë është diku rreth 25.000 (njëzet e pesë mijë) banorë, që përafërsisht është nja 10.000 (dhjetë mijë) banorë më shumë se Tuzi dhe Malësia. Është shumë sukses ndërtimi i pallateve rezidenciale në Tuz, kështu që njerëzit e diasporës mund të blejnë apartamente moderne, kështu nuk kanë nevojë të shpenzojnë qindra e qindra mijë dollarë për blerjen e tokës dhe ndërtimin e shtëpive në atë vend. Kështu veprojnë popujt e qytetëruar.
Në të ardhmen do të vendosen lidhje të mira ajrore midis Podgoricës e Nju Jorkut, mundësisht edhe Detroitit. Lidhje të tilla do të vendosen edhe mes Shkodrës dhe qyteteve të lartpërmendura amerikane. Zhvillimi i infrastrukturës midis Malësisë, Shqipërisë dhe Kosovës do të japë rezultate të mëdha ekonomike.
Malësorët e Amerikës janë shquar edhe në fushën e artit, kulturës dhe sporteve, duke zënë vendin e parë në disa konkurse të bukurisë dhe sporteve të ndryshme, pastaj janë shquar edhe në fushën e kinematografisë, duke hyrë në disa qarqe artistike deri edhe në Holivud. Këta mund ta ndimojnë zhvillimin e arteve të ndryshme në Malësi.
Lidhjet e ngushta midis Malësisë dhe diasporës janë të domosdoshme, duke filluar nga ato ekonomike, administrative dhe kulturore. Drejtoria e Komunës së Tuzit për lidhjet me diasporën duhet të fuqizohet për ditë e më shumë, bile do të ishte mirë sikur të themelonte degët e veta në qytetet amerikane, ku jetojnë malësorët me shumicë. Pritjet dhe respekti janë shumë të rëndësishme për diasporën. Politizimi i diasporës nuk është aspak i mirë. Kjo është vënë re në diasporën e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Zyrat e larta qendrore malazeze do të ishte mirë të kishin përfaqësues shqiptarë, të cilët do të bashkëpunonin me diasporën tonë. Shumica e malësorëve që kanë lindur këtu ose kanë imigruar në moshë të re flasin mirë shqip, por aspak gjuhën malazeze, kështu që është e vështirë, mbase edhe i pamundur bashkëpunimi me zyrat e larta të atij vendi. Gjuha amtare është e drejtë natyrore dhe të drejtat natyrore janë të patjetërsueshme. Shqiptarët në Malësi nuk është e drejtë të quhen pakicë. Emri i tyre i vërtetë është autokton, ashtu siç janë autoktonë indianët e Amerikës. Ata nuk quhen pakicë në Amerikë. Ata quhen amerikanë vendas. Këto emërtime kanë për qëllim pushtimin e përhershëm të rajoneve shqiptare. Qeveritë e Malit të Zi duhet të pajisin Kushtetutën e tyre me amandamente shtojcë, duke korrigjuar gabimet e mëdha ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Autoktonët shqiptarë janë trajtuar keq qysh në kohën kur janë pushtuar nga forcat serbo-malazeze. Malësorët nuk do t’i harrojnë kurrë masakrat serbo-malazeze kundër malësorëve në Drume të Hotit, pastaj në Qafë të Previsë dhe në Tivar. Për këto dhe shumë masakra të tjera, Mali i Zi duhet t’u kërkojë falje malësorëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi. Ky është shekulli i lirisë së autoktonëve dhe pakicave, qofshin ato kombëtare, raciale ose fetare.
Politikat e kaluara kanë bërë eksperimente politike me shqiptarët në Mal të Zi. Në periudhën kur kishin nevojë për ekonominë e tyre, ata e kishin bërë udhëtimin e lehtë për në vendlindjet e tyre. Më vonë, kur Sllobodan Millosheviqi kërkonte spastrimin e shqiptarëve nga tokat e tyre, ata e bënë të vështirë vizitën në vendlindje. Në periudhën kur Mali i Zi bënte përpjekje për pavarësi, diaspora u ftua për të marrë pjesë në votime, bile qeveria e atij vendi pagoi udhëtimet e tyre në Mal të Zi. Menjëherë pasi e realizuan pavarësinë, hartuan ligje për të vështirësuar të drejtën e votës së diasporës. Ata e zhagitën për tri dekada të drejtën e malësorëve për të krijuar komunën e tyre të pavarur. Ata harrojnë se diaspora sot është shumë e fuqishme dhe mund të ndërhyjë tek autoritetet më të larta politike amerikane. Kjo u pa gjatë vizitës vitin e kaluar të kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili gjatë asaj vizite u prit me nderime, bile edhe për dreka dhe darka me disa personalitete të larta politike në Nju Jork, në Nju Xhersi dhe në Uashington DC. Ishte vizita më e suksesshme politike e një malësori në Shtetet e Bashkuara. Mali i Zi duhet ta kuptojë njëherë e mirë se nuk ka më lojëra me malësorët.
Përparimet e mëdha të Komunës së Tuzit e kanë ndryshuar qëndrimin e diasporës në mbështetje të Malësisë. Pjesa më e madhe e diasporës në Amerikë është shumë e kënaqur me arritjet ekonomike, politike dhe kulturore të Komunës së Tuzit dhe Malësisë. Ata do të vijnë për pushime dhe për argëtime. Sivjet mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit “Rapsha 2022” Malësi e Madhe, pastaj do të përurohet përmendorja e patriotit të përmendur të Malësisë së Madhe, Baca Kurtit, dhe më 11 shtator do të përurohet edhe memoriali i tre martirëve shqiptaro-amerikanë që humbën jetën në tragjedinë e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork. Gjatë kësaj vere, në Malësi do të ketë gëzime dhe festime, pastaj logje e konkurse bukurie në Bjeshkën e Koritës. Populli dhe institucionet e Komunës së Tuzit duhet të jenë gati për t’i argëtuar qytetarët e diasporës, por edhe ata duhet ta ndihmojnë financiarisht popullin e Malësisë dhe komunën. Sivjet diaspora është përfshirë në një entuziazëm të pashoq kur është fjala për të ardhmen e Malësisë.
Tuzi dhe Malësia është një territor relatavisht i madh dhe shumë i pasur. Shtrirja gjeografike e Malësisë na kujton disa treva të Kalifornisë, ku në distanca të shkurtra temperaturat ndryshojnë. Në dekadat e ardhshme Tuzi dhe Malësia mund të arrijnë përparimin e Andorës, Lihtenshtajnit ose Makaos. Për të arritur këto vende është e domosdoshme qetësia, drejtësia dhe dashuria e malësorëve për trojet e tyre dhe në diasporë. Aty kemi historinë tonë mijëvjeçare dhe një ditë ky territor do të nderohet për shumë të mira duke filluar te besa, burrëria dhe bujaria e përmendur e këtyre trevave që kanë ruajtur orgjinalitetin iliro-arbëror më shumë se asnjë krahinë tjetër.
Zoti e bekoftë Tuzin e Malësisë dhe diasporën e saj në Amerikë dhe në vendet e tjera. Lusim Zotin për lidhje të mira dhe të sinqerta midis Shtetetve të Bashkuara dhe Malësisë dhe popullit shqiptar kudo jeton. Presidenti i famshëm amerikan, Abraham Linkoln, ka thënë: “Amerika është shpresa e fundit e njerëzimit”.
God bless Tuzi & Malësia. God bless United States of America.
(Fund)
