
Në zgjedhjet lokale në Ulqin të mbajtura më 27 mars, në 38 vendvotime, të drejt vote kanë pasur 20.392 qytetar, ndërsa kanë votuar 11.692 qytetarë apo 57.33 %. Një e dhënë e tillë dëshmon se kësaj here kanë dalë me pak votues së në vitin 2018, ku kanë votuar 12.393 votues apo 63.14%. Një konstatim i tillë dëshmohet se dy vite më parë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, kanë votuar 13.371 qytetarë apo 65.60 %, që paraqet çështje për analizë të veçantë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Komunal Zgjedhor, listat përkatëse kanë fituar këto vota dhe mandate të këshilltarëve: UDSH-LDnëMZ 2.036 vota ( 17.54%), 6 këshilltarë, Demokratët 833 vota (7.14%), 2 këshilltarë, URA 4.962 vota (42.74%), 14 këshilltarë, FORCA 1.676 vota (14.42%), 5 këshilltarë dhe PDS-PB 2.108 vota (18.16%), 6 këshilltarë.
Ndërkaq, sipas subjekteve politike kemi këtë ndarje të mandateve të këshilltarëve: FORCA 5, PDS 5, PD 5, URA 5, UDSH 4, Demokratët 2, LDnëMZ 2, SD 2, PB 1, PSD 1, ASH 1.
Koalicioni “Fillim i ri”
Në këto zgjedhje lokale në Ulqin, bie në sy formimi i koalicioneve parazgjedhore që ishin tre : “Fillim i ri” (URA, PD, PSD,SD dhe ASH), koalicioni UDSH-LDnëMZ dhe PDS-PB, ndërsa dy subjekte politike garuan të vetme (Forca dhe Demokratët).
Koalicioni i madh “Fillim i ri”, sipas parashikimeve ishte në përparësi ndaj të tjerëve, sepse ka bashkuar pesë subjekte politike, andaj ishin të shumtë ata të cilët i kanë vlerësuar me mundësi të fitojnë shumicën e këshilltarëve për të formuar të vetëm pushtetin lokal. Por, zgjedhjet demantuan një vlerësim të tillë, sepse arritën të fitojnë 14 këshilltarë (42.74%), që ishte maksimumi i mundshëm. Pas zgjedhjeve ky koalicion i udhëhequr nga URA, është penalizuar nga qytetarët sepse përbërja ka qenë heterogjene dhe me një të kaluar jo të pranueshme! Kishte qenë më e qelluar që URA të kishte dalur e vetme, duke dëshmuar peshën e tyre politike, ku pa dyshim do të kishte qenë subjekti i parë politik në këto zgjedhje.
Befasia e zgjedhjeve
- koalicioni UDSH-LDnëMZ
Në këto zgjedhje befasoi koalicioni UDSH-LDnëMZ, duke qenë subjektet më të vjetra të shqiptarëve në Mal të Zi (1990,1993). Në zgjedhjet lokale UDSH ka kohë që është pozicionuar në tre këshilltarë, por kësaj here çështja qëndronte në atë se sa do të jetë ky numër, kur iu bashkëngjit LDnëMZ, e cila ga viti 2010, nuk ka dalë në zgjedhje si subjekt i veçantë, por duke qenë pjesë e koalicioneve të ndryshme. Por, ndodhi befasia e zgjedhjeve, u tejkalua çdo parashikim, sepse ky koalicion fitoi 2.036 vota, përkatësisht 6 këshilltarë, ku 4 nga ata do jenë nga radhët e UDSH-së dhe 2 nga LDnëMZ.
Trendi i rënies së PDS-së edhe në Ulqin
Se PDS do të ketë rënie të elektoratit askush nuk ka dyshuar, por çështja ishte se sa do të jetë kjo rënie. Duke marrë parasysh faktin se ata kësaj here dolën në koalicion me Partinë Boshnjake, është menduar se rënia do të jetë më e vogël, por ndodhi e kundërta. Sepse nëse marrim parasysh zgjedhjet parlamentare (30 gusht 2020) ku së bashku në Ulqin kanë pasur 4.368 vota, kësaj here së bashku kanë fituar 2.108 vota, që do të thotë 2.260 vota më pak apo 51.7%. Nga një rezultat i tillë ata fituan së bashku 6 këshilltarë, 5 do jenë nga PDS e 1 për PB. Një rënie e tillë nuk është befasi,sepse nga humbja e pushtetit qendror në vitin 2020, PDS ka pasur rënie në disa zgjedhje lokale që janë mbajtur në disa komuna në Mal të Zi, trend i cili ka vazhduar edhe në Ulqin.
Forca megjithatë “çelësi” i pushtetit lokal
Nëse analizojmë rezultatin e Forcës nga viti 2018, del qartë se ky subjekt politik ka pasur rënie të vazhdueshme të elektoratit. Kështu nga 2.925 vota në zgjedhjet lokale në vitin 2018, dy vite më pas në zgjedhjet parlamentare (30 gusht 2020) kanë rënë ne 2.336 vota, ndërsa me 27 mars në 1.676 vota.
Të dhënat e tilla dëshmojnë se rënia prej 1.249 votave, apo tre këshilltarë paraqet çështje për analizë dhe diskutim të veçantë, sepse pakkush ka mundur të parashikojë një rënie të tillë të elektorati, e cila është me e madhe nga zgjedhjet e vitit 2006 kur ky subjekt politik mori pjesë në zgjedhje për herë të parë. Por, pavarësisht se Forca ka pësuar rënie nga 8 në 5 këshilltarë, ajo do të jetë “çelësi” për formimin e pushtetit lokal në Ulqin.
Përsëritja e votave në një vendvotim, nuk ndryshoi rezultatin
Nga 38 vendvotime sa janë gjithsej në Komunën e Ulqinit, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 27 mars, vetëm në një vendvotim kishte kontestime të rezultatit, ku KKZ vendosi që të përseritet votimi. Fjala është për vendvotimin numër 5, që ka të bëjë me BL nr.II, e cila ka 772 votues. Rezultati i votimeve më 27 mars ishte: UDSH-LDnëMZ 147 vota, “Fillim i ri” 142 vota, FORCA 67 vota, PDS 67 vota dhe Demokratët 16 vota.
Duke marrë parasysh faktin se rezultati i përgjithshëm mund të ndryshojë nëse koalicioni “Fillim i ri” fiton një mandat të këshilltarit (nga 14 në 15), që do të ketë mundësi të ndikojë në përbërjen e koalicionit për qeverisjen lokale, në ripërsëritjen e votave në këtë vendvotim, të gjithë me kureshtje kanë pritur rezultatin final. Por, edhe pas rivotimit (6 prill 2022) rezultati nuk ndryshoi, mbeti i njëjti sikurse më 27 mars.
Duhet cekur se në këtë vendvotim nga 438 votues që votuan më 27 mars, kësaj here numri u votuesve u rrit në 501, duke përcaktuar këtë rënditje: UDSH-LDnëMZ 207 vota, “Fillim i ri” 204, Forca 76, Demokratët 6 dhe PDS 2 vota. Ndërsa për të ndryshuar rezultati, koalicionit “Fillim ri” i kanë munguar 61 vota.
Në këtë vendvotim bie në sy rënia e numrit të votuesve të PDS të cilët 65 vota ia kanë dhënë UDSH-LDnëMZ, duke e vendosur këtë koalicion të parin në këtë vendvotim dhe duke i siguruar mandatin e gjashtë të këshilltarit. Një veprim i tillë, të përkujton vitin 2018, kur më 18 shkurt u përseritën votat në dy vendvotime (Darzë e Komunale), ku UDSH i dhuroi PDS 55 vota, duke i ndihmuar që të jetë partia e parë në zgjedhjet lokale në Ulqin.
Zhgënjimi i qytetarëve
Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet lokale, dëshmoi së një numër i tyre i kanë refuzuar apo bojkotuar ato. Nëse i krahasojmë me zgjedhjet parlamentare (30.8.2020), dalja është më e ulët për 1.679 votues apo 12.5%, që është përqindje e lartë për një mjedis të vogël siç është Komuna e Ulqinit.
Një e dhënë e tillë është e veçantë, sepse deri më tash në Ulqin në krahasim më zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale vazhdimisht është votuar më tepër. Pse ka ndodhur një ndryshim i tillë në afat prej dy vitesh, mund të shpjegohet vetëm në saje të zhgënjimit të qytetarëve nga raportet e përgjithshme shoqërore e politike.
Në këtë aspekt duhet një analizë e përgjithshme nga subjektet pjesëmarrëse në skenën politike, e në veçanti nga ata të cilat kanë pësuar rënie të elektoratit, sepse çdo pësim duhet të jetë mësim nëse duan të reflektojnë për të qenë faktor në skenën politike në Ulqin edhe në të ardhmën.
Nga ana tjetër, qytetarët presin dhe janë kureshtarë të dinë se si do të jetë pushteti lokal pas këtyre zgjedhjeve, sepse në opsion janë dy koalicione të mundshme. Çdo zvarritje në këtë drejtim nuk është në favor të qytetarëve dhe të parimeve demokratike.