Roman dokumentar mbi luftën në Kosovë

“Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një dëshmi për atë se çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës në prag të këtij shekulli. Në fakt ashtu siç sugjeron shkrimtari i njohur argjentinas, Ernest Sabato, se shkrimtari duhet të jetë një dëshmitar i pakorruptueshëm, edhe Ag Apolloni në këtë roman e realizon një dëshmi e cila përveçëse e konservon një të vërtetë, është njëkohësisht edhe një denoncim për ata që kryen krime dhe për ata që nuk bënë sa duhet, ose nuk bënë asgjë për zbardhjen e këtyre krimeve”, theksoi ndër të tjera studiuesi Sherif Luzha

Tuz – Të enjtën mbrëma, më 10 mars 2022, në QKI “Malësia” në Tuz, u bë përurimi i librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i autorit- shkrimtarit të njohur, poetit, studiuesit të letërsisë dhe profesorit Ag Apolloni.
Në praninë e një numri të vogël të dashamirësve të librit, mbi këtë vepër letrare folën shkrimtari dhe përkthyesi Nikollë Berishaj, studiuesi Sherif Luzha dhe vet autori Ag Apolloni.
Studiuesi Sherif Luzha duke pasqyruar një vështrim të detajuar mbi librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, tha se ky libër është një roman dokumetar që ka për tematikë luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, përkatësisht, natyrën tragjike së kësaj lufte.
“Është roman, sepse është një prozë e cila në mënyrë artistike dhe me një plan të artikuluar estetik, trajton fakte të ndryshme personazhesh, dhe është dokumentar, sepse paraqet gjërat që kanë ndodhur”, shprehet Luzha.
Ai shton se të dhënat në fillim të romanit si: bora e parë po shkrihet, një udhëtim në kerr, shtatorja e Bill Klinton, muzika Jazz, ndalja në semafora etj, i japin rrëfime këtij romani nga jeta e rëndomtë.
“Por, rrëfimi i mëtutejshëm dhe biseda në mes personazheve, rrëfimi mbi përvojen e këtyre personazheve gjatë luftës, shpërfaq në mënyrë graduale dimensionin tragjik të luftës të cilën e përjetoi populli i Kosovës”, u shpreh studiuesi Sherif Luzha.
Ai ka thënë se ky roman është një narrativ viktimash i cili duke shpërfaqur krimin, e mbron njerëzoren, e rritë empatinë ndaj njerëzve që kanë pësuar (ndaj viktimave të luftës), dhe shfaq në detaje atë se sa e keqe mund të jetë lufta. Pra, është një roman që flet për luftën, kundër luftës.
“Ky roman filloi si një udhëtim dhe përveç titullit si prelud për atë që do të rrëfejë, autori e jep preokupimin e tij me humbjen e tragjedive të Eskilit, e posaçërisht flet për tragjedinë e titulluar “Njoba” citatin e secilës po e paraqes: “Ulur mbi varret e tyre, ajo vajtoi fëmijët e saj të vdekur”, autori e ka vënë në prag të këtij romani”, shprehet Luzha.
Studiuesi Luzha thotë se autori Ag Apolloni me këtë roman merret me dhimbjen e atyre që janë mishërim i jetëdhënies, pra nënave, duke e përshkruar botën e tyre para dhe pas humbjes së më të dashurve.
“Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, është një dëshmi për atë se çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës në prag të këtij shekulli. Në fakt ashtu siç sugjeron shkrimtari i njohur argjentinas, Ernest Sabato, se shkrimtari duhet të jetë një dëshmitar i pakorruptueshëm, edhe Ag Apolloni në këtë roman e realizon një dëshmi e cila përveçëse e konservon një të vërtetë, është njëkohësisht edhe një denoncim për ata që kryen krime dhe për ata që nuk bënë sa duhet, ose nuk bënë asgjë për zbardhjen e këtyre krimeve”, theksoi ndër të tjera studiuesi Sherif Luzha.
Ndërkohë shkrimtari dhe përkthyesi Nikollë Berishaj, njëherësh edhe moderator i mbrëmjes, tha se romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një histori rrënqethëse e bazuar në historinë e vërtetë të dy nënave shqiptare, nënës Pashkë dhe nënës Ferdonie.
Ndërkaq, të pranishmit në sallë, një pasqyrim më të detajuar të rrëfimit të romanit në fjalë patën mundësi ta ndjekin përmes një dialogu që zhvilloi moderatori i mbrëmjes Nikollë Berishaj me autorin Ag Apolloni, i cili me shumë dashamirësi iu përgjigj pyetjeve të shtruara mbi atë çfarë është dokumentuar në roman.
Përurimi i librit ”Një fije shprese, një fije shkrepëse”, u organizua nga Sekretariati për vetëqeverisje lokale i Komunës së Tuzit, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore- Informative “Malësia”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat