Synime ambicioze në të gjitha aktivitetet e punës

Guci – Të premten e kaluar, më 5 gusht, në Guci, në mënyrë solemne u shënua Dita e Komunës.
Pas fjalëve përshëndetëse të moderatorëve të programit manifestues, Samin Radonçiq (në gjuhën zyrtare malazeze) dhe Leonarda Gjekaj (në gjuhën shqipe), dhe intonimit të Himnit të Malit të Zi, tekstin e të cilit e interpretoi kantautorja nga Ulqini Gjylie Pelingu, me seancën solemne ka filluar akademia e rastit, e mbajtur në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë të qytetit, ku përveç këshilltarëve të Kuvendit të komunës dhe një numri të konsideruar të qytetarëve të saj dhe bashkëvendësve nga diaspora, ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të shquara të jetës politiko-shoqërore, kulturore, shkencore, artistike dhe fetare nga Komuna e Gucisë, por edhe nga Mali i Zi, Kosova dhe Serbia, ndër të cilët ministri i Administratës Publike, Mr Marash Dukaj, ministri i Punës dhe Përkujdesjes Sociale në Qeverinë e Malit të Zi, Admir Adroviq, sekretarët shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Investimeve Kapitale, Dr Elvis Omeragiq dhe Admir Shahmanoviq, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Novi Pazarit, Nihad Bishevac, kryetari i Lidhjes Unike të Luftëtarëve të LNÇ-së, Zuvdija Hoxhiq, kryetari i Bashkësisë së komunave të Malit të Zi, Refik Bojaxhiq, kryetarët e komunave të Rozhajës, Petnicës e Plavës, kryetarët e kuvendeve të komunave të Podgoricës, Rozhajës, Petnicës, Bijello Poles e Plavës, nënkryetarja e Komunës së Ulqinit, nënkryetari i KK të Petnicës, biznesmeni dhe humanisti Haris Brçvak, koordinatori i TIKA-s Abdurrahman Toprak etj.
Seancën solemne e hapi kryetari i Kuvendit të komunës, Bujar Hasangjekaj, i cili në fjalën e rastit u shpreh në të dy gjuhët, malazeze dhe shqipe: “Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Kuvendit të komunës së Gucisë dhe në emrin tim personal t’ju dëshiroj mirëseardhje dhe t’ju falënderoj që me prezencën tuaj keni nderuar këtë seancë solemne, me rastin e shënimit të Ditës së Komunës së Gucisë.”
Kryetari Hasangjekaj, në vazhdim të elaborimit, shtoi se “5 gushti është ditë e rëndësishme për komunën tonë, komunën e cila është ndër më të rejat dhe më të voglat në Mal të Zi, por me një potencial të madh për zhvillim, e në veçanti për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë. Ne të gjithë së bashku duhet të japim kontributin tonë, për t’i shfrytëzuar dhe valorizuar potencialet tona në mënyrën sa më të mirë ttë rë mundshme, për të realizuar qëllimin tonë esencial, e ai është, punësimi i të rinjve dhe qëndrimi i tyre në këto hapësira”. Hasangjekaj të pranishmit i njoftoi se KK i Gucisë nga seanca solemne e fundit (e vitit paraprak), ka mbajtur katër seanca të rregullta, ka prurë dhe miratuar një vistër vendimesh, konkludimesh dhe aktesh normative, e të gjitha në harmoni dhe përputhje me planin dhe programin e punës së Kuvendit, me qëllim të funksionimit sa më të mirë dhe më efikas të vetëqeverisjes lokale, kontributit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit më cilësor me sektorin civil.
“Ligjshmëria, efikasiteti, funksionimi dhe përkushtimi i interesit të qytetarëve, janë ato në të cilat bazohet puna e Kuvendit. Kemi vendosur bashkëpunimin me komunat dhe institucionet e tjera në shtet dhe rajon, për t’i kontribuar standardit më të mirë të jetës së qytetarëve tanë. Rezultat i gjithë kësaj, pos marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë projektet e shumta, të cilat veç janë realizuar dhe ato që janë në fazën e realizimit”, ka konfirmuar Hasangjekaj.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, falënderoi të gjithë ata që në mënyra të ndryshme ndihmuan Komunën e Gucisë, e në veçanti falënderoi diasporën guciane, e cila gjithmonë ka qenë e gatshme të mbështesë dhe ndihmoi bashkëvendësit e vet përmes formave të ndryshme kontribuese. Ai në fund nuk ngurroi për të thënë se Komuna e Gucisë njihet për harmoninë dhe bashkëjetesën e saj shumë etnike, me çka shquhet dhe veçohet në Mal të Zi dhe më gjerë.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, pas përshëndetjes së përzemërt të të pranishmëve, e në veçanti të mysafirëve të ftuar, në fjalën e vet të rastit theksoi se “Komuna e Gucisë më 5 gusht manifeston ditën e vet, ditën kur Njësitë e Brigadës së Pestë Proletare Malazeze kanë çliruar Gucinë. Antifashizmi dhe lufta antifashiste si një ndër vlerat më të mëdha civilizuese, synimet e vazhdueshme për liri, drejtësi dhe nder, lufta kundër të gjitha forcave të urrejtjes, të të keqes dhe të nderit të njeriut, dhe janë të qëndisura thellësisht dhe pashkëputshëm në qenien e popullatës së kësaj treve”.
Në elaborimin e vet konciz dhe konstruktiv, kryetarja e komunës Anella Çekiq, ndër të tjera theksoi se “Gucia përmendet qysh në shekullin e XIV si stacion karvanësh në rrugën Dubrovnik-Kotorr-Shkodër-Pejë-Carigrad. Në kohën e Turqisë ka qenë qendër e Nahisë së Gucisë dhe ka pasur të zhvilluara funksionet administrative, zejtare dhe tregtare. Në gjeografinë e Vilajetit të Kosovës, të botuar në korrik të vitit 1852, përveç tjerash shkruan se Gucia është kasabë (qytet i madh), e cila ka 1.500 shtëpi, 5 xhami, 8 shkolla fetare, 1 ruzhdi (gjimnaz), 350 dyqane, 7 hane, dhe 27 kafehane.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Gucisë i është kthyer statusi i komunës, por në vitin 1953, me reformën e vetëqeverisjeve komunale e humbë atë status, të cilin në vitin 2014, me vendimin e Kuvendit të Malit të Zi, përmes Referendumit të mbajtur në fillim të këtij viti, Gucisë i kthehet sërish”, shtoi Çekiq.
Kryetarja Çekiq, në vazhdim të elaborimit, ka bërë me dije se vetëqeverisja lokale në periudhën e kaluar (në mes dy seancave solemne), ka zbatuar një vistër aktivitetesh investuese lidhur me kryerjen e punëve në objektet ndërtimore, si dhe aktivitetet lidhur me përgatitjen dhe hartimin e dokumentacionit të domosdoshëm projektues të projekteve të planifikuara, ndër të cilat ajo ka veçuar: miratimin e Planit Urbanistik Hapësinor, kryerjen e punëve të urës mbi Lumin Vruja në vlerë prej 383.55.73 euro, vazhdimin e aktiviteteve për shpalljen e tenderit për zhvillimin e punëve në projektin e rregullimit të shtratit të Lumit Grnçar, prej kufirit me Shqipërinë deri në derdhjen në Lumin Luça, në gjatësi 6 kilometra, shpalljen e tenderëve për zgjedhjen e kryesit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës kryesore – sheshit të qytetit (faza e parë), vlera parallogaritëse e projektit 892.223.48 euro dhe të atij për rikonstruktimin e urës mbi Lumin Luça në rrugën lokale Martinaj-Vishnjevë, në vlerë prej 114.000.00 euro, hartimin e dy projekteve kryesore – të rrugës lokale Guci-Vuthaj, në gjatësi prej 1.3 km, dhe në sanimin e urës mbi Lumin Grnçar në hyrje në Guci, të projekteve – ndërtimit të shtegut të këmbësorëve deri te Krojet e Ali Pashës, projektit të ndriçimit për vendbanimin Dosugjë, zgjidhjen ideore të parkingut në vendbanimin Beglluci dhe një varg aktivitetesh të tjera.
Kryetarja e komunës, Anella Çekiq, në referimin e vet të mëtejmë, të pranishmit në manifestim i njoftoi se në vazhdë është realizimi i projektit përtej kufitar “Trashëgimia kulturore – thesar i rajonit ndërkufitar”, donator i të cilit është Bashkësia Evropiane, me vlerë të projektit 358.617.23 euro, të cilin e realizojnë komunat e Gucisë dhe Pejës, të cilat janë të binjakëzuara. Po ashtu, në vazhdë është realizimi i projektit Zero Waste, e Gucia është qyteti i parë Zero Waste në Mal të Zi. Donator i projektit është Bashkësia Evropiane përmes programit të bashkëpunimit tejkufitar, vlera e të cilit është 563.551.50 euro.
Në Samitin rajonal të ndërmarrësve të Evropës së Mesme dhe Juglindore “300 më të mirët”, i cili në Dubrovnik nga fundi i tetorit të vitit të kaluar ka tubuar më se 110 ndërmarrës, të cilët udhëheqin zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, Komunës së Gucisë i është dorëzuar shpërblimi prestigjioz ndërkombëtar “Globalocal”, i cili u ndahet bashkësive më të mira lokale për rekreimin e ambientit të mirë për zhvillim të ndërmarrësisë në Evropën e Mesme dhe Juglindore. Në këtë drejtim, Komiteti ndërkombëtar për ndarje të shpërblimeve, ka vendosur që Komuna e Gucisë të jetë njëra prej 14 laureatëve në këtë kategori, prej gjithsej 134 kandidatëve të propozuar.
Kryetarja Çekiq, të pranishmit i ka njoftuar se në vazhdë është vera kulturore guciane, e cila me aktivitetet e shumta kulturore, sportive e muzikore, dhe ngjarjeve të tjera, komunën e bëjnë të njohur dhe destinacion mjaft të vizituar turistik. Turneun tradicional në futboll të vogël “Elmaz-Mazo Çekiq”, sponsor i të cilit janë organizatorët, Shoqëria nga Nju Jorku dhe Komuna e Gucisë, veç i kalon kornizat e Malit të Zi dhe bëhet ndërkombëtar. Është planifikuar mbajtja e Sky runing-ut të Bjeshkëve të Nëmuna. Ngjarja sportive turistike e pushimit aktiv, është njëra ndër ngjarjet më të mëdha në rajon. Gucia ka fituar këndin e lojërave “Sanina Playground” si donacion – dhuratë e biznesmenit gucian nga Nju Jorku, Began Çekiq, ku edhe komuna përmes sigurimit të tokës për ndërtim, ka dhënë kontributin e vet.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, në fund të elaborimit të vet, ka theksuar se të gjitha të cekurat, si dhe të gjitha aktivitetet e ardhshme kanë dhe do të kenë mbështetjen edhe përkrahjen e Qeverisë së Malit të Zi dhe ministrive kompetente, drejtorive e administratave si dhe në vetëqeverisjen lokale do të ketë partner besnik. Falënderim të veçantë i ka shprehur diasporës guciane të shpërndarë anekënd botës, për tërë ndihmën dhe kujdesin e vazhdueshëm, të cilat gjatë gjithë këtyre viteve ofrojnë dhe shprehin për vendlindjen e vet.
Gjatë seancës solemne është shfaqur filmi dokumentar “Oj Gusinje moje (O Gucia ime)”. Të pranishmit, me programet e veta të begata i kanë argëtuar këngëtarja dhe kantautorja e njohur nga Ulqini, Gjylie Pelingu dhe këngëtari i mirënjohur gucian Rizo Feratoviq, i cili është afirmuar me pjesëmarrje të suksesshme në emisionin muzikor “Zvezde Granda”, si dhe SHKA-të “Xhafer Nikoçeviq” nga Gucia dhe “Maja e Karanfilit” me seli në Vuthaj, me performim të këngëve dhe valleve autoktone burimore.
Për Ditën e Komunës së Gucisë, mesazhe urimi kryetares së Komunës Anella Çekiq, kryetarit të Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, këshilltarëve dhe qytetarëve të Komunës së Gucisë u kanë dërguar, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryeparlamentarja e Malit të Zi, Daniella Gjuroviq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat