Podgoricë – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi organizoi të premten mbrëma në Bibliotekën Popullore “Radosav Lumoviq” në Podgoricë përurimin e librit “Paraqitje interkulturore Ulqin dhe Tivar” të publicistit Mustafa Canka nga Ulqini.
Për librin, të botuar si botime të veçanta në gjuhën shqipe dhe gjuhën malazeze, kanë folur shkrimtari dhe kronikani nga Tivari, Zhelko Milloviq, njëherazi recensent i librit, shkrimtari Mirash Martinoviq dhe Ludmilla Popoviq, doktor i letërsisë krahasuese dhe shkencave humane.
Në vështrimin e tij për librin, Milloviq ka thënë se ndonëse vetëm 25 kilometra larg njëri-tjetrit, Ulqini dhe Tivari, dy qytete që me shekuj kanë frymuar së bashku duke ndarë të njëjtat vlera historike, ekonomike, kulturore etj., sot fatkeqësisht janë të largët për shkak të vendimeve të gabuara politike shtetërore, komunale apo personale.
“Kur kemi menduar për Ulqinin dhe Tivarin, ata gjithmonë kanë shkuar si një pako. Edhe përgjatë historisë kanë qenë gjithmonë bashkë, kanë ndarë fatin e përbashkët… Sot Tivari dhe Ulqini, për fat të keq, janë më larg se kurrë”, ka thënë ai.
Sipas Milloviqit, në këtë libër Canka, kronikani i vlefshëm i së bukurës, ka grumbulluar kujtesën në tërësi, duke u përpjekur të tregojë se ajo çfarë i bashkon Ulqinin dhe Tivarin është shumë më e madhe sesa ajo që i ndanë.
“Vepra e tij tregon tërë ato perla që sot i quajnë bashkëjetesë, por që në fakt nuk janë asgjë tjetër përpos jetës sonë të zakonshme – jeta e përbashkët mediterane, të cilën e kemi kultivuar me shekuj. Duke balancuar me mençuri të shkuarën dhe të tashmen, autori ofron përgjigje në shumë pyetje që nuk kanë të bëjnë me identitetin por me njerëzoren, që është kategori më e lartë sesa identitarja”, është shprehur ai.
Për shkrimtarin e njohur Mirash Martinoviq, ky libër është i rëndësishëm, para së gjithash, sepse Canka i lexon dhe i identifikon gjurmët që kanë lënë përgjatë mijëvjeçarëve ilirët, grekët, shqiptarët, sllavët, pushtuesit osmanë.
Sipas tij, ai vë në dukje ngjashmëritë dhe diversitetin, nxjerr përfundime që mund të jenë të dobishme për banorët e sotëm.
“E gjithë kjo jeton në njeriun e këtij nënqielli, te njeriu i sotëm, i cili trashëgoi atë që kultivuan të parët e tij e që përvijohet tek ai. Nuk duhet të harrojmë se të gjithë paraardhësit tanë jetojnë brenda nesh. Ekziston gjithmonë një traditë e gjallë që pulson edhe kur ne nuk jemi të vetëdijshëm për të, dhe që ajo na udhëheq dhe në shumë mënyra e përcakton atë”, ka thënë Martinoviq.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e librit të Mustafa Cankës, Ludmilla Popoviq ka thënë se ai përbën një thesar të vërtetë të Malit të Zi.
“Libri është një udhërrëfyes për vlerat universale që na lidhin me sistemin e vlerave kozmopolite”, ka thënë ajo.
Popoviq vlerëson se një libër i tillë mund të lindë vetëm si fryt i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj vlerave njerëzore.
“Ai është një lloj udhërrëfyesi drejt universit të vlerave universale. Realizimi i mesazhit të tij duhet t’i sjellë përfitime Malit të Zi – sepse ne e meritojmë atë. Ne jemi një popull i lirë dhe te ne ka vend për dashuri dhe ndërlidhje. Këtë e dëshmon libri i Mustafa Cankës”, ka thënë ajo.
Vetë autori Mustafa Canka ka treguar se libri është shkruar me zemër.
Ai ka thënë se nuk dyshon kurrë në atë çfarë bën, sepse e din që ajo është e drejtë, që nuk vjen nga zorra e trashë, nuk vjen nga truri i vogël, por nga thellësia e shpirtit.
“Unë jetoj me mjedisin (hapësirën), e përjetoj çdo pëllëmbë, të mos them se Ulqini dhe Tivari janë të mitë. I tërë planeti është i vogël për ne. Në qoftë se ju nuk keni paqe në shpirt, çdo gjë është e kotë”, është shprehur ai.
Canka ka thënë se rruga jonë nuk është mbyllja, por hapja ndaj tjetrit.
“Gjithmonë kur kemi qenë të hapur, dhe kjo është me rëndësi që ta kuptojnë njerëzit, kur Ulqini dhe Tivari por edhe Mali i Zi kanë qenë pjesë e sistemeve të mëdha, në shtete të mëdha, të gjitha potencialet, resurset, predispozitat tona kanë ardhur në shprehje”, ka theksuar ai.
Në librin e Cankës një vend të posaçëm zënë shenjtit, për të cilët ai ka thënë se janë forcë e kohezionit dhe forca më e madhe të cilët e orientojnë njeriun në jetë.
Përurimi është udhëhequr nga gazetarja dhe drejtoresha e Radio Tivarit, Vesna Shoshkiq, e cila ka lexuar edhe pjesë nga libri dhe recensioni i Ismet Karamanagës për librin.
i. k.
