
Historia e vendbanimit të Krajës është mjaft e lashtë dhe përgjatë saj ka pasur plot jetë dhe aktivitet, nga ku edhe kanë dalë personalitete të njohura si në vend ashtu edhe më gjerë. Ndër dëshmitë kryesore që argumentojnë jetën në një vend, si pjesë e rëndësishme e kulturës materiale dhe shpirtërore janë edhe shkollat.
Në lidhje me fushën e arsimit studimet janë të mangëta për këtë trevë përpara shek. XIX, prandaj në të ardhmen duhen bërë hulumtime. Kohët e fundit janë bërë disa hulumtime që kanë për objektiv shkollat fillore të trevës së Krajës përgjatë shek. XX deri në ditët e sotme nga autorë vendas dhe të tjerë, duke përfshirë edhe shkollat mektebe gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX (Hajrullah Koliqi, Historiku i arsimit në Krajë, Prishtinë, 1999; Hamid Alaj, Zhvillimi i shkollave dhe arsimit në trevën e Krajës dhe Shestanit, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2014; Hajrudin Muja, Kraja, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2018; Ali Gjeçbritaj, Shkolla në Krajë (1929-2019), 2020), por nuk kemi ndonjë të tillë me referenca nga dokumentacioni arkivor osman.
Në lidhje me temën në fjalë kemi marrë për referencë pesëmbëdhjetë (15) dosje nga Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll, nga ku njëmbëdhjetë (11) dosje i përkasin fondit MF.MKT. (Maarif Mektubi Kalemi), dy (2) dosje MF.İBT. (Maarif İbtidai Kalemi) dhe dy (2) dosje ML.EEM (Maliye Nezareti). Dy fondet e para janë të ndërlidhura direkt me çështjet arsimore, kurse fondi i fundit ndërlidhet indirekt nëpërmjet Ministrisë së Financave.
Më poshtë po paraqesim në mënyrë të përmbledhur përmbajtjet e dosjeve që bëjnë fjalë për këto shkolla, kurse në pjesën shtesë janë paraqitur disa nga faksimilet origjinale.
- Shkolla fillore (ibtiadi mektebi) në Arbnesh – Nahija e Krajës
Rreth ndërtimit të shkollës fillore (ibtidai mektebit) të fshatit Arbnesh ekzistojnë të dhëna të shënuara në vjetarët e Ministrisë së Arsimit, ku si vit ndërtimi jepet 1301/1885. (Salname-i Nezaret Maarif-i Umumiye, Darul-Hilafetil-Aliyye (Istanbul), sene 1317, ff. 924-925, sene 1318, ff.1026-1027)
Lidhur me shkollën fillore (mektebin) të fshatit Arbnesh kemi identifikuar vetëm një dosje, datë 5 kanuni sani 1312 rumi / 17 janar 1897, e cila përmban katër faqe. Bëhet fjalë për shkresa të shkëmbyera ndërmjet organeve shtetërore dhe lokale, duke filluar nga shkresa e Vilajetit të Shkodrës drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe anasjelltas dhe kalimi i vendimit tek instancat që e zbatojnë vendimin. Thelbi i gjithë këtij materiali ka të bëjë me miratimin e vendimit për pagesën e pagave ish-mësuesit të shkollës fillore (mektebit) të fshatit Arbnesh, z. Idris, i cili transferohet në shkollën fillore të fshatit Ostros i Vogël, si edhe për mësues Osmanin, i cili emërohet në shkollën e Arbneshit. Nga dokumentacioni në fjalë shohim se paga mujore e tyre ka qenë njëqind e pesëdhjetë kurush dhe se mësues Osmani, i cili u emërua në Arbnesh si mësues, të jetë kompetent pasi ka arritur që t’i kryejë me sukses provimet. (BOA, MF.MKT, 361/33. Shih faksimilin nr. 1) - Shkolla fillore (sibjan mektebi) në Skje – Nahija e Krajës
Në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll kemi identifikuar pesë dosje që bëjnë fjalë për shkollën fillore (sibjan mektebi) të fshatit Skje. (Nga këto pesë dosje katër prej tyre janë të kategorizuara në fondin MF.MKT, 149/9, 578/30, 864/55, 149/77, si edhe një tjetër në fondin MF.İBT, 30/82) Në këtë punim kemi paraqitur njërën dosje të datës 22 ağustos 1308 rumi / 3 shtator 1892 m. (Edhe vjetarët e Ministrisë së Arsimit si vit ndërtimi japin vitin 1308/1892. Shih Salname-i Nezaret Maarif-i Umumiye, Darul-Hilafetil-Aliyye (Istanbul), sene 1317, ff. 924-925, sene 1318, ff.1026-1027), në të cilën tregohet për hapjen e mektebit dhe emërimin e mësimdhënësit të fshatit Skje, z. Omer, me pagë 110 kurush, njëherit edhe si mësues i shkollës së re të ndërtuar në këtë fshat. (BOA, MF.MKT, 149/9. Shih faksimilin nr. 2)
Për shkollën fillore (mektebin) të fshatit Skje si edhe mësimdhënësin e saj Omer Fejzin prej Oblike bëhet fjalë edhe në disa shënime të një fletoreje në osmanisht të vitit 1317-1318 rumi/ 1901-1903, që aktualisht ndodhen në arkivin e xhamisë së fshatit Skje. Në këtë fletore jepen edhe çmimet e mirëmbajtjes së shkollës duke siguruar drurin, dritaret, qilimat etj. (Aktualisht ky arkiv ruhet në shtëpinë e myteveliut të xhamisë së fshatit Skje, z. Bahri Lubanit. Gjatë hulumtimeve tona të bëra kemi identifikuar 219 faqe dokumentesh me interes, prej të cilave në osmanisht 195, ndërsa në shqip dhe në malazezisht 21)
Edhe inspektori i arsimit Daut Boriçi, në ditarin e tij, datë 16 eylȕl 1290 rumi / 28 shtator 1874, jep listën e disa shkollave fillore ku përfituan disa mësimdhënës, nga ku e përmendën shkollën e përbashkët për fshatrat Skje dhe Zogaj, por nuk e saktëson se në cilin prej këtyre dy fshatrave ka qenë ndërtesa. Por nga një dokument i Arkivit Osman të datës 2 ağustos 1306 rumi / 14 gusht 1890, shohim ekzistencën e shkollës në fshatin Zogaj (BOA, MF.MKT, 121/71.), çka jep për të kuptuar se në fillim shkolla e përbashkët e tyre të ketë qenë në Zogaj e më pas në vitin 1892 të jetë ndërtuar ajo e fshatit Skje. - Shkolla fillore (ibtidai mektebi) në Ostros të Vogël – Nahija e Krajës
Në lidhje me ekzistencën e shkollës fillore në fshatin Ostros i Vogël kemi ndeshur tri dosje (BOA, MF.MKT, 207/1;MF.MKT, 321/39;MF.MKT, 361/33.) nga Arkivi Osman. Në këtë punim kemi marrë për studim dosjen e cila bën fjalë për ndërtimin e shkollës dhe fillimin e punës së saj, si edhe një dosjeje tjetër e cila flet për emërimin e mësuesit në këtë shkollë.
Dokumenti i parë i kësaj dosjeje i përket datës 7 mayıs 1312 rumi / 19 maj 1896 dhe bart vulën e Valiut të Shkodrës, Abdullah Beut. Nga dokumenti shohim se Vilajeti i Shkodrës i dërgon një shkresë Ministrisë së Arsimit, ku pasi e falënderon atë, e njofton për ndërtimin e një shkolle/mektebi ibtidai (shkollë fillore katërvjeçare) nga ana e bashkëshortes (Në oborrin e xhamisë së Ostrosit të Vogël kemi identifikuar pllakën origjinale të saranxhës së ujit, në të cilën është shënuar se u ndërtua në vitin 1310 h/1892-1893 nga Hatixheja, e bija e Salih Marshiqit. Kurse varri i saj, me vit vdekjeje 1904 ndodhet në Varrezën e Dergjahit të Jahja Efendiut – Beshiktash / Stamboll. Shih Tuba Ruhengiz Dikbiyik, Yahya Efendi kabristanı mezar Taşları, fq. 413. Për më gjerësisht shih: Ali Bardhi, Shkolla fillore publike (mekteb-i iptidai) në Ostros të Vogël u ndërtua nga bashkëshortja e Tahir Pashë Krajanit, botuar në dy numra në rev. “Koha Javore”, Podgoricë, 18 shkurt 2021, viti XX, numër 949, dhe 25 shkurt 2021, numër 950) së Tahir Pashës dhe se këtë shkollë e frekuentonin dyzet e tre (43) nxënës, prej të cilëve njëzet e tetë (28) djem dhe pesëmbëdhjetë (15) vajza.
Për nga data, shkresa e dytë mban datën 21 mayıs 1312 rumi / 2 qershor 1896 dhe ka nënshkrimin e Muhjidin Beut dhe vulën e drejtorisë së shkollave (mektebi iptidai) – Ministrisë së Arsimit, dërguar zyrës së sekretarisë. Në këtë shkresë njoftohet se dokumentacioni rreth punës së shkollës i kalon sekretariatit në fjalë.
Kurse shkresa e fundit në këtë dosje i përket datës 7 haziran 1312 / 19 qershor 1896 dhe është përpiluar nga zyra e sekretarisë në adresë të Fletores Zyrtare për t’u publikuar vendimi. (BOA, MF.MKT, 321/39. Shih faksimilin nr. 3)
Kurse në një dosje tjetër të këtij arkivi, datë 7 temmuz 1313 / 19 korrik 1897, shohim transferimin e mësimdhënësit të shkollës fillore (mektebit) të fshatit Arbnesh, z. Idris, në shkollën e fshatit Ostros i Vogël. (BOA, MF.MKT, 361/33. Për më gjerësisht shih te tema “Shkolla fillore në Arbnesh”)
(vijon)
