Ulqin – Komedia e njohur “Pallati 176” ka ardhur të dielën mbrëma në skenën e Qendrës së Kulturës në Ulqin, nën interpretimin e një grupi aktorësh të këtij qyteti.
Megjithëse pjesa më e madhe e aktorëve janë amatorë, ata kanë treguar se pasioni për teatrin është shumë i rëndësishëm. Ata po ashtu kanë dëshmuar guxim duke vënë në skenë një pjesë të tillë, që luhet nga aktorët e njohur të teatrit shqiptar.
Ajo që ra në sy ishte sidomos talenti i disa aktorëve të rinj. Loja e aktorëve është pëlqyer dhe mirëpritur nga publiku, i cili i ka duartrokitur gjatë në fund të shfaqjes, por edhe gjatë saj, si dëshmi se aktorët me lojën e tyre ia kanë arritur qëllimit.
Rolet i kanë luajtur: Bashkim Alaj (Jovan Bregu), Musa Hoxha (Perikliu), Amina Luka (Rita), Muho Uruçi (Fredi), Amra Demiri (Elsa), Blerta Kurti (Liria), Kujtesa Kurti (Marjeta), Edis Luka (Sandri) dhe Diandra Koçan (Irena). Ndërsa pjesë e stafit realizues janë drejtori i Qendrës së Kulturës, Musa Hoxha, regjisorja Edina Mustafiq dhe skenografja Jetmira Hoxha.
“Pallati 176” është një komedi e njohur, shkruar nga Adelina Ballashi, e cila për herë të parë është vendosur në skenë në vitin 1986, nga Teatri Popullor Shqiptar – Tiranë. Vlerësohet si një ndër komeditë më të bukura të teatrit shqiptar, e dashur për të gjithë, nën interpretimin e aktorëve më të njohur të Teatrit Kombëtar të kohës: Roland Trebicka (Jovani), Elida Janushi (Marjeta), Pavlina Mani (Liria), Violeta Manushi (Teta Rita), Eva Alikaj (Elsa), Ilir Bezhani (Sandri), Anastas Kristofori (Perikliu), Gëzim Rudi (Fredi) dhe Merita Zoto (Irena).
Komedia flet për dashurinë e një çifti (Elsa dhe Fredi), të cilët mendojnë se dashuria e tyre është e pamundur për shkak se nuk mund t’u tregojnë prindërve të tyre. Ajo karakterizohet nga shumë peripeci, të papritura dhe situata dramatike që ngjallin të qeshura. Prindërit e Elsës (Perikliu dhe Marjeta) kur mësojnë për lidhjen e vajzës së tyre, në fillim nuk pranojnë, për arsye të jetës së shthurur të babait të djalit (Jovan Bregut), i cili i kishte nxjerrë shumë telashe drejtorit të tij (Perikliut). Por në fund, kur të dy palët e mësojnë historinë e vërtetë, detyrohen ta pranojnë dashurinë e fëmijëve të tyre.
i. k.
