Traboin – Aktiviteti kulturor e letrar “Shihemi te Kroni i Traboinit”, një manifestim tashmë tradicional mblodhi shkrimtarë dhe poetë të njohur shqiptarë, të cilët prezantuan krijimtarinë e tyre të pasur letrare ndër vite para një publiku të gjerë, i cili për më shumë se një orë, mes freskisë së ajrit të pastër e natyrës së virgjër në fshatin Traboin të Hotit, u njoh më hollësisht mbi veprimtarinë letrare të disa prej penave të shquara shqiptare.
Për herë të parë në Malësi e pranishme qe poetja Viola Isufaj nga Durrësi – profesoreshë e letërsisë bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë – Dega gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës, Omer Kajoshaj, ndihmës i reisit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, humanist, aktivist i dalluar dhe poet, Ledia Dushi nga Shkodra – shkrimtare, studiuese e gazetare, Argëzon Sulejmani nga Ulqini – mjek, poet e publicist, dhe Mark Lulcgjonaj – shkrimtar.
Moderatori i mbrëmjes, Nikollë Berishaj – shkrimtar, poet dhe përkthyes, duke bashkëbiseduar me krijuesit pjesëmarrës mbi atë se çfarë i nxit shkrimtarët për të krijuar, çfarë ata trajtojnë në veprat e tyre, mesazhet e shumta që përcjellin, etj, një pyetje interesante ishte: A ka poeti vendlindje?
Në këtë pyetje, shkrimtarët e pranishëm u përgjigjen pothuajse njëjtë, se poeti lëviz vazhdimisht në hapësirë dhe kohë, se poeti nuk është i lokalizuar, por i shkruan mbarë botës. Pra sipas tyre, poeti/shkrimtari, nuk ka atdhe, por është krijues për të gjithë.
Mbrëmja vijoi me prezantimin e biografisë dhe të veprimtarisë letrare të shkimtarëve pjesëmarrës, ku moderatori i mbrëmjes, Nikollë Berishaj, zbuloi në detaje për publikun fillimet e shkrimtarisë së poeteve, motivin që ata i shtyn të shkruajnë, sfidat që kanë kaluar, qëllimet e krijimtarisë, tematikat që ata trajtojnë në veprat e tyre letrare dhe planet për të ardhmen.
Ky është edicioni i tretë i mbrëmjes letrare “Shihemi te Kroni i Traboinit”, të cilin e organizon Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit kulturor “Vera në Malësi”.
Kujtojmë që vitin e kaluar, po në të njëjtin vend, dhe në manifestimin me të njëjtin emër “Shihemi te Kroni i Traboinit”, adhurues të fjalës së shkruar shijuan vargje poetike dhe u njohën me krijues të spikatur letrar nga Malësia, Kraja, Shkodra dhe Kosova si: Anton Gjuravçaj, Fran Camaj, Fiqeret Mujeziqi, Zija Vukaj, Mimoza Rexhvelaj, Majlinda Bregasi dhe Rrok Berishaj.
t. u.
