Libri “Veshja e nusënisë krajane” është shkruar “me qëllim që të tregojë pasurinë dhe rëndësinë e saj ndër veshjet tjera të popullit shqiptar”, sepse për këtë veshje deri tani është shkruar pak ose aspak, ka thënë autori Hamid Alaj, në përurimin e librit të tij, të martën e kaluar (2 gusht 2022), në Shtëpinë e Kulturës në Ostros.
“Megjithëse etnografët më të shquar të Shqipërisë kanë bërë studime nga më të ndryshme për veshjet e ndryshme të popullit shqiptar, për veshjen e nusënisë krajane, nga etnografët e tillë ende nuk është arritur në një shpjegim konkret, ndoshta sepse kjo veshje ka ekzistuar vetëm në malësinë e Krajës dhe jashtë kufirit shtetëtror të shtetit shqiptar”, ka thënë ai.
Alaj ka thënë se me këtë libër ai ka synuar “të shpalosi vlerat e traditës dhe kulturës popullore të trevës së Krajës, e në veçanti të veshjes së nusënisë krajane ‘allaturka’, që t’i kujtojmë gjeneratat e sotme dhe t’ua lëmë trashëgim brezave të ardhshëm”.
Pikësynim tjetër, sipas autorit, ka qenë që të grumbullojë sa më shumë të dhëna rreth veshjes së nusërisë krajane, “para se kujtesa gojore e të moshuarave (grave krajane) të harrohet dhe të zhduket me kohën”.
Ai ka thënë se një arsye tjetër që e ka nxitur të merret me studimin e veshjes krajane është fakti se ai i përket trevës së Krajës. Megjithëse është i vetëdijshëm se me këtë libër nuk e ka thënë fjalën përfundimtare sa i përket veshjes së nusërisë krajane, Alaj ka thënë se mendon që libri “do t’i shërbejë sadopak plotësimit të njëfarë boshllëku në këtë fushë”.
Recensenti i librit Ali Gjeçbritaj ka folur mbi jetën dhe veprimtarinë e autorit. Ai ka thënë se me këtë libër autori Alaj ka bërë një punë të madhe, voluminoze, dhe ka treguar guxim, duke qenë se nuk është specialist i fushës.
“Vlerësimi im si recensent është jo që libri e meriton të botohet, por meriton të përkthehet edhe në gjuhë të tjera dhe të dëshmohet, sepse Kraja është një trevë që është e pastudiuar në shumë drejtime”, ka thënë ai.
Dr. Nail Draga ka thënë se kemi të bëjmë me një botim të veçantë dhe një kontribut me vlerë për etnografinë shqiptare.
Sipas tij, duke lexuar këtë libër “del qartë se veshja e nusënisë krajane dallohet me tiparet e saj të veçanta, të cilat nuk i hasim te veshjet tjera të krahinave etnografike shqiptare, që ka tërhequr kureshtjen edhe të udhëtarëve të rastit që kanë vizituar këtë krahinë apo në takime të ndryshme të rastit”.
Draga ka thënë se “krahina etnografike e Krajës ruan traditat e pasura të kulturës popullore, si në fushën e folklorit, po ashtu edhe në atë të veshjes, të cilat janë ruajtur me fanatizëm duke dëshmuar respektin e trashëguar nga të parët tanë deri në ditët tona”.
Në emër të botuesit, Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i saj, Ismet Kallaba.
Ai ka thënë se Hamid Alaj është një autor dhe studiues i pasionuar, i interesuar për shumë fusha të dijes, gjë që e dëshmon edhe me librin e tij të fundit, monografinë ‘Veshja e nusënisë krajane’, një studim gjithëpërfshirës për veshjen krajane.
“Pavarësisht se ai nuk është specialist i fushës (etnograf), ai ka lindur, është rritur dhe burrëruar me veshjen krajane. Një studiues i etnografisë (etnograf/e) mund ta njohë më mirë veshjen në aspektin teorik, por kush më mirë se një krajan/e mund të shkruajë për veshjen krajane, kush më mirë e njeh atë sesa ata që janë rritur me të, ata që i kanë parë nënat, motrat, hallat, tezet e tyre etj. duke e punuar këtë veshje në tezjeh, gjergjef, çekerrk, jenemi, kafaz, me gjylpana, grep, makinë për qepje etj.?!”, është shprehur Kallaba.
Sipas tij, është një libër që është shkruar me shumë dashuri dhe pasion, me të cilin autori Alaj u ka ngritur një monument të gjitha qëndistareve e mjeshtreve të punimit të veshjes krajane.
Ai ka thënë se “ky libër është një britmë, thirrje apo ftesë që ta ruajmë traditën, trashëgiminë, këtë pasuri etnografike që e kemi dhe e kemi trashëguar brez pas brezi, por që rrezikojmë ta humbasim”.
Përurimi është udhëhequr nga Medina Cura.
Hamid Alaj ka lindur në Krajë, në vitin 1965. Si shumë bashkëvendas të tjerë nga treva e Krajës, në vitin 1992 merr rrugën e mërgimit dhe emigron në SHBA, përkatësisht në qytetin e Nju-Jorkut, ku jeton dhe vepron. Që nga viti 2006 është anëtar i rregullt i Shoqatës Atdhetare “Kraja”, ndërsa për një kohë e ka drejtuar këtë shoqatë. Krahas punës së përditshme ai merret edhe me shkrime dhe studime të ndryshme, kryesisht mbi trevën e Krajës. Deri tani ka botuar librat: “Nga nektari i mençurisë njerëzore”, “Huazimet turko-osmane në të folmen e Krajës”, “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi në trevën e Krajës dhe Shestanit”, “Durimi dhe durueshmëria sipas parimeve islame”, “Këngë folklorike nga treva Krajë – Shestan”, “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj”, “Xhamia e Qyrjanit – institucioni i parë islam në trevën e Krajës”, “Dokumente të ndryshme nga e kaluara e Krajës dhe Shestanit” dhe “Veshja e nusënisë krajane”. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera, që po ashtu i kushtohen trevës së Krajës.
Mirënjohje për pjesëmarrje në konkursin e fotografisë
Kryetarja e Shoqatës “Labeatët”, Luljeta Avdiu – Cura, i ka ndarë Hamid Alajt mirënjohje për pjesëmarrje në konkursin fotografik me temë “Trevat shqiptare në Mal të Zi përmes fotografisë”, që kjo shoqatë e ka organizuar në vitin 2019. Ajo ka thënë se në pamundësi për t’ia dorëzuar mirënjohjen Alajt në hapjen e ekspozitës dhe ndarjen e çmimeve, që është bërë më 27 nëntor 2019, ia dorëzon tani
i. k.
