
(vijon nga numri i kaluar)
- Shkolla fillore (ibtidai mektebi) në Ostros të Madh – Nahija e Krajës
Në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar dy dosje që bëjnë fjalë për shkollën fillore (mektebi ibtidai) të fshatit Ostros i Madh. (BOA, MF.MKT, 909/58 dhe MF.MKT, 912/50) Duke qenë se të dyja dosjet janë të përafërta, kemi përzgjedhur vetëm dosjen e cila flet për kërkesën e mësuesit të shkollës së fshatit Ostros i Vogël, Ibrahim Hakiut, drejtuar kryeministrisë, datë 20 kanuni evvel 1321 / 2 janar 1906, me të cilën kërkon që t’i shlyhen pagat e mbetura pa u paguar. Në faqen tjetër të kësaj dosjeje është paraqitur edhe lista e pagave të disa muajve që kanë mbetur pa u shlyer (1300 rumi/1884 m. – rumi 1320/1905 m.) ndaj mësuesit në fjalë. (BOA, MF.MKT, 909/58. Shih faksimilin nr. 4)
Nëse i referohemi vitit dhe nëse mësuesi ka punuar nga ky vit në këtë fshat, atëherë i bjen që kjo shkollë të ketë qenë e hapur nga viti 1884-1885. - Shkolla fillore (sibjan mektebi) në Bobosht
- Nahija e Krajës
Rreth ekzistencës së shkollës fillore të fshatit Bobosht, gjatë hulumtimit tonë në Arkivin Osman nuk kemi arritur që të identifikojmë ndonjë dokument.
Vetëm në ditarin e inspektorit të arsimit për Vilajetin e Shkodrës, Daut Boriçi, kemi arritur që të nxjerrim pak të dhëna rreth shkollës fillore në Bobosht. Në faqen 118 të fletores së punës, në osmanisht ka të shënuar kopjen e vendimit të Valiut të Shkodrës, bazuar në kërkesën e Inspektoriatit për Arsim të Vilajetit në lidhje me ndërtimin e shkollës së fshatit Bobosht. Më pas, më 23 teshrin-i sani 1288 / 5 dhjetor 1872 vendimi i kalon Sekretariatit për Financa, ku i kërkohet të regjistrohet. Duhet hulumtuar më tej rreth kësaj shkolle në të ardhmen. (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde (1870–1877 eğitim) Işkodra Vilayeti’nde Eğitim – Arsimi në Vilajetin e Shkodrës sipas ditarit të inspektorit të arsimit Daut Boriçi (1870-1877), (temë magjistrature e pabotuar), Stamboll, 2009, f. 118) - 6. Shkolla fillore (sibjan mektebi) në Brisk
- Nahija e Krajës
Në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar vetëm një dosje që bën fjalë për shkollën e Briskut. Në dokumentin e datës 12 zilkade 1298 h. / 6 tetor 1881 m., ku tregohet për zhvendosjen e mësues Salihut nga shkolla fillore e lagjes Perash Nalt në shkollën e fshatit Brisk të Nahijes së Krajës dhe pason me rritjen e pagës së mësuesit. Shlyerja e pagave për mësuesin do t’i bëhet nga të ardhurat e thesarit të Vakëfit. (BOA, MF.MKT, 71/22. Shih faksimilin nr. 5)
Po kështu, edhe në faqen 36 të ditarit të Daut Boriçit, datë 16 shtator 1290 rumi / 28 shtator 1874, jepet lista e disa shkollave fillore ku përfituan disa mësimdhënës. Ndër ta për rrethin e Krajës shohim ekzistencën e disa shkollave në Brisk, Skje-Zogaj, Ostros, Martiq. - 7. Shkolla fillore (mektebi) në Muriq të Poshtëm
Nga hulumtimet tona të bëra në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar tri dosje (Janë dy dosje në fondin ML.EEM., 708/60 dhe 834/37, si edhe një në fondin MF.IBT, 6/125) që bëjnë fjalë për shkollën e Muriqit.
Nga një dosje e Arkivit, datë 10 Rexhep 1292 h. / 12 gusht 1875 m., në të cilin kërkohet sqarim nga Vilajeti i Manastirit për mospërputhjen e emrit të mësimdhënësit të shkollës fillore të Muriqit Poshtë, mësues Bajramit. (BOA, MF.İBT, 6/125. Shih në “Shtojcë” faksimilin nr. 6)
Dokument tjetër i Arkivit Osman – Stamboll, datë 20 mart 1327, nga ku punimet e rregullimit të shkollës fillore në Muriq të mbetura pa përfunduar i kalojnë Sekretariatit për Financa për t’i përfunduar. (BOA, ML.EEM, 834/37)
Kurse sipas një dokumenti të gjetur në Arkivin e xhamisë së Muriqit, datë 27 Xhumadiye`l-ahar 1282 / 17 nëntor 1865, në të cilin ndodhet vula e Këshillit të Vilajetit të Shkodrës, vërtetohet ekzistenca e shkollës fillore në Muriq. (Aktualisht ky arkiv ruhet në shtëpinë e myteveliut të xhamisë së vjetër të fshatit Muriq Nalt, z. Hasan Bracaj. Gjatë hulumtimeve të bëra nga unë dhe juristi Hajrullah Hajdari në vitin 2013 kemi identifikuar 87 dokumente, prej të cilave 34 janë në osmanisht, ndërsa të tjerat në malazezisht) Vlen të përmendet se sipas pllakës origjinale të xhamisë së Muriqit Poshtë, kjo xhami është ndërtuar në vitin 1864. Ka shumë gjasa që menjëherë pas ndërtimit të xhamisë të jetë ndërtuar edhe shkolla fillore (mektebi).
Po kështu edhe nga ditari i inspektorit për Arsim të Vilajetit të Shkodrës, Daut Boriçi, shohim dokumentimin e ekzistencës së shkollës fillore (mektebit) në Muriqin e Poshtëm.
Në faqen 100 të këtij ditari shohim ekzistencën e shkollës fillore në Muriqin e Poshtëm me mësues Ibrahim Pukën, i cili për shkak të gabimit të bërë, nga data 4 gusht 1287 rumi/ 16 gusht 1971 m. shkarkohet nga kjo detyrë.
Në faqen 102 të këtij ditari shohim kërkesën e inspektorit për Arsim të Vilajetit të Shkodrës, Daut Boriçi, drejtuar Valiut të Shkodrës, datë 2 Teshrin-i evvel 1287 /14 tetor 1871, nga ku pasi çështja të shqyrtohet pranë Këshillit për Arsim të Vilajetit për emërimin e mësuesit të ri të shkollës së Muriqit të Poshtëm, Ali Kruja, në vend të ish-mësuesit Ibrahim Puka, t’i kalojë Sekretariatit për Financa të Vilajetit.
Po kështu në këtë ditar është edhe kopja e vendimit, e datës 18 teshrin-i evvel 1287 / 30 tetor 1871, të nënshkruar nga guvernatori-valiu i Shkodrës, Mehmed Sadik, në drejtim të organeve vartëse për ta regjistruar atë në listën e nëpunësve dhe Sekretariatin e Financave, i cili bën fjalë për fillimin e punës së mësuesit të ri Ali Kruja si mësimdhënës në shkollën fillore të Muriqit të Poshtëm.
Në faqen 113 të ditarit janë paraqitur përmbledhtazi kopjet e vendimit të Inspektoriatit për Arsimin Fillor të Vilajetit drejtuar njëherit edhe Këshillit të Vilajetit për emërimin e mësuesit në fjalë, si dhe përcjellja e vendimit tek organet e tjera vartëse deri te Sekretariati për Financa.
Edhe në faqen 180 të po këtij defteri shënohet se më 16 kanun-i evvel sene 1290 / 28 dhjetor 1874, mësimdhënësit të shkollës së Muriqit të Poshtëm i jepen rrogat për muajin korrik dhe gusht në shumën prej 390 kurushë.
Nga dokumentet e trajtuara më sipër nuk kemi ndonjë të tillë që trajton gjuhën në të cilën është zhvilluar mësimi apo lëndët mësimore në shkollat-mektebet e trevës së Krajës.
Për të hapur një shkëndijë, si shembull po japim një dosje të gjetur në këtë arkiv, datë 29 dhulhixhe 1310 / 14 korrik 1893, nga ku shohim futjen e Mevludit dhe të disa broshurave në gjuhën shqipe me shkronja arabe në kurrikulat e shkollave fillore (mektebe) në Vilajetin e Shkodrës. (BOA, Y.PRK.AZJ, 24/84. Për më gjerësisht shih Ali Bardhi, “Hafiz Ali Ulqinaku në dokumentat e Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll”. Simpoziumi shkencor me rastin e 160-vjetorit të lindjes se Hafiz Ali Riza Ulqinakut, mbajtur më 25. 04. 2015, Ulqin, 2015)
Kështu që rreth zbatimit të disa lëndëve dhe teksteve mësimore në gjuhën shqipe në hapësirën e vilajeteve shqiptare përpara Kongresit të Manastirit, hedh dritë edhe Arkivi Osman, por në të ardhmen duhen bërë hulumtime shteruese që kanë për subjekt studimi gjuhën shqipe dhe alfabetet e përdorur në shkolla.
(Fund)
(Kumtesa është mbajtur në Konferencën V Mbarëkombëtare të Arkivistikës, në Tuz, më 5 qershor 2021)
