Tuz – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, të mërkurën më 30 mars 2022, përuruan librin me titull “Çinari i Moçëm” të autorit Prim. Dr. Gani Karamanaga.
Në praninë e një numri të konsiderueshëm të admiruesve të fjalës së shkruar, për librin folën akademiku Zuvdija Hoxhiq, shkrimtari Gazmend Çitaku dhe gazetari e publicisti Mustafë Canka.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi z. Salko Luboder, në emër të tij dhe të institucionit që përfaqëson, teksa i përshëndeti të pranishmit, shpalosi arritjet që ka bërë kjo qendër gjatë vitëve të fundit për avancimin e kulturës, identitetit dhe vlerave themelore të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Gazetari dhe publicisti Mustafë Canka tha se të gjitha viktimat e krimeve në këtë botë meritojnë të përkujtohen dhe të varrosen me dinjitet.
“Dr. Ganiu e dëshmoi me besnikëri këtë në librin e tij. Prej vitesh përgatiti këtë vepër, mbodhi dhe sistemoi materialin, bisedoi me dhjetra njerëz dhe analizoi me kujdes gjithçka. Sepse, kur derdhet gjaku asgjë më nuk mund të jetë e njëjtë”, theksoi Canka.
Ai më tej u shpreh se libri që ne kemi përpara tregon seriozitetin e tij, dhe se është dëshmia e një njeriu që e ndjen si detyrë dhe obligim ndaj komunitetit të tij.
“I vetëdishëm për faktin se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi të vërtetën, Dr. Ganiu konfirmoi atë që bëri gjatë gjithë jetës së tij si mjek, të vazhdojë t’i shërbejë komunitetit tonë të vogël. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të kemi libra të tillë”, u shpreh Canka.
Ndërkaq, shkrimtari Gezmend Çitaku tha se se një nga faqet më të errëta të historisë sonë padyshim se paraqesin krimet e sistemit komunist.
“Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore shumë atdhetarë dhe patriotë u zhduken dhe eliminuan vetem për shkak të mospërputhjes ideologjke. Përpjekjet për zbardhjen e këtyre krimeve mbesin vetëm iniciativa individuale familjare, por diçka më serioze e më e organizuar në mënyrë institucionale gjithmonë ka munguar. Një tentativë të tillë ka bërë edhe Dr. Gani Karamanaga me librin e tij “Çinari i Moçëm”. Ai është përpjekur që përmes kësaj kronike të iniciojë diçka më serioze në zbardhjen jo vetëm të rastit të Rafo-Raif Goranës, por të shumë rasteve të tjera të zhdukjeve misterioze që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore pas vitit 1945”, u shpreh Çitaku.
Në të njëjtën kohë, akademiku Zuvdija Hoxhiq ndër të tjera u shpreh se e vërteta nuk mund të fshihet dhe nuk mund të varroset me lopatë, sepse kurdoherë ajo del në dritë.
“Gani Karamanaga është mjek i shkëlqyer, autor i disa librave nga fusha e mjekësisë, dhe tani Ganiu i cili ka ditur se si janë mushkëritë e njerëzve, pas daljes në pension përkushtohet të shohë se si është shpirti i Ulqinit dhe i njerëzve të tij, pra nuk ka fushë të të cilën ai nuk e ka prekur në mënyrë të shkëlqyer sa i takon historisë së qytetit të vjetër, nga legjendat deri tek ngjarjet”, u shpreh Hoxhiq.
Në fund të këtij përurimi, autori Dr. Gani Karamanaga ka shpërndarë libra falas për të gjithë të pranishmit.
Në librin “Çinari i Moçëm” janë trajtuar ndryshimet e mëdha shoqërore që pasuan me vendosjen e pushtetit të ri komunist. Duke filluar me pilotin e parë shqiptar në Mal të Zi, Raif Gorana cili u pushkatua më 27 nëntor të vitit 1944 tek Çinari i Moçëm në Ulqin, nëpërmjet eseve të prezantuara në këtë botim, paraqiten edhe historitë e individëve të ndryshëm të cilët u burgosën, u pushkatuan pa gjyqe apo u dënuan me procese gjyqësore të montuara.
Prim. Dr. Gani (Hasan)
Karamanaga – biografi
U lind më 1946 në Ulqin. Shkollën tetëvjeçare e ka mbaruar (më 1960) në Ulqin, ndërsa Shkollën e Mesme të Mjekësisë (më 1964) në Cetinë.
Ka diplomuar në Universitetin e Beogradit më 14 korrik të vitit 1969. Si mjek ka punuar në: Ostros (Krajë), Katërkollë (Ana e Malit), Tivar edhe në Ulqin. Prej atëherë, tërë kohën punon në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. Për punën profesionale dhe shkencore, Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi i jep titullin primarius në muajin maj të vitit 1998. Në periudhën 1978 deri me 1982, ka qenë drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin. Ka qenë nismëtar për riorganizimin e shërbimit shëndetësor në Ulqin. Përsëri rizgjedhet për drejtor me vendimin e Qeverisë së Malit të Zi me 11.12.2003. Me vendim të Këshillit të drejtorëve të Shtëpisë së Shëndetit, zgjedhet drejtor me datën 7 mars 2008. Lufta për ndërtimin dhe hapjen e Maternitetit kanë qenë angazhimi i veçantë i Dr. Ganiut.
Dr. Gani Karamanaga është njëri ndër themeluesit e Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe kryetari i tij. Njëkohësisht është edhe anëtar i redaksisë së revistës “Dija”. Merr pjesë në emisionet në të cilat trajtohen tema nga mjekësia, në TV “Teuta”, RTV e Malit të Zi në gjuhën shqipe dhe malazeze. Është organizatori i tetë simpoziumeve, Ulqin-Shkodër. Ganiu boton edhe artikuj në gazetën shqipe “Koha Javore”, në portalin Ul-info, etj.
Dr. Gani Karamanaga deri më tani ka botuar 13 libra në gjuhën shqipe, ku dhjetë prej tyre janë botuar edhe në gjuhën malazeze.
t. u.
