Ndarja e një perandorie

Lindja u shpëtua dhe Perëndimi u braktis vetëm për t’u copëtuar nga fiset gjermane në shekullin V. Megjithatë, nuk humbi gjithçka. Mbijetesa e Perandorisë Lindore për shekujt në vijim luajti rol të thellë në historinë evropiane nëpërmjet ngritjes së krishtërimit, duke parandaluar përhapjen e islamit në Evropë, duke nisur nga kryqëzatat dhe qëndresa arbërore e Skënderbeut, që mbolli pa dashje farat për një ringjallje në Evropën Perëndimore në formën e Rilindjes Evropiane

Për Koha Javore: Astrit Lulushi / Uashington

Perandoria Romake u nda në Perandori të Lindjes dhe Perëndimit pasi nuk kishte zgjidhje tjetër, megjithëse hendeku midis Perëndimit dhe Lindjes ishte i madh. Lavdia e Lindjes ishte në Athinë, Kostandinopojë, Rodos. Edhe Egjipti kishte qytetet e veta madhështore si Aleksandria e Memfis. Perandoria Perëndimore nuk ishte aq e rëndësishme ekonomikisht apo edhe politikisht. Vetëm 30% e popullsisë së Perandorisë Romake jetonte në Perëndimin Latin, nga të cilët mbi gjysma jetonin vetëm në Itali. Galicia, Britania dhe Iberia gjatë kësaj epoke ishin vetëm rajone kufitare të papopulluara të cilat u nënshtruan me sukses nga Roma për shkak se ishin afër gjeografikisht. Galicia kishte vetëm 3 milionë njerëz. Roma ishte i vetmi qytet në Perëndim i krahasueshëm për nga madhësia dhe ndikimi me qytetet e mëdha të Lindjes. Përsa i përket Londrës dhe Parisit, ato mezi regjistroheshin si qyteza e lëre më qytete.
Stabiliteti dhe ruajtja e Perandorisë Romake siguroheshin kryesisht falë pasurisë së madhe të Lindjes, e cila ishte shtëpia e 70% të popullsisë së Perandorisë. Që nga lindja e Perandorisë Auguste në shekullin I, deri në krizën e shekullit III, perëndimi i papopulluar dhe i privuar ekonomikisht u mbështet nga Lindja.
Megjithatë, ky sistem u shemb në shekullin III me ngritjen e Perandorisë Persiane Sasanide. Ndryshe nga paraardhësit e tyre parthinë, sasanidët kishin një politikë të jashtme shumë më agresive kundër romakëve. Kjo ndezi konfliktin me Perandorinë Romake në përpjekje për të pushtuar Sirinë, Palestinën, Egjiptin dhe Anadollinë, dhe për të rivendosur Perandorinë e Persisë nën Akamenidët. Pas krizës 50-vjeçare të shekullit III, (ku në një fazë Perandoria Romake u nda në 3 entitete të veçanta politike dhe pothuajse u shemb) romakët më në fund arritën të pranonin se thjesht nuk ishte e mundur që Lindja të përdorte pasurinë e saj njëkohësisht për vete dhe për të mbështetur Perëndimin.
Si pasojë, në vitin 284, Perandori Diokleciani u përball me një vendim shumë të vështirë që do të vendoste jo vetëm të ardhmen e Evropës, por edhe të botës. A do të ruante ai unitetin e Perandorisë dhe në këtë proces të rrezikonte shpërbërjen e saj, siç pothuajse ndodhi në vitin 260? Apo do të zgjaste jetëgjatësinë e Perandorisë duke e ndarë dhe në këtë proces të hiqte përgjegjësinë ekonomike të Lindjes ndaj Perëndimit?
Ndryshe nga paraardhësit e tij, Diokleciani zgjodhi opsionin numër 2 dhe u bë perandori i parë që zhvendosi kryeqytetin nga Roma në Antioki. Diokleciani prezantoi një sistem të bashkë-perandorëve që do ta bënte pararendës për ndarjen e Perandorisë. Ndarja u rafinua më vonë nga perandori Kostandin (i cili e zhvendosi kryeqytetin në Kostandinopojë) dhe u nda përfundimisht nga Perandori Teodosi në vitin 395. Zhvendosja e kryeqytetit në Kostandinopojë në brigjet e Bosforit, siguroi që qyteti të mund të furnizohej nga deti në rast rrethimi, dhe ndërtimi i Mureve Teodosiane e bënte atë të padepërtueshëm ndaj çdo rrethimi. Kjo, së bashku me ndarjen e perandorisë ia zgjati jetën Perandorisë Romake të Lindjes me mbi një mijë vjet. Muret rrethuese i dhanë çdo pushtuesi një zmbrapsje deri në 1453, dhe ndarja e Perandorisë Romake në atë Lindore dhe Perëndimore nuk mund të shmangej. Ndryshe nga ajo që adhuruesit e historisë romake pëlqejnë të imagjinojnë, thjesht Perandoria nuk ishte e mundur të shpëtohej në formën e saj të bashkuar. As perandorët e mëdhenj romakë si Augusti apo Trajani po të kishin qenë gjallë nuk do të kishin mundur ta shpëtonin.
Lindja u shpëtua dhe Perëndimi u braktis vetëm për t’u copëtuar nga fiset gjermane në shekullin V. Megjithatë, nuk humbi gjithçka. Mbijetesa e Perandorisë Lindore për shekujt në vijim luajti rol të thellë në historinë evropiane nëpërmjet ngritjes së krishtërimit, duke parandaluar përhapjen e islamit në Evropë, duke nisur nga kryqëzatat dhe qëndresa arbërore e Skënderbeut, që mbolli pa dashje farat për një ringjallje në Evropën Perëndimore në formën e Rilindjes Evropiane.

Të fundit

më të lexuarat